×
  • Sport
  • Sport

    Shkëlqimi i Xhakës në prag të udhëtimit për në Kosovë

    Insajderi
    28 August 2023 - 14:38
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    “Pas vetëm dy ndeshjeve, e gjithë Bundesliga po flet për Granit Xhakën. Pas paraqitjes së jashtëzakonshme ndaj Gladbachut, ka lavde nga të gjitha anët”.

    Kështu ka shkruar të hënën mediumi i njohur zviceran “20 Minuten”. Ky medium ka paraqitur momentin e mirë të cilin po e kalon Granit Xhaka pas kthimit në Bundesligë.

    Forma e Xhakës është “çështje” edhe për Kosovën. Ai është kapiten i Zvicrës, kundërshtares së ardhshme të Kosovës në kualifikimet për “Euro 2024”. Xhaka pritet ta udhëheqë Zvicrën në fushë në ndeshjen në “Fadil Vokrri”, më 9 shtator. Dhe forma e lartë e tij në fillim të edicionit nuk është lajm i mirë për drejtuesit e përfaqësueses së Kosovës.

    Xhaka, 30-vjeçar, la Arsenalin për ta vazhduar karrierën te Bayer Leverkuseni në Gjermani. Kishte paraqitje të fuqishme ndaj Leipzigut, në fitoren 3:2 në xhiron hapëse. Të shtunën luajti tjetër ndeshje të madhe në fitoren 3:0 ndaj Borussia Moenchengladbachut, ish-skuadrës së tij.

    “Kam ardhur këtu për të bërë pikërisht këtë që po e bëjmë tani”, ka thënë Xhaka pas ndeshjes me Gladbachun. Dy pasime të Xhakës nisën aksionet që përfunduan me gola të Leverkusenit.

    “Jam i lumtur që mund ta ndihmoj ekipin me pasime të tilla, me personalitetin tim dhe përvojën”, ka thënë Xhaka.

    Ai menjëherë mori kontrollin në mesfushën e Leverkusenit. Ndaj Gladbachut bëri 120 pasime, prej tyre 113 të sakta. I dyti ishte mbrojtësi i qendrës, Edmond Tapsoba, me 90 pasime. Xhaka, po ashtu, po vrapon shumë. Ka vrapuar 24.2 kilometra në dy ndeshje. Vetëm dy lojtarë të Bundesligës vrapuan më shumë se ai në dy xhirot e para.

    “Bild” e ka vlerësuar lart paraqitjen e Xhakës, ndërsa mirënjohje mori edhe nga ikona Lothar Matthaeus.

    “Xhaka mund të ishte pikërisht ajo për të cilën trajneri i Bayernit, Tuchel, po kërkon”.

    Nuk pritet të jetë hera e fundit që emri i Xhakës të lidhet me Bayernin. Sipas shumë njohësve, Leverkuseni do të jetë sfiduesi më i madh i Bayernit në garën për titull të kampionit në Gjermani. Didi Hamann beson se Leverkuseni ka potencial për ta fituar titullin. Shumë do të varet edhe nga Xhaka.

    “Kur isha 19-vjeçar, do të përgjigjesha më ndryshe se si përgjigjem tani si 30-vjeçar. Ne e dimë që ende duhet të përmirësohemi. Ende askush nuk flet për këtë (titull) në skuadër”, ka thënë Xhaka.

    Xhaka është kapiten e lider i Zvicrës. Edhe te “helvetikët” ka treguar formë të lartë së fundi. Zvicra udhëheq në grupin kualifikues me dhjetë pikë, përkatësisht me tri fitore e një barazim. Kosova është e pesta në grup me tri pikë. I ka tri barazime e një humbje shokuese nga Bjellorusia.

    Ndeshja e 9 shtatorit pritet me interesim të madh. Ndër të tjera edhe për faktin se Xhaka e Xherdan Shaqiri janë liderët e Zvicrës.

    OP-ED
    Nga Rubrika
    Insporti
    25 November 2024

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark