×
Hulumtime/Analiza / Analiza

Shpërthen ryshfeti në Qeverinë Kurti – dy zyrtarë të lartë përfshihen në korrupsion brenda një jave

Insajderi
17 January 2023 - 12:05
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

Muaji janar i këtij viti nuk nisi mirë për Qeverinë Kurti. Brenda një jave, dy njerëz që kryeministri Kurti iu besoI pozita të rëndësishme u zunë me ryshfet. Një zëvendësministër dhe një mjek, të cilin e emëroi anëtar të Bordit drejtues të SHSKUK-së.

Insajderi publikoi audio-incizimin që dëshmon për përfshirjen e zëvendësministrit të Zhvillimit Rajonal, Almir Veliji në aferë korruptive. Ndërkohë, disa qytetarë kanë raportuar në redaksi të Insajderit se si iu është imponuar t’i japin para shefit të Kirurgjisë në Spitalin e Vushtrrisë, Isuf Zekaj për të kryer operacione.

Qeveria Kurti ka zgjedhur heshtjen. Nuk ka marrë asnjë masë. Nuk e ka shkarkuar asnjërin.

Audio-incizimi që dëshmon përfshirjen në ryshfet të zv/ministrit të Albin Kurtit

Të enjten e 12 janarit, Insajderi sjellI audio-incizimet që dëshmon përfshirjen e zëvendësministrit të Zhvillimit Rajonal, Almir Veliji në këtë aferë, më konkretisht për një grant qeveritar prej dhjetëra mijëra eurosh.

“… a të ka kallëzu ai sa përafërsisht munet?”…se këta pa ju dhanë diçka nuk kryejnë punë”. Janë këto disa pjesë të bisedave që zëvendësministri i Zhvillimit Rajonal, Almir Veliji i bën më një person (emër i njohur për Insajderin) e ku flasin për një aferë ryshfeti.

Zëvendësministri Veliji, i emëruar nga kryeministri Albin Kurti, në këto audio-incizime që i ka siguruar Insajderi e që janë deponuar edhe në Policinë e Kosovës, flet për një grant qeveritar prej dhjetëra mijëra eurosh.

Audio-incizimi që e ka siguruar Gazeta Insajderi tashmë është në posedim edhe nga Policia e Kosovës që po e hetojnë këtë rast.

Referuar kërkesës suaj mund të ju konfirmojmë se Policia e Kosovës posedon informacionin si dhe është në  fazën fillestare të hetimeve në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë”, thuhet në përgjigjen e Policisë për Gazetën Insajderi.

Ky audio-incizim, pos tjerash dëshmon që për këtë grant qeveritar prej dhjetëra mijëra eurosh, zëvendësministri Veliji, pos telefonatave kishe zhvilluar edhe takim.

Madje kishte në posedim edhe flet-aplikimin e qytetarit që ishte në proces të marrjes së grantit, që do të mbulonte një pjesë të investimit, pasi që pjesën tjetër e kishte mbuluar me investime vetanake.

Krejt çka mungonte në këtë proces, sipas bisedës që zhvillohet mes personit X dhe Almir Velijit mbetet përcaktimi i çmimit të ryshfetit që do të jepej që granti qeveritar të realizohej.

Që nga viti 2021 një seri rastesh për keqpërdorim të granteve qeveritare, me theks të veçantë atyre në bujqësi janë hetuar nga Prokuroria. Një pjesë e tyre tashmë janë deponuar në Gjykatë me aktakuzë.

Rasti i fundit ishte ai i dhjetorit të vitit të kaluar ku Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë  kundër 15 të akuzuarve për rastin e njohur “Subvencionet II”.

Rasti “Subvencionet I” në shtator 2022 pati edhe një seancë shqyrtimi edhe në Gjykatën e Apelit, pasi që në prill të atij viti Gjykata Themelore në Prishtinë kishte shpallur aktgjykim dënues ndaj shtatë të akuzuarve që ishin dënuar me 6 vite e 1 muaj burgim dhe 2 mijë euro gjobë.

“pa ju dhanë diçka nuk kryejnë punë”

Në këtë audio-incizim që e ka siguruar Gazeta Insajderi flitet për afro 70 mijë euro para të shtetit që do të jepeshin si grant qeveritar, por bashkë-biseduesit nuk arrijnë deri te pika e përcaktimit të çmimit të ryshfetit, por definohet se pa ryshfet nuk kryhet puna.

E dëgjo, unë piva kafe me atë mbrëmë, më tha … s’po di unë burrë, me kanë me më kallzu ata p.sh me thënë qekaq”, i raporton personi X Zëvendësministrit Almir Veliji, duke i treguar hallin se nuk po di se sa para ryshfet duhet të kërkohen për grantin prej afro 70 mijë eurosh.

Të njëjtin hall e shfaq edhe Zëvendësministri Veliji kur i drejtohet personit X duke i thënë që “ai s’ta ka thënë përafërsisht sa mundet, sa nuk mundet?”.

Ai person i raporton Zëvendësministrit duke i treguar se qytetari që ka aplikuar për grantin qeveritar ka investuar afro 30 mijë euro para të tijat në projektim dhe pret afro 70 mijë të tjera nga granti, gjë që me pohim e miraton Veliji.

Edhe pse Zëvendësministri Veliji shprehet që nuk është marrë me këtë formë ndërmjetësimi, shprehet i bindur se pa dhënë diçka nuk mund të vazhdonte aplikimi tutje.

Kurrë s’jam marrë vallain unë qeshtu vallain se, e di se ata pa ju dhanë diçka ata nuk e kryejnë a po kupton?”, dëgjohet duke thënë Veliji.

Zëvendësministri Veliji e mori edhe vet aplikacionin e personit që po i kërkohej ryshfet

Në një bisedë të më vonshme Zëvendësministri Veliji e pranon që direkt e ka marrë aplikacionin për këtë grant.

Jo çka më the më herët se më herët nuk e kuptova çka më the, u kry ajo punë e kështu se s’po di burrë, ti herë po më thua ashtu, herë knej diçka, e se kuptova mirë”, i thotë personi që komunikon me Zëvëndësministrin Veliji derisa ky i fundit ia rikujton që “që ma dërgove, që ma dërgove për atë shokun bujqësi”

“X: Atë fletën, atë farë aplikimin për atë tenderin a? Almir Veliji: Po po, po qajo qajo. X: Aha, okej, e çka me bë tash? Almir Veliji: Jo kurgjo, vetëm që të thashë që puna u kry, kurrgjë tjetër”.

Në fund të nëntorit të vitit 2022 i njëjti Zëvendësministër ishte denoncuar edhe publikisht për një aferë tjetër ku ai akuzohej për përfshirje në ryshfet e e që mori para në qese.

“Zotëri, zv. Ministër, unë ju bëra ftesën me kërkesën tuaj për ta vizituar Zvicrën (foto1). Unë morra të gjitha garancitë dhe bëra deponi të të hollave që ju të pajiseni me Vizë (foto2). Unë ju pagova biletën e udhëtimit (foto3). Unë ju prita në aeroportin e Baselit dhe ju dërgova deri tek Hoteli në Cyrih. Unë ju bëra rezervimin e hotelit, mirëpo hotelin e paguat ju vetë, vetëm kjo është e vërteta! Unë ju kam shëtitur në Cyrih, ju kam nxjerr në drekë dhe për kafe. Paraqitjet e juaja që i bëni, a keni harruar se unë ju bleva tre palë kostume, këpucë dhe kravata? A keni harruar, drekat dhe kafet në Kosovë? A harruat, kur ju kam dërguar para për Wsterunion (foto4). Harrove që ti dhashë në CHE Bar, 3500 € të mbështjella në një qese? Kishe shumë nevojë për shkak të borxheve që kishe për ti kthyer që kishe vjedhur nga subjekti yt politikë”, kishte shkruar Binak Sylaj në profilin e tij, siç raportonte Insajderi.

Sylaj në këtë postim i kishte përmendur edhe përfshirjen në ryshfet bash për grante.

“Kur një ditë të ballafaqova dhe të thash se je i përfshirë në ryshfet lidhur me grantet dhe anulimin e aplikuesëve për grante, aty përfundojë çdo gjë mes nesh. E para për shkak se, ke shfrytëzuar çdo të mirë njerëzore nga unë, e dyta për shkak se shfrytëzon detyrën dhe veturën zyrtare, mbushjet e kartelave të valës dhe shumë send tjetër. Kurrë mos akuzo askënd për shpifje apo gjë tjetër, e vërteta është kjo. Unë nuk shantazhohem KURRË”, kishte shkruar ai.

Gazeta Insajderi atë ditë kishte botuar edhe reagimin e Almir Velijit. 18:14 – 24 Nëntor 2022. Ai ka thënë për Gazetën Insajderi se gjithçka se çfarë ka thënë Syla është e vërtetë, përpos punës së ryshfetit.

“Unë jam shumë i pastër, dhe për këtë jam shumë i lumtur. Nuk është e vërtetë se kam marrë ryshfet, dhe për këtë do ta padisë personin në fjalë qysh nesër përmes avokatit tim”, pati thënë Veliji për Insajderi.

“Jam njeriu më i pastër” – deklarimi i i zëvendësministrit

Përfshirjen në marrje ryshfeti e ka mohuar zëvendësministri, i kontaktuar nga Gazeta Insajderi Veliji ka thënë se ndjehet njeriu më i pastër në botë.

Ai rastin e cilësoi si lojë politike që po bëhet ndaj tij ndërkohë që bën thirrje që rasti të hetohet.

“Jam njeriu më i pastër dhe më i lumtur dhe do të jap kontribut për qytetarët, kurrë në jetën time kurrkujt si kam marrë një cent. Nëse 1 cent i kam marrë dikujt, unë veç shkojë në burg. E këto lojëra politike nga prapa që i bën dikush është Policia është Prokuroria le ta qojnë rastin deri në fund sepse unë nuk mundem me dhënë më intervista se qeshtu ka ndodhur edhe para 2 muajve. Organet e drejtësisë le të merren me rastin, unë jam njeri më i pastër në botë”, ka deklaruar Veliji për Insajderin.

Nga dyshimet për ryshfet tek arrestimi i kirurgut që Kurti i besoi pozitë udhëheqëse

Në 9 janarin e së hënës në media bëri bujë lajmi për përfshirjen e tre kirurgëve të Spitalit të Vushtrrisë në aferë korruptive. Ata dyshohet se u merrnin nga 150 deri 400 euro pacientëve për t’ua kryer operacionet. Në mesin e tyre është edhe shefit i Klinikës së Kirurgjisë në Spitalin e Vushtrrisë, Isuf Zekaj. Zekaj në korrik të vitit të kaluar nga Qeveria Kurti u emërua anëtar i Bordit Drejtues të SHSKUK-së.

Zekaj ka arritur të arrestohet disa ditë pas rastit, me arsyetimin se ndodhej jashtë vendit.

Si u zu në flagrancë Isuf Zekaj duke marrë ryshfet?

Bazuar në raportimin e Gazetës Shneta, Zekaj në rastin e parë nga një pacient ka marrë 200 euro e nga tjetri 250 euro.

Pacienti i parë i shtrirë në repart pas operacionit, deklaronte se i është dashur të paguaj 200 euro për materialet e nevojshme për intervenim. Pacienti hezitonte të tregonte detaje duke thënë se për të ishte e rëndësishme që të kryente punë.

Në rastin e pacientit të dytë të operuar nga Zekaj, flet një familjar i pacientit i cili thotë se i ka dhënë mjekut 250 euro me arsyetimin për të blerë materialet.

Familjari: Ai i ka kry krejt se unë nuk dijsha

Sinjalizuesi: Kush vllau a?

Pacienti: Unë, unë.

Sinjalizuesi: Ti ja ke dhanë doktorit a?

Familjari: Po doktorit ja kam dhënë.

Sinjalizuesi: Sa ja ke dhënë?

Familjari: 250...Janë tha do më të dobëta 180, por më mirë është 250.

Pas raportimit nga Gazeta Shneta, qytetarë tjerë janë lajmëruar në redaksinë e Insajderit për raportuar veprimet penale të kirurgut Zekaj.

Një qytetare nga komuna e Podujevës në kushte anonimiteti tregoi për Insajderi se si i kishte dhënë para kirurgut Isuf Zekaj që bashkëshorti i saj të operohet.

Qytetarja nga Podujeva (emër i njohur për redaksinë), ka treguar se burri i saj vuante nga gurët në tëmth dhe i duhej t’i nënshtrohej një operacioni pasi gjendja e tij keqësohej çdo ditë e më shumë.

Ajo tregoi se i kishte dorëzuar 240 euro në zyrën e kirurgut Isuf Zekaj, pasi ai ia kishte kërkuar burrit të saj në kompensim që ta fuste në operacion.

“Dr Isufi i ka lyp 240 euro edhe masi u kry operacioni mua më ka thanë burri shko paguaj këtë shumë në zyre të mjekut”, tha qytetarja për Insajderin.

Sipas saj, burri i kishte thënë se kjo ishte marrëveshja që kishte bërë me kirurgun Zekaj, para se të hynte në operacionin.

“I kam thanë pse duhet me i dhanë këto pare ky nuk është spital privat, më ka thënë se kështu kemi marrëveshje me mjekun”, thotë qytetarja për Insajderin.

Ndërsa, një person nga qyteti i Vushtrrisë i ka thënë Insajderit, se për të përshpejtuar operimin gruas së tij ishte detyruar që fillimisht t’i jap 100 euro kirurgut, pra Isuf Zekajt.

Ai kishte shkuar në zyrën e tij dhe Zekaj kishte hapur sirtarin duke ia bërë me dije se aty duhet t’i vendos paratë.

Personalisht e kam pas shoqen, mu ka desht me shku me kanë thanë me prit gjashtë muaj ma shume, fjalë mas fjale më thanë qe dikush po operohet më shpejte, më thanë që duhet me pagu ekstra për do klipa e mrezha 50 euro 100 euro. Edhe kur kam shku në zyre ai veç e ka hap fijokun, ia dhash 100 euro“, deklaroi ai.

Në mbrëmje të njëjtit i ishin dërguar edhe 300 euro, kësisoj në mëngjes bashkëshortja e tij u fut në operim.

Ato 100 euro nuk kanë kry kurgja punë, në mbrëmje kam shku me i lan edhe 300 euro, masanej më kanë thirre të nestrit mem tregu që gruaja mundet me u operu direkt ditën e nesërme. Më thanë ia kemi ba diqysh se e pam që u shqetësojke edhe të nestrit u operu për gurë në tëmth tek qiky doktori Isuf Zekaj“, rrëfeu ai për Insajderin.

Me 13 janar Policia e Kosovës arrestoi kirurgun Zekaj. Kështu ka konfirmoi për Gazetën Insajderi, zëdhënësi i Prokurorisë në Mitrovicë, Valon Preteni.

Ndaj tij është paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimi.

“Ju njoftojmë që personi i dyshuar me iniciale I.Z., është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është ndaluar për 48 orë. Njëherit, ndaj të njëjtit është paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit pranë gjykatës kompetente, seanca pritet të mbahet”, ka thënë ai.

Ndonëse, Ministria e Shëndetësisë ka një javë që ka iniciuar shkarkimin e Zekajt nga pozita e anëtarit të Bordit të SHSKUK- së, pas përfshirjes në një aferë të korrupsionit, ende nuk është shkarkuar.

/GazetaInsajderi

OP-ED
Nga Rubrika

© 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Impressum

Kontakt

Trademark