×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    “E ka qel dollapin, unë i kam lan nihere 100 tani 300 euro”, rrëfimi i qytetarit për kirurgun Isuf Zekaj

    Insajderi
    11 January 2023 - 13:49
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Lajmi se tre kirurgë në Spitalin e Vushtrrisë dyshoheshin se kanë marrë para nga pacientët për të kryer operacionet bëri bujë. Kirurgët që po hetohen nga prokuroria janë Isuf Zekaj – shef i kirurgjisë në SP Vushtrri dhe anëtar i Bordit Drejtues të SHSKUK-së, dhe dy kirurgët Ekrem Sefiu dhe Arsim Latifaj të cilët tashmë janë arrestuar.

    Sipas raportimit të Gazetës Shneta, që të tre, në emër të blerjes së materialit (kryesisht rrjeta dhe klipa) të nevojshëm për operacion kanë marrë nga 100 deri në 400 euro prej pacientëve.

    https://www.youtube.com/watch?v=1iZ-evwE0c8

    Një rast i tillë është raportuar edhe tek Gazeta Insajderi. Një person nga qyteti i Vushtrrisë në kushte anonimiteti tha se edhe ai ka dhënë para që bashkëshortja e tij të operohet.

    Duke qenë se ajo vuante nga gurët në tëmth, operacioni iu shty për 6 muaj. Kjo e kishte shqetësuar të njëjtën pasi nuk ishte mirë me shëndet dhe kishte kërkuar të operohet sa më herët.

    Qytetari nga Vushtrria, (emër i njohur për redaksinë), tha se ishte njoftuar që për të përshpejtuar operimin, duhet t’i jepeshin një shumë të hollash kirurgut, pra Isuf Zekajt.

    Ai kishte shkuar në zyrën e tij dhe Zekaj kishte hapur sirtarin duke ia bërë me dije se aty duhet t’i vendos paratë. Qytetari kishte vendosur si fillim 100 euro, por kjo shumë ‘nuk ia mbushi syrin kirurgut’.

    Personalisht e kam pas shoqen, mu ka desht me shku me kanë thanë me prit gjashtë muaj ma shume, fjalë mas fjale më thanë qe dikush po operohet më shpejte, më thanë që duhet me pagu ekstra për do klipa e mrezha 50 euro 100 euro. Edhe kur kam shku në zyre ai veç e ka hap fijokun, ia dhash 100 euro“, tha ai për Insajderin.

    Në mbrëmje të njëjtit i ishin dërguar edhe 300 euro, kësisoj në mëngjes bashkëshortja e tij u fut në operim.

    Ato 100 euro nuk kanë kry kurgja punë, në mbrëmje kam shku me i lan edhe 300 euro, masanej më kanë thirre të nestrit mem tregu që gruaja mundet me u operu direkt ditën e nesërme. Më thanë ia kemi ba diqysh se e pam që u shqetësojke edhe të nestrit u operu për gurë në tëmth tek qiky doktori Isuf Zekaj“, rrëfeu ai për Insajderin.

    Vushtrriasi tha për të siguruar paratë ka kërkuar ndihmën e kolegëve të tij të punës.

    Për me i bo bashk paret që i kan kërku aty mu ka dashtë nëpër koleg me lyp pare më shkoj ma shumë se gjysma e rrogës“, tha ai.

    Ai tha se ky nuk është rasti i vetëm, sipas tij shumica e kirurgëve veprojnë njejtë. I njëjti përmendi edhe një kirurg tjetër për të cilin tha se kërkon vetëm ndonjë kafe ose 50 euro si shpërblim.

    Kam dëgju edhe plot raste tjera, sipas fjalëve pjesa më e madhe e kirurgëve qeto sene i bajn. Ni doktor kom dëgju, që aj veq ni kafe e don, ose 50 euro spo ia permendi emrin e këta kirurgat tjerë krejt lypin pare“, tha për fund ai.

    Kirurgët ishin duke u hetuar nga Prokuroria Themelore e Mitrovicës ndërkohë dje dy prej tyre janë arrestuar e treti, Isuf Zekaj nuk është gjetur në vendin e punës.

    Prokuroja e rastit, Fetije Bajrami në një prononcim për Gazetës Insajderi tha se kirurgu Zekaj nuk u gjet në spital kur policia shkoj në spitalin e Vushtrrisë për ta arrestuar.

    Zekaj ndodhet jashtë shteti për pushime, tha prokurorja.

    Tutje, ajo tha se kirurgu është kontaktuar nga spitali për tu paraqitur në polici dhe pritet që së shpejti të niset për në Kosovë. që të dorëzohet.

    “Janë arrestuar dy kirurgët Ekrem Sefiu dhe Arsim Latifaj dhe ndaj tyre është në përgatitje vendimi për ndalim. Janë arrestuar nën dyshimin për kryerjen e veprës ‘marrje ryshfeti’. Kirurgu i tretë i përfshirë në këtë skandal, Isuf Zekaj, gjendet në pushim vjetor jashtë shtetit. I njëjtit është kontaktuar me telefon nga drejtuesit e spitalit dhe ka thënë se do të përgatitet që të niset menjëherë për t’u dorëzuar”, ka thënë Prokurorja për Insajderin.

    Theksojmë se kryeministri Albin Kurti në korrik të viti të kaluar ka emëruar Isuf Zekajn, anëtar të Bordit Drejtues të Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës (SHSKUK). Ndërkohë sot, emri i kirurgut Zekaj po përmendet për një aferë të korrupsionit. Ai po dyshohet se të paktën në dy raste ka marrë para nga pacientët për të kryer operacione, shkruan Insajderi.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark