×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza / Analiza

    Si e “dekretoi” presidentja Osmani hakmarrjën e Kurtit kundër Blerim Isufajt

    Insajderi
    17 October 2023 - 17:06
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Ëndrra e kryeministrit që të bëhej kryeprokuror ndoshta nuk u jetësua, por pamundësimi i dekretimit të Blerim Isufajt në krye të Prokurorisë po. Kjo, falë presidentes. Vjosa Osmani, e cila e zvarriti me vite procesin e dekretimit të Isufajt, sot në një konferencë të jashtëzakonshme ia jetësoi atë çfarë thoshte Kurti në Kuvend para pesë muajsh – nuk bëhet kryeprokruror sa të jetë në pushtet Qeveria Kurti.

    Gazeta Insajderi

    Presidentja Osmani u thirr në shkeljet procedurale përgjatë rastit të përzgjedhjes së kryeprokurorit për mos-dekretim të Isufajt.

    “Bazuar në frymën dhe shkronjën e Kushtetutës sonë, të argumentuar nga aktgjykimet e shumta të Gjykatës Kushtetuese, konsideroj se nuk mund të kemi funksionim kushtetues të institucioneve nëse një proces nuk zhvillohet mbi respektimin e procedurave kushtetuese dhe ligjore”, ka deklaruar gjatë ditës ajo.

    Osmani, e cila bazuar nga deklaratat e saj tregoi mosbesim ndaj institucioneve të sigurisë, tha se është përballur me “shantazhe dhe kërcënime” për procesin e dekretimit të Isufajt.

    “Ka pasur njerëz që dërgonin mesazhe se ‘në qoftë se nuk e dekreton, do të vëmë dosje, do të ngremë aktakuza’”, deklaroi Osmani.

    Për këtë ka reaguar Këshilli Prokurorial i Kosovës, në reagimin e së cilës implikohet ideja se Osmani s’i ka kontaktuar autoritetet gjegjëse për t’i trajtuar “shantazhet dhe kërcënimet”.

    “Lidhur me deklaratat e sotme se ka pasur presione dhe kërcënime, ftojmë Presidenten e vendit që nëse ka prova dhe dëshmi t’i dërgojë ato te organet kompetente, në mënyrë që të ndriçohen plotësisht…”, u tha në reagimin e KPK-së.

    Pos tjerash, KPK-ja e ka quajtur tentim për shtrirje të politikës në sistemin prokurorial vendimin e Osmanit që të mos dekretohet i propozuari i Këshillit Prokurorial për kryeprokuror.

    Si e “dekretoi” Osmani inatin e Kurtit me Isufajn

    Kryeministri Albin Kurti përpara pesë muajsh vinte linja të kuqe karshi propozimit të KPK-së për kryeprokuror. Në një seancë të Kuvendit të Kosovës, ai thoshte se Isufaj s’mund të bëhet kryeprokuror nën qeverisjen e tij.

    “Unë nuk kam dyshim që në Prokurorinë e Shtetit ekziston një disponim politik negativ ndaj qeverisjes sonë. Dhe jo vetë ndaj meje si kryeministër, por ndaj qeverisjen tonë, ndaj pushteti të ri të dalë nga 14 shkurti i 2021-ës. Kjo lidhet me shumë se me askënd tjetër, me figurën e prokurorit Blerim Isufaj“, tha Kurti.

    “…Por, nuk do të mundet (të bëhet kryeprokuror). Sepse këtu ka republikë dhe popull”, shtoi më tej kryeministri.

    Kurti, i cili nuk ngarend së kritikuari sistemin e drejtësisë, shprehej i dëshpëruar pse sovrani s’e bëri kryeprokuror por kryeministër.

    “Secilën ditë që po vazhdoj si kryeministër shpeshherë edhe duke e dëgjuar ministrin Hekuran Murati, po më duket që hala më e rëndësishme kish me qenë me u pasë bë kryeprokuror. Po unë kryeprokuror s’mundem me u bë, a kryeministër më keni bë ju, a kryeprokuror s’mundem me u bo. Se për të ecë mbarë po nuk funksionoi edhe Prokuroria edhe gjyqësia qysh duhet, do të vonohemi shumë. Se këta me na ndal s’munden. Po, me na vonu po, ama gjithnjë e më pak, e unë jam optimist që edhe në këtë pengesë ia dalim bashkë sikurse në të tjerat”, deklaronte ai.

    Zvarritjet e presidencës për procesin e dekretimit të kryeprokurorit

    Nga kabineti i Osmanit, në fillim të muajit prill, u zotuan se çështja e Kryeprokurorit do të marrë epilog në fund të muajit prill, pasi të përfundonin të gjitha ankesat e kandidatëve të tjerë në Kushtetuese.

    “Afatet për një kontestim të tillë përfundojnë në fund të muajit prill, prandaj Presidentja do ta marrë vendimin pas shterimit të këtij afati, sepse e kundërta do të ishte ndërhyrje në pavarësinë e sistemit të drejtësisë”, deklaronin nga zyra e Osmanit.

    Në maj të këtij viti, Gazeta Insajderi ishte interesuar nëse KPK-ja ishte kontaktuar nga Presidenca përbrenda periudhës kohore të zotuar për çështjen e dekretimit, mirëpo nga ky institucion thonin se ishin në pritje.

    “Ju njoftojmë se edhe pse kanë kaluar më shumë se tri ditë që nga periudha kohore kur Presidenca paralajmëroi se Presidentja e vendit do të dalë me një vendim për Kryeprokurorin e Shtetit, Këshilli Prokurorial i Kosovës ende nuk ka informacion lidhur me dekretimin e Kryeprokurorit të ri të Shtetit, z.Blerim Isufaj”, deklaronte në maj KPK-ja.

    Insajderi ishte interesuar që të merrte një version nga dy kundër-kandidatët e Isufajt, që kishin apeluar më herët ankesë në Gjykatën Kushtetuese për çështjen e kryeprokurorit.

    Shqipdon Fazliu nuk u deklarua kur u pyet nëse ka ende ndonjë kontest të hapur gjyqësor lidhur me procesin e kryeprokurorit.

    “S’kam koment”, deklaroi ai.

    Ndërkaq, Armend Hamiti nuk është përgjigjur në pyetjen e njëjtë, por shkurtimisht ka thënë për Gazetën Insajderi se nuk është kontaktuar nga institucionet qëndrore për çështjen e kryeprokurorit.

    “Nuk kam pasë kurrfarë njoftimi”, deklaroi Hamiti.

    Më 6 prill 2022, Këshilli Prokurorial i Kosovës e votoi unanimisht Blerim Isufajn për ta pasuar Aleksandar Lumezin në pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit. Kur Lumezit i përfundoi mandati shtatëvjeçar, KPK e pati caktuar Besim Kelmendin ushtrues detyre të Kryeprokurorit të Shtetit. /Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark