“Kushdo që është duke folur për kufij, territore, apo çfarëdo korrigjimi të shtetit tim, është armiku ynë”, ishte një prej deklaratave të njohura të Ramush Haradinajt kur e kundërshtonte ndarjen e Kosovës.
Në muajin shtator të vitit 2017, Ramush Haradinaj ishte zgjedhur Kryeministër i Kosovës. Me të marrë postin e ri dhe ende pa u ambientuar mirë në zyrën e tij, nisën problemet e para.
Një rrezik po i kanosej Kosovës dhe ai do të ballafaqohej me një problem të pazakontë për një kryeministër të një shteti sovran.
Është fjala për projektin e ndarjes së Kosovës, ose shkëmbimit territorial me Serbinë siç parapëlqehej të quhej.
Ideja ishte e mjegullt fillimisht dhe diskutohej kryesisht nëpër kthinat e zyrave të BE-së.
Haradinaj i kishte vërejtur shenjat e para se diçka me potencial të dëmshëm po përgaditej si rrugë e shkurtër e përmbylljes së konfiktit të ngrirë Kosovë-Serbi.
Përplasjet e para i pati me ish-Përfaqësuesin e Lartë të BE-së, Frederica Mogherini, një zyrtare burokrate e BE-së që suksesin e dialogut mes dy shteteve e shihte kryesisht nëpërmjet llupës së karrierës së saj, duke e dekontekstualizuar tërësisht të kaluarën dhe të drejtën historike të shqiptarëve të Kosovës.
Kryeministri Haradinaj, duke e parë që Mogherini po negocionte një marrëveshje jotransparente, do të merrte një vendim të papritur për të penguar procesin e kësaj marrëveshjeje.
Ai vendosi taksë 100% ndaj mallrave serbe, duke e hidhëruar Presidentin Vuçiq, i cili pezulloi menjëherë pjesëmarrjen e Serbisë në dialog.
Taksa u bë shkas i përplasjeve të shumta më pas, brenda dhe jashtë vendit.
Presione të pandalshme mbi Kryeminsitri Haradinaj për ta hequr taksën, akuza se po i prish marrëdhëniet me ndërkombëtarët, por ai ishte i palëkundur në vendimin e tij dhe duket se e dinte qartë se çfarë po bënte dhe ku donte të dilte.
Në fund të vitit 2018, Haradinaj kishte udhëtuar drejt Brukselit për t’u takuar me Mogherinin dhe Komisionerin e BE-së, Johannes Hahn.
Siç u kuptua muaj më pas, presioni i Mogherinit dhe Hahn kishte qenë i madh që Haradinaj ta heqë taksën ndaj mallrave serbe.
Kjo kishte bërë që konferenca e tyre e përbashkët, e paraparë të mbahej para gazetarëve të anulohej. Po ashtu, Haradinaj kishte qortuar dy zyrtarët e BE-së për bisedimet e fshehta mbi prekjen e kufijve të Kosovës.
“Më lejoni të them, si Kryeministër i Qeverisë së Kosovës, se unë fuqishëm e kundërshtoj idenë e ndarjes së Kosovës. Kjo do të shpie vetëm në tragjedi të reja në Ballkan. Kushdo që është duke folur për kufij, territore, apo çfarëdo korrigjimi të shtetit tim, është armiku ynë”, kishte thënë Haradinaj në BE.
Haradinaj kishte vlerësuar se procesi i normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë kishte arritur suksese minimale, dhe kishte dalë tërësisht nga binarët.
Duke e parë këtë situatë mosndjeshmërie ndaj Kosovës nga zyrtarë të BE-së, Haradinaj do të niste një betejë të re diplomatike, duke kërkuar tërheqjen e Mogherinit nga dialogu për shkak të qëllimeve të saj për një marrëveshje të dëmshme.
Po ashtu, Haradinaj, nisi ta kërkoj përfshirjen e SHBA-së në dialog, si mënyrë për ta shpëtuar vendin nga ndonjë marrëveshje eventuale ku do të prekeshin kufijtë.
Haradinaj më pas do ta akuzonte edhe Kryeministrin shqiptar Edi Rama për përfshirje në këtë çështje, duke thënë se e kishin kurdisur një marrëveshje të fshehtë me Presidentin serb.
Koha e dëshmoi që rreziku ishte real, ndonëse rreziku u evitua me përfshirjen e SHBA-së në dialog.