Nermin Pakashtica, motra e gruas së Taulant Kurtit, vëllaut të kryeministrit Albin Kurti, është zgjedhur fituese e një konkursi të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë e Tregtisë, të financuar nga Banka Botërore. Gazeta Insajderi sjell detaje të rastit.
“Vellai i kryeministrit”, tradicionalisht në Kosovë është vlerësuar si pozitë e lartë shoqërore.
Një status i lartë social që përfshinë ndikim në vendimarrjen institucionale.
Gazeta Insajderi ka zbuluar se edhe në “regjimin” e ri është duke ndodhur e njëjta.
Taulant Kurti, vëllai i Albin Kurtit, është përfshirë në fazën e parë të benefiteve të pushtetit-Nepotizmin.
Pikërisht motra e gruas së tij, është punësuar në një projekt të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë e Tregtisë të udhëhequr nga Rozeta Hajdari.
Në mesin e dhjetëra konkurrentëve për një vend pune me pagë të mirë, pikërisht familjarja e Taulant Kurtit është përzgjedhur si më e mira.
Kush është e afërmja e vëllut të Kurtit që u punësua nga MINT?
Nermin Pakashtica, është motra e gruas së Taulant Kurtit, vëllaut të kryeministrit Albin Kurti, i cili mbanë pozitë menaxheriale në Koroporatën Energjetike të Kosovës. Ajo është pranuar në projektin e Konkurueshmerisë dhe Gatishmërisë për Eksport (CERP), në mesin e konkurentëve të tjerë.
Projekti CERP, i financuar nga Banka Botërore, implementohet nga Ministria e Tregtisë, Ndërmarrësisë dhe Industrisë, që drejtohet nga Rozeta Hajdari.
Projekti kap vlerën e 14,3 milionë euro që financohen nga kreditë e buta të Bankës Botërore, shkruan Gazeta Insajderi.
Qëllimi i Projektit të Konkurueshmërisë dhe Gatishmërisë për Eksportit, siç njofton edhe ministria është që të forcojë kapacitetin e institucioneve të zgjedhura publike në vend, që të kontribuojnë në përmirësimin e eksportit dhe konkurueshmërisë së sektorit privat.
Projekti CERP ka për qëllim mbështjen në certifikimin e produkteve për tregjet e eksportit, të forcojë kapacitetin e Bizneseve të orientuara kah eksporti, dhe të përmirësojë Konkurrueshmërin e tyre.
Gazeta Insajderi, ka kontaktuar me Nermin Pakashticën lidhur me përzgjedhjen e saj në projektin e CERP-it.
Fillimisht ajo ka thënë se nuk është zgjedhur nga MINT, por nga Banka Botërore dhe se për gjithçka rreth projektit dhe pozitës së saj, do të përgjigjet Banka Botërore.
Por, Banka Botërore, që është financuese e këtij projekti e ka demantuar Pakashticën.
Në përgjigjen për gazetën kanë thënë se përzgjedhja e stafit është bërë nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, e jo nga ta.
“Procesi i përzgjedhjes së stafit që punon në zbatimin e projektit është përgjegjësi e agjencisë zbatuese, në këtë rast Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë. Ju lutemi drejtoni pyetjet tuaja tek Ministria”, thuhet në përgjigje.
Megjithëkëtë, nga Banka Botërore nuk kanë treguar nëse kanë qenë në dijeni se Nermin Pakashtica ka afërsi me familjen e kryeministrit Albin Kurti.
Gazeta pas përgjigjes së Bankës Botërore, ka kontaktuar edhe një herë Pakashticën për të marr edhe versionin e saj për rastin. Nuk ka dashur të përgjigjet në pyetjet specifike të gazetës, ka thënë vetëm se i ka përmbushur dhe tejkaluar kriteret e kërkuar në konkurs.
Por, insitonte se përgjigjet do t’i jap punëdhënësi i saj.
“Unë kam bisedu me zyrtarët përgjegjës që janë të Bankës Botërore, se me të ministrisë unë s’kom kontakt ata kanë thanë që na do të përgjigjemi. S’kom nevojë me tu përgjigj. Punëdhënësi jem ka me t’i dhënë përgjigjet”, ka thënë ajo përmes telefonit kur është kontaktuar nga gazeta.
Pakashtica, nuk ka treguar nëse afërsia e saj me vëllun e kryeministrit Kurti, Taulantin ka ndikuar që ajo të pranohet në konkursin publike të Ministrisë së Tregtisë që implementon projektin e Bankës Botërore.
Nuk ka treguar as çfarë angazhimi do të ketë në këtë projekt dhe sa zgjatë kontrata e saj.
Ka disa ditë që gazeta ka kërkuar sqarime lidhur me këtë rast edhe nga Ministria së Industrisë, Ndërmarrësisë e Tregtisë, por ky insitucion nuk ka treguar se çfarë kriteresh ka plotësuar Pakashtica dhe a ka ndikuar afërsia me familjen e kryeministrit që ajo të përgjedhet në projekt.
Ky dikaster qeveritar nuk ka treguar as kur ka nisur zyrtarisht punën sa zgjatë kontrata e Pakashticës.
Nermin Pakashtica, përveç këtij projekti është e punësuar edhe në Agjencinë Kosovarë të Privatizimit.
Në nëntor të vitit 2020, në Kuvendin e Kosovës, deputeti Bekë Berisha, me ironi kishte thënë se s’e beson që “shpata e drejetësisë” duke iu referuar Albin Kurtit, ka ndikuar politikisht për ta punësuar motrën e gruas së tij.
Po zëdhënësi i qeverisë, Përparim Kryeziu i ishte kundërpërgjigjur Bekë Berishës lidhur me këtë çështje. Kishte thënë se Pakashtica nuk është “balldeska” e Albin Kurtit por e vëllaut të tij
“Në lidhje me “balldëskën” e z.Kurtit: ne fakt bëhet fjalë për motrën e gruas së vëllaut të z. Kurti, znj. Nermin Pakashtica. Ajo punon në këtë institucion që nga viti 2007, që kur i njëjti quhej AKM, dhe në këtë pozitë është punësuar përmes një paneli intervistues ndërkombëtar”, thoshte Kryeziu.
Nepotizmi gjatë 1 vit qeverisje të kryeministrit Kurti
“Familjarët janë për dasma, jo për punësim në ministri”, thoshte dikur Albin Kurti. Ai vazhdimisht zotohej se gjatë qeverisjes së tij nuk do të ketë punësime me nepotizëm vetëm punësime me meritokraci.
Por nuk zgjati shumë premtimi i tij, pasi e mori pushtetin si kryeministër i vendit. Në një vit qeverisjë emërimet dhe punësimet më të mëdha në institucione e agjenci publike, u bënë me familjarë të zyrtarëve të partisë dhe militantë.
Emri i parë që u raportua si i punësuar nga pushteti aktual, duke thyer premtimin e Kurtit se nuk do të ketë punësime me nepotizëm, ishte i xhaxhait të kryetarit të kuvendit, Glauk Konjufca, Rabit Konjufca.
Konjufca, që ishte edhe kandidat për kryetar të Lipjanit, u emërua këshilltar politik në Ministrinë e Mbrojtjes.
Këshilltar politik u emërua edhe vëllai i deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Fitim Uka, Sami Uka. Ai u emërua këshilltar i ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia.
Suljota Aliu, motra e ministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliut, është punësuar në Këshillin Drejtues të Odës së Farmacistëve të Kosovës, që është në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë.
Nipi i zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, Gëzim Tosuni, u emërua këshilltar në Këshillin Shtetëror të Cilësisë.
Lebibe Haliti, e cila më herët ishte Udhëheqëse e Sektorit për Çështje Juridike në Inspektratin e Tregut, është emëruar U.D. e Kryeinspektores së Tregut në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë. Kryeinspektorja e re është motra e deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Haliti.
Shkurte Aliu, motra e deputetit të Vetëvendosjes Luan Aliu, njëra nga të emëruarat në bordin e Teatrit Kombëtarë, shkruan Gazeta Insajderi
Aliu është aktiviste e Lëvizjes Vetëvendosje, e cila në zgjedhjet e vitit 2017 ishte edhe kandidate për deputete nga kjo parti.
Drilon Zuba, familjari i Sali Zybës, është punësuar si asistent i ministres Rozeta Hajdari.
Vëllai i nënkryetarit të Vetëvendosjes në Vushtrri, Sylejman Mehollit, Mensur Meholli. Për të njëjtën pozitë, si staf mbështetës nëpër klinikat me Covid-19 figuron dy herë. Ai është punësuar në këtë pozitë në komunën e Vushtrrisë dhe në atë të Mitrovicës.
Lexo edhe: