×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza

    Shtatë vite pezull- Insajderi sjell detaje për funksionalizimin e Repartit të Peditarisë në Mitrovicë

    Insajderi
    06 October 2023 - 15:50
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Ishte viti 2016 kur u ndërtua një objekt i ri në oborrin e Spitalit të Përgjithshëm “Dr. Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë. Ky objekt do të shërbente si repart i pediatrisë. I njëjti u ndërtua me ndihmën e një organizate humanitare. Ndonëse kanë kaluar shtatë vjet, ky repart nuk është funksionalizuar ende.

    Gazeta Insajderi

    Pritjes si duket po i vjen fundi. Objekti i destinuar për repart të pediatrisë në Mitrovicë pritet të hyjë në funksion në dhjetor të këtij viti. Kështu kanë konfirmuar për Insajderin nga Ministria e Shëndetësisë.

    Ju informojmë se nuk ka ndonjë pengesë, procesi është duke vazhduar. Është bërë projektimi dhe publikimi i aktivitetit të prokurimit për kryerjen e punimeve. Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me ShSKUK-në ka hartuar dhe finalizuar ​Planin e veprimit në përputhje me vlerësimin rreth gjendjes në këtë repart. Në bazë të Planit të veprimit të Divizionit të Infrastrukturës në MSh, ky projekt pritet të finalizohet në fund të dhjetorit të këtij viti“, thuhet në përgjigjen e MSH.

    Por deri në funksionalizimin e këtij projekti nevojiten mbi 500 mijë euro investim. Kështu tha sot ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia në seancën plenare të kuvendit.

    Vitia bëri të ditur se shoqata “Jetimat e Ballkanit” kanë investuar me shumën prej 50 mijë eurove për këtë projekt.

    Investimet nga donatori shoqata “Nënë Terezë” është ajo e cila ka pasur marrëveshjen e bashkëpunimit. Në përputhje me marrëveshjen shoqata “Jetimat e Ballkanit” ka transferuar shumën e mjeteve prej 50 mijë eurove sipas kërkesës së shoqatës “Nënë Terezë”. Mbi 500 mijë euro nevojiten investim deri në funksionalizim të këtij reparti. Në këtë kosto përfshihen projektimi, pajisjet mjekësore, inventari, burimet njerëzore. Pritet të funksionalizohet në dhjetor të këtij viti ose në janar të 2024’së“, deklaroi ministri Vitia.

    Ndërsa, drejtoresha e Spitalit të Përgjithshëm të Mitrovicës, Luljeta Buqinca- Zhubi mohoi se ky objekt është shfrytëzuar si depo ilaçesh.

    Ajo ka treguar edhe arsyen e mos-funksionalizimit të këtij objekti, derisa tregoi edhe dëmet që janë pësuar ndër vite.

    Objekti i Pediatrisë nuk është funksionalizuar pasi që ka qenë një obligim i papaguar ndaj donatorit. Nuk është e vërtetë që objekti shfrytëzohet si depo ilaçesh. Objekti pasi që nuk është shfrytëzuar me vite ka disa dëmtime të dyshemesë si rrjedhoje e pikjes se shiut si duket nga kulmi“, tha Buqinca- Zhubi për Insajderin.

    Nga Shërbimi Spitalor, Klinik dhe Universitar të Kosovës (ShSKUK) kanë thënë për Gazetën Insajderi se për këtë projekt janë në koordinim të plotë me Ministrinë e Shëndetësisë.

    Ju njoftojmë së ShSKUK është në koordinim të plotë me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Spitalin e Përgjithshëm të Mitrovicës. Po punohet intensivisht nga Msh, që sa më shpejtë të aktivizohet Reparti i ri i Pediatrisë“, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Drejtorit të Përgjithshëm.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark