Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) ka njoftuar se ka arritur një tjetër sukses historik, duke sjellë për herë të parë në Shqipëri finalet e një turne madhor ndërkombëtarë.
Bëhet e ditur se UEFA i ka besuar FSHF-së dhe Shqipërisë organizimin e finaleve të Kampionatit Evropian 2025 në grupmoshat U17, raporton KosovaPress.
Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s në mbledhjen e sotme që u zhvillua në Qipro ka votuar pro kandidaturës së FSHF-së, me finalet e turneut kontinental që do të zhvillohen në Shqipëri pas dy vitesh.
Investimet në infrastrukturë me stadiumet e reja, që plotësojnë kriteret e duhura për turne ndërkombëtarë, apo edhe eksperienca e pasur e administratës së FSHF-së në mikpritjen dhe organizimin e turneve ndërkombëtarë ka bindur sërish UEFA-n që t’ia besojë Shqipërisë një tjetër ngjarje madhore.
Në majin e vitit 2022, në Shqipëri u organizua finalja e parë Ligës së Konferencës (AS Roma-Feyenoord), ngjarje historike kjo për popullin shqiptar.