×
  • Lajme
  • Botë
  • Lajme / Botë

    Siri, persona të armatosur hyjnë në spitalin ku ndodhet foshnja që lindi nën rrënojat e tërmetit

    Insajderi
    14 February 2023 - 21:41
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Persona të armatosur hynë me forcë në një spital në Siri, ku po trajtohet një foshnje, e cila lindi nën rrënojat e shtëpisë së saj të shkatërruar nga tërmeti. Një zyrtar tha të martën se ata kishin rrahur drejtorin e spitalit, por nuk kishin si qëllim që të rrëmbenin vajzën e vogël, ashtu sikurse u raportua nga disa media.

    Foshnja, me emrin Aya, që në arabisht do të thotë “një shenjë nga Zoti” u shtrua në spital disa orë pas tërmetit të 6 shkurtit që goditi Turqinë dhe Sirinë. E gjithë familja e saj prindërit dhe katër vëllezërit e motrat nuk arritën të mbijetojnë.

    Historia e Aya-s ka marrë një vëmendje të madhe mediatike e shumë njerëz anembanë botës kanë ofruar ndihmë për të.

    Zyrtari, i cili foli në kushte anonimiteti nga frika e ndonjë hakmarrjeje, tha se drejtori i spitalit kishte dyshuar se një infermier, i cili po fotografonte Aya-n, po planifikonte rrëmbimin e saj, ndaj dhe e dëboi nga spitali. Disa orë më vonë, infermieri, shoqëruar nga persona të armatosur, u rikthye në objekt, e rrahën drejtorin e spitalit.

    Sipas një mjeku të spitalit, personat e armatosur u kishin thënë oficerëve të policisë që të mbronin vajzën duke sqaruar se ata nuk kishin ardhur për të, por për drejtorin që kishte pushuar nga puna një mikun e tyre.

    Mjeku tha se policia po ruante foshnjen edhe pasi disa persona ishin shfaqur duke mashtruar se ishin të afërm të saj.

    Prej momentit që u gjet nën rrënoja, Aya po ushqehet me gji nga bashkëshortja e drejtorit të spitalit.

    Sipas xhaxhait të Aya-s, Saleh al-Badran, vogëlushja mund të dalë nga spitali sot ose brenda ditës së mërkurë. Ai tha se për të do të kujdeset halla e saj.

    Vogëlushja, me flokë të zinj, u gjet nën rrënojat e shtëpisë së saj pesëkatëshe në qytetin verior të Sirisë, Jinderis, nga ekipet e kërkim-shpëtimit, më shumë se 10 orë pas tërmetit.

    Foshnja u gjet ndërsa ishte ende e lidhur me kordon me kërthizës e nënës e saj, Afraa Abu Hadiya. Prej atij momenti, ajo po merr kujdes shëndetësor në spitalin e Afrinit./VOA

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark