×
  • Sport
  • Sport / Insporti

    Si e stabilizoi “anijen e kuqe” trajneri Ismet Munishi pas fillimit jo të mirë në kampionat – rivalin e kryesor e konsideron vetë skuadrën e tij

    Insajderi
    02 December 2021 - 11:52
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    SC Gjilani është ndër skuadrat me paraqitjen më të mirë këtë sezon në BKT Superligën e Kosovës. E nisën kampionatin me vështirësi por trajneri me përvojë Ismet Munishi arriti ta stabilizojnë “anijen e kuqe” dhe tani është ndër favoritët kryesor për titullin kampion, shkruan Insporti.com.

    Skuadra nga Gjilanit e nisi kampionatin jo edhe aq mirë, për shkak të problemeve me lëndime  të futbollistëve dhe formës jo të mirë të disa futbollistëve kryesor të skuadrës.

    Megjithatë, trajneri Ismet Munishi tejkaloi të gjitha sfidat duke fituar edhe dy ndeshjet derbi me rivalin e qytetit FC Drita, që e kanë stabilizuar skuadrën e tij në tabelë.

    “Insporti” ka zhvilluar një intervistë me Munishin në lidhje me ecurinë e skuadrës deri më tani në kampionat.

    Ai ka folur për problemet me lëndime të futbollistëve, mungesën e golave të Blerim Krasniqit dhe menaxhimin e dy yjeve Elton Cale dhe Augustin Torassa.

    SC Gjilani pas 16 xhirove në BKT Superligë renditet në vendin e dytë me 29 pikë, një më pak se sa Ballkani që renditet në vendin e parë.

    Ndeshjen e radhës “Skifterat” do ta zhvillojë në fundjavë kundër Malishevës në Gjilan, skuadër të cilën në ndeshjen e parë e kanë mposhtur.

    Skuadra kuq e bardhë ka arritur shtatë fitore, tetë barazime dhe vetëm një humbje në këtë sezon.

    Ndërsa, në Kupën e Kosovës është kualifikuar në rrethin e katër pas fitores si mysafir ndaj FC A&N me rezultat 0:1.

    Më poshtë mund të lexoni intervistën me trajnerin Ismet Munishi:

    “Insporti”: E niset sezonin me disa vështirësi. Pse mendoni se ishte ajo forma jo stabile në fillim të sezonit?

    Munishi: “Në skuadër kanë ardhur futbollistë të ri dhe normalisht se koha është e nevojshme për ambientimin e tyre. Kemi pasur probleme me lëndime dhe disa futbollistë na janë bashkuar më vonë në fazën përgatitore. Pastaj mund të themi se edhe skuadrat janë mbrojtur mirë ndaj nesh, gjithmonë duke na respektuar si skuadër e fortë dhe kjo ndoshta ka ndikuar edhe për mos efikasitetin e mirë në xhirot e para të kampionatit”.

    “Insporti”: Analistë të ndryshëm dhe tifozët ju kritikonin për mos përdorimin e dyshes Cale dhe Torassa. Tani këta dy janë në formë, si ia dolët t’i riktheni në formë dhe pse nuk luanin në fillim?

    Munishi: “Si fillim dua të them që dy futbollistët janë tejet të rëndësishëm për ne dhe kanë punuar mjaft mirë për të arritur formën optimale. Calen e kemi marrë të dëmtuar dhe kemi qenë te vetëdijshëm për gjendjen e tij, por kemi besuar shumë në kualitetet e tij. Torassa pësoi një lëndim në brinjë dhe na mungoi disa ndeshje, pra lëndimet ishin ato që i penalizuan dy futbollistët dhe jo diçka tjetër. Ne kemi besim maksimal te ta dhe presim që të na ndihmojnë shumë edhe në pranverë”.

    “Insporti”: Dy fitore në derbi me Dritën, a mendon se ju bën favoritë për titull?

    Munishi: “Fitoret në derbi janë motiv shtesë për të vazhduar rrugën në të cilën e kemi nisur. Normalisht se fitoret në derbi të rrisin entuziazmin dhe të shtojnë vetëbesimin. Fitoret në derbi janë edhe për tifozët që nuk reshtën së na mbështeturi në çfarëdo situata”.

    “Insporti”: Blerim Krasniqi vetëm një gol në Superligë, a do transferoni sulmues ‘9’ në afatin kalimtar të janarit?

    Munishi: “Blerim Krasniqi është gjithashtu një futbollistë për të cilin kemi insistuar shumë. E kemi ditur stilin e tij të lojës dhe për ne ka qenë mjaft produktiv. Nuk ka shënuar aq sa është pritur, mirëpo ka asistuar pesë herë për bashkëlojtarët, duke llogaritur edhe penaltitë e fituara dhe u ka shkaktuar shumë telashe kundërshtarëve tanë. Ne kemi bërë tash analizat tona dhe do mundohemi të intervenojmë në merkato. Do të shohim se ku do të përforcohemi, do të jetë një surprizë e bukur për të gjithë ju”.

    “Insporti”: Kë e shihni si rival kryesor për titull deri në fund të sezonit?

    Munishi: “Të gjithë skuadrat që janë në kreun e tabelës, dhe Prishtinën gjithashtu. Secila skuadër ka përparësitë e veta dhe mundësitë e veta për titullin kampion. Por, rival më të fortë do ta kemi vetën tonë, nëse ne do arrijmë të zbatojmë atë që po kërkojmë, ne në fund do jemi ata që do stolisemi me titullin kampion”.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark