Përhapja e dezinformimit e ka bërë shumë më të vështirë kërkimin e lajmeve të besueshme.
Por kompanitë e teknologjisë po përpiqen të identifikojnë subjektivizmin në media për t’i ndihmuar lexuesit të dallojnë lajmet e vërteta nga ato të rreme.
Midis Google, Facebook, Twitter dhe mënyrave të tjera me të cilat amerikanët i marrin lajmet në internet, shumë njerëz përjetojnë mbingarkesë informacioni tani që po afrojnë zgjedhjet.
Por disa informacione jo patjetër janë të sakta dhe të vërteta.
“Tetë në çdo 10 amerikanë janë të shqetësuar se dezinformimi do të luajë rol në rezultatin e zgjedhjeve,” thotë John Sands i Fondacionit Knight.
Por, a janë në gjendje shumica e amerikanëve të zbulojnë dezinformimin?
“Ne shpresojmë që konsumatori i lajmeve të kuptojë vetë nëse një lajm është ose jo i vërtetë,” thotë Harleen Kaur e organizatës Ground News.
Kjo është arsyeja pse ajo dhe një koleg i saj themeluan këtë organizatë që ajo thotë se është platforma e parë në botë për krahasimin e lajmeve.
“Për shembull, nëse del një lajm rreth zgjedhjeve, ne ju tregojmë si e mbulojnë atë lajm mediat, nga e majta e skajshme tek e djathta e skajshme dhe njerëzit mund të bëjnë krahasimin,” thotë zonja Kaur.
“Me një klikim të vetëm, mund të kuptoni se cilat janë variantet e tjera me të cilat jepet ai lajm”, thotë ajo.
“Ne të gjithë jemi subjektivë në ato që dimë, për shkak të përvojës sonë të jetës,” thotë John Gable, bashkëthemelues i faqes AllSides.com, që vlerëson subjektivitetin në media dhe identifikon se kush qëndron majtas, djathtas dhe në qendër sa i përket qëndrimit që mban ndaj një ngjarjeje politike.
“Ne ju japim vështrimet e ndryshme. Pra, tre rezultatet e para të çdo kërkimi ju japin tre këndvështrime të ndryshme për të njëjtën temë,” thotë zoti Gable.
Studiues si Sameer Patil i Universitetit të Indianës kanë zbuluar se nëse e orienton sado pak lexuesin, kjo mund të ndihmojë në uljen e dezinformimit.
“Nuk ka nevojë për shumë fjalë, thjesht ta kujtosh lexuesin duke i thënë: ky lajm mund të jetë i diskutueshëm, ndoshta duhet të thelloheni pak,” thotë zoti Patil.
“Këto pak fjalë veprojnë si një kujtesë dhe e ulin dëshirën e njerëzve për ta ndarë atë lajm me të tjerët,” thotë ai.
Leximi i lajmeve kërkon pa dyshim një dozë skepticizmi.
“Thjesht duhet të pyesim veten: A mund të jetë ky lajm i vërtetë? Një reflektim i shkurtër mund të jetë i dobishëm,” thotë Patil.
Tani që zgjedhjet po afrojnë, por edhe pas tyre, kjo është ndoshta një mënyrë për të ndarë lajmet e vërteta nga ato të rreme.