Një moment tepër qesharak por edhe i frikshëm për ata që nuk e kuptojnë teknologjinë brenda fushës së futbollit, ka ndodhur në ndeshjen e djeshme mes Real Betis dhe Barcelonës.
Mbrojtësi i Barcelonës, Araujo, është “zhdukur” pas përplasjes me sulmuesin e Betis, Willian Jose në minutën e 80-të. 23-vjeçari nga Urugai është rrëzuar para tabelës së reklamave që ndodhet pas portës dhe trupi i tij u bë i padukshëm, gjithmonë vetëm për shikuesit nga televizori, duke i lënë ata të shtangur.
Arsyetimi i kësaj ndodhie është për shkak të teknologjisë. Tabelat e reklamave janë me panel jeshil të cilat përdoren për të shfaqur reklama të ndryshme për shikuesit e TV në bazë të vendit ose rajonit.
Tifozët në stadium mund t’i shohin reklamat pa problem, por për ndjekësit nga ekrani, gjithçka është ndryshe, duke shkaktuar dhe iluzione si rasti i Araujos.