Të martën pasdite, Lapsi.al ka dorëzuar në sekretarinë e Gjykatës së Posatçme një ankim kundrejt vendimit politik, të padrejtë dhe të paligjshëm të gjyqtares Iliriana Olldashi, thelbi i të cilit me sa duket ka qenë që ti vijë në ndihmë partisë në pushtet në prag të zgjedhjeve të 25 prillit.
Një ditë të dielë, znj Olldashi, pa lajmëruar fare palën Lapsi.al, pa dëgjuar argumentet e saj, miratoi kërkesën e SPAK, për sekuestrimin e kompjuterave, serverave dhe celularëve të gazetarëve, që botuan skandalin e përgjimit të të dhënave personale të 910 mijë qytetarëve, duke i detyruar ata, si në një vend diktatorial, të dorzonin jo vetëm provën, por edhe burimin e informacionit të tyre.
Me një servilizëm rënqethës ndaj SPAK dhe një kurrizpërkulje ndaj politikës, ajo shkoi edhe më tej, duke urdhëruar ndërprerjen e publikimit të lajmeve dhe informacioneve që lidhen me databazën që përdor PS për të pëgjuar zgjedhësit. Ajo u mbështet për këtë argumentim absurd, në interpretimin se qytetarëve po u dalin të dhënat e tyre personale.
Po kush po i nxirrte ato, Lapsi.al apo institucionet shtetërore që ia kishin dhënë socialistëve për zgjedhje?
Duke e drejtuar hetimin në dy pista, njëri se kush është burimi që ka tradhëtuar nënën parti (pra jo kush i ka bërë dëm qytetarëve, por cili është tradhtari që ka dekonspiruar rilindjen) dhe së dyti, duke u përpjekur të mos dëmtojë imazhin e forcës politike në pushtet, në vigjilje të zgjedhjeve, me urdhërin për ndërprerjen e botimit të lajmeve, znj Olldashi është shfaqur hapur si një kamikaze politike.