Pas disa ftesave nga komisioni Hetimor parlamentar në lidhje me menaxhimin e krizës energjetike nga Qeveria e Kosovës, më në fund u paraqit ambasadori i Kosovës në Kroaci Martin Berishaj.
Berishaj ishte përfshirë në skandalin financiar në Slloveni, me theks të veçantë raportet e tij me kompaninë nga Beogradi GEN.
Pak para fillimit të marrjes në pyetje nga deputetet, Berishaj u mundua të paraqitej i afërt me ta, shkruan Gazeta Insajderi.
Berishaj pati përshëndetje miqësore me deputetët e PDK-së, madje ata i pyeti për Thaçin e Veselin.
“A keni fol me ata burra”, i drejtohet Berishaj Abelar Tahirit.
Derisa në një moment tjetër, Berisha e pyet edhe kryetarin e Komisionit, Driton Selmanajn për punët e tij dhe familjen.
“Si po ju shkojnë punët? Si është nusja?”, e pyeti Berisha, Selmanajn.
Por kjo afërsi e Berishajt me ta nuk i zmbrapsi deputetët nga pyetjet rreth skandalit.
Berishaj i ka quajtur shpifje raportimet në mediat sllovene se i njëjti ka qenë i përfshirë në skandalin për shpëlarje parash.
Ai tha se kjo çështje ka qenë në media vetëm një ditë para zgjedhjeve në Slloveni dhe se nuk është përmendur më asnjëherë, çka sipas tij është bërë për të ndikuar në zgjedhje.
“Këtu quhet aferë, quhet rast, mirëpo quhen media ndërkombëtare, ka qenë një prononcim i një portali, një portal që e ka peshën sa ia jep peshën, natyrisht nuk jam marrë me problemin e peshës së tyre, jam marrë me problemin, i cili ishte një ditë para zgjedhjeve në Republikën e Sllovenisë”.
“Në kulmin e debatit, i cili po zhvillohej, e unë duhet të shtoj se qysh në moshën 16-vjeçare jam në Slloveni. Atje kam studiuar, kam punuar kohë të gjatë si profesor, ne njihemi me gjithë klasën politike në Slloveni, prej ish-kryetarit të shtetit që ka qenë shok i klasës ime, prej kryetarit të qeverisë, por këto nuk kanë lidhje të mëdha”, tha Berishaj.
Ai deklaroi se “Lajmin i cili ma kanë kumtuar mua, unë e nuk e kam shikuar, mirëpo mundësia teknologjike ta bën që ta kthesh prapa dhe deri në atë natë ka qenë niveli i përqindjes së njërës palë në zgjedhje dhe tjetrës ka qenë 21%. Pyet, a njihni profesor Martinin, po e njoh, ju jeni fotografuar me të, gjëra koti të cilat lidheshin me një shpifje të cilën e ka folur ai portali”, ka thënë ai. /Gazeta Insajderi