×
  • Sport
  • Sport

    Silvinjo: Dua të falënderoj të gjithë shqiptarët që na mbështetën

    Insajderi
    19 November 2023 - 19:30
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Shqipëria do të luajë nesër ndeshjen e fundit në këtë edicion kualifikues ndaj Ishujve Faroe.

    Trajneri Silvinjo dhe  Keidi Bare dolën ditën e sotme përpara mediave në konferencën zyrtare.

    Trajneri  Silvinjo u shpreh se ka mbetur edhe një objektiv tjetër për t’u arritur, vendi i parë në Grupin E.

    Tekniku i Kombëtares shqiptare deklaroi se ditën e nesërme do të ketë disa ndryshime në formacion, por synimi mbetet vetëm fitorja.

    “Vijmë në këtë sfidë në kushte shumë të mira. Dua të falënderoj të gjithë shqiptarët dhe tifozët që na kanë mbështetur dhe kemi arritur këtu. Është një ëndërr shumë e bukur. Arritëm kualifikimin në Moldavi, festuam atje me tifozët. Tani që jemi kthyer këtu mendojmë vetëm për ndeshjen me Ishujt Faroe sepse është një ndeshje e vështirë, me lojtarë të gjatë, që janë të aftë në luftën në ajër dhe mbrohen shumë mirë. Objektivi ynë i dytë është të arrijmë vendin e parë në grup pasi do të ishte bukur që ne në short të kishim një pozicion tjetër në shortin që do të hidhet në dhjetor. Duhet të bëjmë një paraqitje sa më të mirë dhe ta mbyllim sa më mirë këtë edicion”, ka thënë Silvinjo.

    Trajneri brazilian u kthye të flasë edhe për paraqitjen në barazimin ndaj Moldavisë.

    “Në aspektin psikologjik ishte një ndeshje shumë e vështirë për t’u menaxhuar për lojtarët, duke parë rëndësinë e ndeshjes me Moldavinë. Ka qenë pak e vështirë të flinim të qetë përpara asaj sfide, por lojtarët e menaxhuan shumë mirë anën psikologjike dhe pjesën e ankthit. E morën lojën shumë mirë. 10 minutat e fundit ishin shumë të vështira. Unë në fjalorin tim nuk e njoh fare fjalën ‘relaks’. Nesër është një ndeshje e vështirë, kemi afërsisht 22 mijë tifozë të cilët do të vijnë të shohin këtë skuadër. Duan të shohin spektakël. I kemi fituar të treja ndeshjet në shtëpi falë mbështetjes së tifozëve. Ndërsa sa i përket Moldavisë, jemi të vetmit që i kemi mundur. Duam të shohim edhe gjendjen e skuadrës sonte dhe më pas te krijojmë një ide më të qartë për nesër”.

    Ai ka folur edhe për formacionin që do të vendos nesër ndaj Ishujve Faroe.

    “Patjetër që do të ketë ndonjë ndryshim, siç ka ndodhur në ndeshjet e fundit. Tifozët janë përgatitur për festë, por ne kemi një ndeshje për të luajtur dhe jemi të fokusuar. Është e vështirë të menaxhosh lojtarët në kaq pak ditë, të fusësh të njëjtën skuadër në fushë, të përdorësh të njëjtët lojtarë. Kemi vetëm një përgatitje të lehtë sot, për të përgatitur ndeshjen nesër dhe lojtarët nuk kanë shumë kohë për t’u rikuperuar. Është e vështirë të zhvillosh dy ndeshje në tre ditë dhe patjetër që do të ketë ndryshime”, tha më tej Silvinjo.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark