Kur i vëreni simptomat e sulmit të panikut (dhimbje gjoksi, skuqje të lëkurës, rrahje të shpejta të zemrës dhe vështirësi në frymëmarrje), shumë lehtë do të mund të mendoni se do të vdisni, edhe pse kjo është larg nga e vërteta
Në vijim ju sjellim disa teknika përmes të cilave do të ballafaqoheni më lehtë me sulmet e panikut. Është shumë e rëndësishme që të mos jetoni në frikën e sulmit të ardhshëm të panikut, sepse kështu e dëmtoni ndjeshëm cilësinë e jetës.
Merrni shënime
Pasi të fillojë sulmi, filloni t’i shënoni të gjithë simptomat, por edhe mendimet tuaja. Kjo mund t’ju ndihmojë ta zhvilloni një këndvështrim krejtësisht të ndryshëm për sulmet e panikut.
Ankthi shumë lehtë mund të kalojë në sulm të panikut, të cilët janë vërtet të shpeshtë. Madje edhe vetë terapia përbëhet nga regjistrimi (shënimi) i të gjitha simptomave dhe situatave gjatë të cilave vjen deri tek sulmi.
Pranojeni sulmin
Njerëzit shpesh përpiqen të bëjnë gjithçka për ta ndaluar sulmin, por këtë nuk mund ta bëni. Nëse i kujtoni sulmet e kaluara, do t’ju kujtohet se secili prej tyre ka kaluar, edhe pse ai ishte i tmerrshëm për një kohë.
Më së miri do të ishte që, kur t’i vëreni simptomat, ta pranoni sulmin sepse, sado që kjo të jetë e vështirë dhe sfiduese, më lehtë do të ballafaqoheni me faktin se ndoshta do të mund ta përjetoni një tjetër sulm në të ardhmen e afërt.
Vetëm merrni frymë
Gulçimi është vetëm një rezultat i ankthit. Mund të ndiheni shumë më keq në qoftë se merrni frymë shpejt dhe shkurt. Filloni të merrni frymë nga barku. Le të jetë frymëmarrja juaj e thellë dhe e ngadalshme. Kur të fillojë sulmi, lironi shpatullat tuaja dhe përqendrohuni në marrje dhe nxjerrje të thellë të frymës.
Sa më thellë që merrni frymë, aq më lehtë do ta largoni mendjen nga sulmi. Madje mund ta vendosni dorën në stomak dhe gjoks që të fokusoheni plotësisht në frymëmarrjen tuaj.
Relaksohuni
Kjo është padyshim më e lehtë të thuhet se të bëhet. Pasi të ketë filluar sulmi i panikut, qëllimi juaj është që ai të përfundojë sa më shpejt të jetë e mundur që të mund të relaksoheni.
Mos prisni që të përfundojë sulmi i panikut, por përpiquni të relaksoheni menjëherë. Nëse ju duket se nuk do ta mbijetoni sulmin dhe se do të vdisni, mbyllni sytë, gjejeni një pozitë të rehatshme dhe imagjinojeni veten në një vend të rehatshëm.
Bisedoni me veten
Kur sulmi ndodh, thoni vetes se jeni ju ata të cilët e lejoni të ndodhë sulmi dhe se ju jeni ata që e dini se ai do të përfundojë. Duhet ta kuptoni se çfarë force ka mendja në trupin tuaj.
Sulmi i panikut mund t’ju bëjë të mendoni se do të alivanoseni, por kjo nuk do të ndodhë për shkak se niveli i tensionit të gjakut gjatë sulmit të panikut nuk bie.
Kthehuni në të tashmen
Pa marrë parasysh se sa e vështirë është, ju duhet të jetoni në të tashmen. Lejoni që ankthi t’ju rrëmbejë për një çast, por përpiquni që çdo herë ta merrni kontrollin mbi të gjithnjë e më shpejtë. Atëherë do ta kuptoni më mirë se si funksionojnë sulmet e panikut.
Mos jetoni në të kaluarën, dhe as mos mendoni shumë për të ardhmen, sepse stresi do t’ju rrëmbejë plotësisht. Për shëndetin tuaj emocional, fizik dhe mendor është jashtëzakonisht e rëndësishme të jetoni në të tashmen dhe të fokusoheni në të shumicën e kohës.