Insajderi
Hulumtime/Analiza

Shkelje për shpenzim buxheti e shkelje për tenderë -Si u menaxhua komuna e Gjakovës nën pushtetin e Ardian Gjinit të AAK-së

Insajderi
21 August 2025 - 13:44
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Shkelje për shpenzim buxheti e shkelje për tenderë -Si u menaxhua komuna e Gjakovës nën pushtetin e Ardian Gjinit të AAK-së
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Komuna e Gjakovës ka hyrë tashmë në një cikël të përsëritur keqmenaxhimi financiar. Raportet e Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitet 2022, 2023 dhe 2024 kanë dhënë, vit pas viti, të njëjtin rezultat: opinion të kualifikuar, duke zbuluar shkelje sistematike në menaxhimin e parasë publike. Se si u dhanë tenderët në Gjakovë, pastaj është histori më vete e mbushur me shkelje. Insajderi sjell detajet

Gazeta Insajderi

Një skanim i raporteve të auditimit të jashtëm të Komunës së Gjakovës, që drejtohet tash e katër vite nga Ardian Gjini i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), kanë gjetur se në këtë instituxion ka pasur shkelje sistematike në menaxhimin e parasë publike, shkruan Gazeta Insajderi.

Raportet për vitet: 2022, 2023 dhe 2024 kanë dhënë, vit pas viti, të njëjtin rezultat: opinion të kualifikuar

Çfarë do të thotë “opinion i kualifikuar” dhe pse është problem?

Në auditime, “opinion i kualifikuar” jepet kur auditorët gjejnë shkelje dhe gabime serioze në menaxhimin e financave publike. Ky është një sinjal i fortë alarmi: tregon se institucioni nuk respekton plotësisht ligjet dhe se ekziston rrezik i lartë për keqpërdorim të fondeve.

Një komunë që merr opinion të kualifikuar – siç ka ndodhur me Gjakovën tri vite rresht – është një komunë që: Nuk po menaxhon buxhetin në mënyrë të drejtë; Nuk po zbaton rekomandimet e auditorëve; Po ekspozon qytetarët ndaj rrezikut që paratë publike të humbasin apo të përdoren në mënyrë të gabuar.

Viti 2022: fillimi i sinjaleve të forta

Në raportin e vitit 2022, auditorët theksuan se “Shuma prej 273,516 euro është ekzekutuar nga kategori jo adekuate – 244,512 euro nga investime kapitale për paga e mëditje, dhe 29,004 euro për shpenzime komunale.”

Përveç kësaj, ZAP evidentoi se “Pagesa në vlerë prej 248,812 euro është bërë pa zotim paraprak buxhetor.”

Komuna u kritikua për tenderë me specifikime teknike të mangëta dhe për vonesa në pagesa që gjeneruan 153,098 euro shpenzime shtesë për përmbarim dhe gjykata.

Në komentet e saj, Komuna tha se “këto raste kanë qenë të domosdoshme për të siguruar funksionalitetin e shërbimeve dhe nuk kanë pasur qëllim shkelje të ligjit”. Auditorët, megjithatë, theksuan se këto praktika janë të papranueshme dhe dëmtojnë transparencën.

Viti 2023 vazhdoi me përshkallëzim të shkeljeve

Në vitin 2023, shumat u rritën ndjeshëm dhe  ZAP konstatoi se “në total 968,214 euro janë shpenzuar nga kategori jo adekuate, kryesisht nga linja e investimeve kapitale për të mbuluar paga dhe shpenzime operative”

Raporti theksonte gjithashtu se kontratat shpesh janë zbatuar pa zotime paraprake dhe pagesat janë bërë me vonesë, duke rritur rrezikun për shpenzime shtesë.

Menaxhimi i pasurisë mbeti problem: automjete të paregjistruara dhe inspektim i pronave në nivele shumë të ulëta.

Komuna reagoi duke thënë se “situata është përmirësuar krahasuar me vitin 2022 dhe rekomandimet janë në proces zbatimi”. Por auditorët nënvizuan se shumica e gjetjeve ishin të përsëritura, çka provonte se përmirësimi ishte vetëm në letër.

Viti 2024: kulmi i keqmenaxhimit

Në vitin 2024, raporti i auditorëve ishte edhe më i ashpër.

Aty u nxorrën edhe konstatime si “komuna (e Gjakovës) ka ekzekutuar 1,161,083 euro nga kategori jo adekuate. Ky veprim bie ndesh me Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike dhe është përsëritur pavarësisht rekomandimeve të vazhdueshme”

Problemet në prokurim vazhduan: specifikimet teknike përfshinin referenca për marka tregtare, duke krijuar dyshime për favorizim. Borxhet tatimore dhe qiratë e paarkëtuara u rritën, ndërsa auditimi i brendshëm mbeti me kapacitete minimale – vetëm një auditor.

Komuna, në komentet e saj, premtoi se “shumica e rekomandimeve të auditorit janë duke u adresuar dhe një pjesë janë zbatuar. Komuna e Gjakovës është duke punuar që praktikat e gjetura të mos përsëriten në vitet e ardhshme.”

Por ky ishte një premtim i përsëritur, i njëjtë me vitet e kaluara – dhe faktet e ZAP e kundërshtojnë.

Gjakova, një model i përsëritur dështimi

Tre vite rresht me opinion të kualifikuar nuk janë thjesht rastësi, por tregojnë një model të dështuar menaxhimi.

Kjo pasi që sipas raporteve të ZAP, fondet kapitale përdoren për paga e shpenzime operative, duke frenuar zhvillimin; tenderët hartohen me mangësi që krijojnë terren për favorizime; borxhet dhe shpenzimet shtesë rriten nga mosmenaxhimi i pagesave; pasuria komunale nuk evidentohet saktë dhe eekomandimet e ZAP mbeten në letër.

Ky cikël jo vetëm që dëmton financat publike, por pengon investimet që qytetarët e Gjakovës presin në infrastrukturë, arsim dhe shërbime të tjera bazike, konstatojnë njohës të zhvillimeve komunale.


Tre raporte të kualifikuara radhazi janë dëshmi e një administrate që nuk arrin të mësojë nga gabimet dhe as të zbatojë udhëzimet e institucioneve të pavarura. Përderisa Komuna e Gjakovës premton çdo vit se do të “përmirësohet”, shifrat e ZAP tregojnë të kundërtën: shkeljet jo vetëm që vazhdojnë, por edhe rriten.

Tenderët e Gjakovës: tri vite rresht me shkelje dhe dyshime për favorizime

Komuna e Gjakovës nuk ka dështuar vetëm në menaxhimin e përgjithshëm të financave publike, por edhe në prokurimin publik – një nga fushat më të ndjeshme dhe më të ekspozuara ndaj korrupsionit. Raportet e Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitet 2022, 2023 dhe 2024 tregojnë një seri shkeljesh të përsëritura në mënyrën si janë dhënë dhe menaxhuar tenderët.

Nëse në letër tenderët duhet të jenë garë e hapur e barabartë për operatorët ekonomikë, në praktikë në Gjakovë janë shndërruar jo rrallëherë në procedura të brishta, me specifikime që kufizojnë konkurrencën dhe me menaxhim financiar të parregullt.

Në vitin 2022, auditorët evidentuan disa raste ku prokurimi ishte përdorur në mënyrë të gabuar:

“Rregullimi i sheshit dhe ndriçimit publik në Gjakovë” – me vlerë 148,500 €. ZAP konstatoi se specifikimet teknike për këtë projekt përfshinin përmendje të drejtpërdrejtë të markave tregtare, duke e kufizuar konkurrencën dhe duke ngritur dyshime për favorizim të operatorëve.

“Furnizimi me material ndërtimor për mirëmbajtje rrugësh”  me vlerë 92,000 €. U identifikua se kontrata ishte zbatuar pa zotime të plota buxhetore paraprake, duke rrezikuar krijimin e borxheve të reja.

“Mirëmbajtja e objekteve arsimore”  me vlerë 65,700 €. Sipas auditorëve, procesi i inspektimit dhe pranimit të punimeve nuk ishte dokumentuar siç duhet, çka hap hapësirë për pagesa të punëve të pakryera.

Në komentet e saj, Komuna tha se “përmendja e markave ka qenë vetëm për arsye teknike dhe jo për të favorizuar ndonjë kompani të caktuar”, por auditorët insistuan se një praktikë e tillë është në kundërshtim me ligjin për prokurimin publik.

Viti 2023 solli projekte më të mëdha dhe shkelje edhe më serioze.

Kështu, te tenderi “Rikonstruimi i rrugës ‘Nëna Terezë’”  me vlerë 310,000 € raporti i ZAP theksonte se Komuna kishte përfshirë në dosjen e tenderit specifikime që lidhnin punimet me materiale të një kompanie të caktuar, duke eliminuar konkurrencën e lirë.

“Ndërtimi i sallës sportive në fshatin Doblibare”  me vlerë 280,000 €, thuhet se kontrata ishte zbatuar me vonesa të mëdha dhe pa penalitete për operatorin, edhe pse ligji e obligon komunën të aplikojë gjoba për mosrespektim të afateve. Auditorët e cilësuan këtë si menaxhim të dobët të kontratës.

Te “Furnizimi me kompjuterë për shkollat e mesme” me vlerë 124,000 € ZAP konstatoi se dokumentet e tenderit përmendnin specifikime të pajisjeve që lidhnin ofertën me një markë të vetme tregtare.

Komuna në komentet e saj tha se “këto raste nuk e kanë kufizuar konkurrencën, pasi kanë pasur disa operatorë që kanë aplikuar”, por ZAP nënvizoi se ligji ndalon kategorikisht përmendjen e markave tregtare, pavarësisht numrit të ofertuesve.

2024 – Kulmi i shkeljeve

Në vitin 2024, auditorët regjistruan disa nga rastet më flagrante siç është edhe “Ndërtimi i kanalizimit në fshatin Cërmjan” në vlerë 415,000 € e ku pagesat për këtë projekt ishin bërë me vonesë dhe pa zotime paraprake buxhetore, duke u futur në borxhe të reja.

Te “Asfaltimi i rrugëve lokale në Gjakovë”  në vlerë prej 527,000 € raporti theksonte se “specifikimet teknike të tenderit kanë përfshirë referenca të qarta për produkte të një marke tregtare, duke kufizuar konkurrencën dhe duke rritur rrezikun e favorizimit”.

Te tenderi “Rregullimi i ndriçimit publik” në vlerë prej 198,000 €, auditorët gjetën se projekti ishte ekzekutuar me punime të cilësisë më të ulët se ato të parashikuara në kontratë, ndërkohë që pagesa ishte bërë plotësisht.

Komuna u justifikua duke thënë se “punimet janë pranuar nga komisioni i mbikëqyrjes dhe janë në përputhje me kontratën”, por raporti i ZAP evidentonte dallime të dukshme mes kontratës dhe punimeve të kryera.

Tri vite rresht, tenderët në Komunën e Gjakovës janë karakterizuar nga: Specifikime teknike me marka tregtare që dyshohet se çojnë në kufizim i konkurrencës dhe dyshime për favorizim; Kontrata pa zotime buxhetore e ku eshtër rrezik borxhesh dhe detyrimesh të reja; Menaxhim i dobët i punimeve e ku bëhen pagesa edhe kur punët nuk kryhen siç duhet si dhe Mungesë penaltish për operatorët me rrezik humbje e parasë publike dhe dëm për qytetarët.

Në çdo rast, Komuna është përpjekur të arsyetohet se nuk ka pasur shkelje qëllimshme. Por fakti që këto gjetje përsëriten nga viti në vit, dhe shumat shkojnë nga qindra mijëra deri në mbi gjysmë milioni euro, tregon një model të konsoliduar të menaxhimit të dobët – ose edhe të qëllimshëm./Gazeta Insajderi/


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark