×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    Si mund të rrëzohet një kryetar komune, sipas MAPL-së

    Insajderi
    30 August 2023 - 22:41
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), ka hartuar Udhëzim Administrativ për iniciativën e qytetarëve për largimin e kryetarit të komunës nga funksioni.

    Ky UA është hartuar për të rregulluar çështjen e largimit të kryetarëve të katër komunave veriore nga pozitat e tyre, kërkesë kjo e bashkësisë ndërkombëtare për shtensionimin e situatës në këtë pjesë të vendit.

    Kërkesa për largimin e tyre vjen pas dhunës që mbretëroi në veri të vendit në maj të këtij viti kur kryetarët e zgjedhur në zgjedhjet e parakohshme vendosën të shkojnë në zyrat e tyre për të ushtruar detyrat. Qytetarët e atjeshëm, bashkë me grupe të ndryshme që dyshohej se vinin nga Serbia, e të cilët ishin të armatosur me mjete të ndryshme, sulmuan forcat e KFOR-it, duke lënë rreth 90 pjesëtarë të lënduar.

    Veç KFOR-it, ata sulmuan edhe policinë e Kosovës, punonjësit e mediave që po raportonin nga atje, e edhe qytetarë të thjeshtë.

    Udhëzimi Administrativ përmban shtatë nene, e cili ka për qëllim “përcaktimin e procedurës së inicimit, organizimit dhe dorëzimit të iniciativave të qytetarëve për largimin e kryetarit të komunës nga funksioni”.

    Neni 4 i këtij UA flet për inicimin e kërkesës për largimin e kryetarit të komunës. Aty thuhet se inicimin e kërkesës mund ta bëjë vetëm një qytetar, mirëpo që kërkesa të jetë e shqyrtueshme, duhet të jetë e nënshkruar nga së paku 20% e votuesve të regjistruar.

    “Kryesuesi i kuvendit të komunës jo më vonë se tre (3) ditë pune nga pranimi i njoftimit nga personi përgjegjës, njofton personin përgjegjës me numrin e votuesve të regjistruar në atë komunë si dhe i përcjellë dokumentacionin përcjellës si dhe mban të informuar Ministrinë. Në rast se Kryesuesi i Kuvendit komunal nuk vepron brenda afatit të caktuar në paragrafin 4 të këtij neni, Ministria brenda dy (2) ditë pune njofton personin përgjegjës me numrin e votuesve të regjistruar në atë komunë si dhe i përcjellë dokumentacionin përcjellës. Komuna, përkatësisht Ministria, nga momenti i pranimit të kërkesës kërkon nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve numrin e votuesve të regjistruar për komunën përkatëse, mbi bazën e të cilit përllogaritet numri minimal i nevojshëm i nënshkrimeve prej njëzet (20%) për qind”, thuhet në UA.

    Tutje, në Nenin 5 jepen detaje për mbledhjen, dorëzimin dhe verifikimin e nënshkrimeve të qytetarëve, iniciues të kërkesës për largimin e kryetarit të komunës.

    Aty thuhet se iniciativa qytetare më së largu tridhjetë (30) ditë nga pajisja me dokumentacionin e nevojshëm, duhet të mbledhë numrin e kërkuar të nënshkrimeve.

    Ndërkaq, theksohet se nënshkrimet mblidhen në format fizik, mirëpo “për nevoja dhe lehtësim të administrimit, iniciativa qytetare mund të krijojë një regjistër elektronik të qytetarëve nënshkrues”.

    “Pas përfundimit të mbledhjes së nënshkrimeve, përfaqësuesi i autorizuar përmes nënshkrimit të të gjithë anëtarëve, në fund vërteton saktësinë e të dhënave të nënshkruesve. Iniciativa qytetare përgatitë dosjen e kërkesës me nënshkrime dhe ia dorëzon Kryesuesit të Kuvendit Komunal”.

    Në rastet kur pozita e Kryesuesit të Kuvendit është vakante, UA parasheh që dosja me nënshkrime t’i dorëzohet zëvendësuesit të pozitës.

    E pas pranimit të kërkesës me nënshkrime, kryesuesi i kuvendit komunal brenda pesë ditëve nga pranimi, kërkesën e dërgon në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

    Por, në rast se pas verifikimit të listës me nënshkrime evidentohen nënshkrime nga persona që nuk janë votues të regjistruar në komunën përkatëse, ata largohen nga lista e mbështetësve.

    “Nëse për shkak se konstatohet se nuk është arrit numri minimal prej 20% të votuesve të regjistruar, atëherë iniciativës qytetare i jepet mundësia e plotësimit të kërkesës me nënshkrime shtesë në afatin prej dhjetë (10) ditësh. Në rast se konstatohet se kërkesa është mbështetur nga së paku njëzet për qind (20%) e votuesve të regjistruar, organizohet votimi për largimin e kryetarit të komunës nga funksioni”, thuhet në Nenin 5 të këtij UA.

    Përgjegjëse për monitorimin dhe zbatimin e këtij Udhëzimi është Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal.

    Bashkimi Evropian dhe ShBA-ja kanë thënë se kryetarët shqiptarë të punojnë nga objekte alternative, por janë shprehur pro zgjedhjeve të reja në këto katër komuna, brenda këtij viti.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark