Kampioni i Kosovës, Ballkani debutoi me barazim në arenën ndërkombëtare. Në ndeshjen e vlefshme për raundin e parë kualifikues në Ligën e Kampionëve, skuadra e drejtuar nga Ilir Daja luajti baras 1:1 me Zalgirisin.
Kushtrim Gashi është nga futbollistët më të përfolur tek Ballkani kohët e fundit, kjo për shkak të mungesës së tij. Gjatë ditës së djeshme është raportuar se ka pasur një përplasje, pasi lojtari nuk është pajtuar me vendimin e trajnerit për të qenë rezervist ndaj Zalgirisit.
“Në një ekip janë prezent këto gjëra, sidomos në kohë merkatoje. Nuk i mohojmë vlerat e tij. Gashi ka pas minutazh të vogël nga janari e këtej. Ai nuk e ka dhënë në miqësore atë që ne prisnim. Emërllahu ishte ndër lojtarët më të mirë sonte, i cili luan në pozitën e Gashit. Një lojtar me eksperiencë si Gashi, nuk duhej të dilte mbi interesin personal në këtë ndeshje”, ishte përgjigja e Dajës sonte pas ndeshjes, kur u pyet rreth këtij rasti.
Në anën tjetër, Gashi ende nuk është deklaruar për këtë rast. Ai mbrëmë ka publikuar vetëm një fotografi të Ilir Dajës, teksa shihet se ndeshjen e ka ndjekur nga shtëpia.