Sigal Prishtina ka fituar me lehtësi ndaj Vëllaznimit në elitën e basketbollit të Kosovës. Kryeqytetasit në palestrën “Shani Nushi” në Gjakovë fituan me rezultatin 86:51 në kuadër të xhiros së 24-t.
Skuadra gjakovare mbetet pa fitore prej xhiros së 20-të, ndërsa “bardhekaltrit” në 15 ndeshjet e fundit, kanë vetëm një disfatë.
Shkpëutja e madhe në rezultat u bë që në çerekun e parë, të cilin mysafirët e fituan me rezultatin 38:7.
Nate Grimes me 17 pikë, gjashtë kërcime e dy asistime, ishte më i dalluari te skuadra e Prishtinës, ndërsa kontribut të madh në fitore dha edhe Jan Palokaj që pati nëntë pikë të realizuara, 11 kërcime e gjashtë asistime. Pesë lojtarë të Prishtinës patën pikë dyshifrore në këtë ballafaqim.
Ndërkohë, te skuadra e Vëllaznimit, vetëm tre lojtarë ishin me pikë dyshifrore. Devin Johnson ishte më i dalluari me 13 pikë e katër kërcime, por që nuk mjaftuan për ta shmangur disfatën e 16-të të sezonit.
Prishtina është lidere në tabelë me 18 fitore e gjashtë disfata dhe ka 42 pikë gjithsej. Vëllaznimi, që ka tetë fitore sivjet, zë pozitën e gjashtë me 32 pikë.