×
  • Sport
  • Sport

    Shfaqën Kosovën si pjesë të Serbisë, tifozët e Plzenit mund të udhëtojnë për në Prishtinë

    Insajderi
    30 July 2023 - 16:37
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Ashtu siç pritej, grupi i tifozëve të Viktoria Plzenit ka shfaqur simbole antiKosovë në ndeshjen e së enjtes ndaj Dritës. Plzeni e Drita luajtën pa gola në “Doosan Arena”, në praninë e 10 mijë shikuesve. Ishte ndeshja e parë e raundit të dytë kualifikues të Ligës së Konferencës.

    Tifozët e skuadrës së madhe çeke, të grupuar në grupin “Sektor-P”, kanë qëndrim antiKosovë, si disa grupe tifozësh në Çeki, Sllovaki, Poloni e vende të tjera. Në ndeshjen e së enjtes mbrëma në Plzen të Çekisë, tifozët e “Sektor-P” kanë shfaqur një pano në të cilën harta e Kosovës ishte e mbuluar me flamur të Serbisë. Bëhet fjalë për panon që shihet vazhdimisht, ku shkruan “nuk ka dorëzim”.

    Ka pasur edhe tifozë çekë me fanella ku shkruante “Kosova është Serbi”.

    Image

    Tifozët e Plzenit kanë raporte të mira me disa grupe tifozësh në Serbi. Edhe në të kaluarën kanë paraqitur qëndrime antiKosovë.

    Tifozët e këtij grupimi, apo disa prej tyre, të enjten e ardhshme mund të jenë në Prishtinë. Viktoria Plzeni, njëri prej klubeve më të mëdha në Çeki, ka nxjerrë në shitje bileta për ndeshjen në udhëtim ndaj Dritës.

    “Nëse planifikoni të shkoni, këtu janë informacionet për biletat dhe për udhëtimin. Ndeshja e kthimit zhvillohet në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ në Prishtinë. Çmimi për një biletë në sektorin mysafir është 130 koruna (5,40 euro). Nëse jeni të interesuara për to, ju lutemi kontaktoni përmes emailit deri të martën në orën 13:00”, shkruan në njoftimin e Plzenit.

    Jo shumë kohë më parë në Prishtinë qëndruan tifozë rumunë. Ata ishin në “Fadil Vokrri” në ndeshjen mes Kosovës dhe Rumanisë. U larguan më herët nga stadiumi pasi nisën thirrjet “Kosova është Serbi”. Ishte prej provokimeve më të rënda që janë bërë në stadiumet e Kosovës deri më tani. Tifozët rumunë u larguan nga forcat e policisë. Ata ishin ndalur në Beograd në rrugën drejt Kosovës, ku po ashtu kishin shpalosur pano provokuese.

    Së fundi, në Kosovë kanë qëndruar edhe tifozë bullgarë, kroatë dhe nga Irlanda e Veriut. Por nuk është shënuar ndonjë incident. Tifozët e Rijekës kroate u sulmuan nga huliganët serbë në afërsi të Beogradit, rrugës për në Kroaci. Rijeka, të enjten, luajti me Dukagjinin në Prishtinë, në kuadër të Ligës së Konferencës.

    Incidente të mëdha ka pasur në Shkup të enjten. Kishte rrahje të shumta mes tifozëve të Shkupit dhe atyre bullgarë të Levski Sofias. Kishte edhe të lënduar e të arrestuar. Tifozëve të Shkupi, “Shvercerat” u është bërë thirrje nga tifozët bullgarë që mos të udhëtojnë për në Sofje, të enjten e ardhshme. Nëse udhëtojnë, incidente tjera të mëdha priten. /Koha/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark