×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    Ish-këshilltari i Pecit ende merr pagë ani pse u shkarkua dy muaj më parë

    Insajderi
    06 April 2023 - 23:28

    Enis Osmani, i cili ishte këshilltar politik i ministrit Faton Peci në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, ende po merr pagë, megjithëse ishte shkarkuar nga detyra para dy muajve, raporton T7.

    Osmani ishte shpallur fajtor nga Gjykata e Mitrovicës për veprën penale të falsifikimit të rezultateve të votimit.

    Vendimi për shkarkim të Enis Osmanit ishte marrë nga ministri Peci pasi ishte dënuar nga gjykata dhe kjo ngjarje kishte ndodhur para dy muajve. Megjithatë, dokumentet e siguruara nga televizioni tregojnë se ai ende figuron në listën e pagave të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, si dhe ka marrë pagë në vlerë mbi 800 euro në muajin mars.

    Televizioni ka tentuar të kontaktojë Osmanin për të marrë një sqarim për këtë situatë, por ai nuk është treguar i qasshëm. Po ashtu, kabineti i ministrit Peci nuk ka dhënë shpjegime të qarta në lidhje me këtë çështje.

    Në bazë të ligjit të punës në Kosovë, punëdhënësi është i detyruar të paguajë pagën e punonjësit deri në ditën e ndërprerjes së marrëdhënies së punës.

    Osmani ishte dënuar me 1 mijë e 500 euro gjobë pasi pranoi fajësinë për falsifikim të rezultateve të votimit.

    Aktgjykimi ndaj të akuzuarit Osmani ishte shpallur në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, nga gjyqtari Rrahman Beqiri.

    I akuzuari Osmani fillimisht është dënuar me gjashtë muaj burgim, por me pëlqimin e tij dhe të mbrojtësit të tij, Sabit Pllana, dënimi me burg është zëvendësuar me gjobë prej 1.500 euro, në përputhje me nenin 44 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.
    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark