×
  • Lajme
  • Hulumtime
  • Hulumtime/Analiza / Hulumtime

    Skandali i Prishtinës së Ramës – Dyshime të forta për kurdisje të tenderit për dy vëllezërit biznesmenë

    Insajderi
    06 January 2024 - 20:23
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.
    Shkruan: - Verona Smajli

    Kërkesa të refuzuara, ankesa e me vendime për pezullim të aktivitetit të prokurimit u karakterizua tenderi për “Furnizimi me pelet” i dhënë nga Komuna e Prishtinës në shtator të 2023’ës. Kompania ‘DHF Company SH.P.K” në pronësi të Hysen Jusaj u rekomandua dy herë për këtë tender, pavarësisht vendimit për anulim nga OSHP. Pasi u anulua edhe vendimi i dytë, komuna e përzgjodhi fitues “Bek Fluids” në pronësi të Hysni Jusaj. Asnjëra nga kompanitë nuk kanë primare në aktivitetin e tyre furnizimin me pelet. Insajderi mëson se dy biznesmenët në fjalë janë vëllezër.

    Në shtator të vitit që lam pas, Komuna e Prishtinës kishte shpërblyer me tender për ‘furnizim me pelet‘ kompaninë “DHF Company SH.P.K“. Vlera e kësaj kontrate 237 mijë e 744 euro.

    Për këtë tenderi garuan gjithsej 12 operatorë ekonomik. “DHF Company SH.P.K” kishte ofertën më të lirë. Kundër vendimit të komunës dolën disa kompani të cilat nuk u përzgjodhën për tenderin në fjalë.

    Operatorët ekonomik “Rron 2019” dhe “Kiga Sh.P.K & Liki Group Sh.P.K”, kishin dërguar kërkesë për rishqyrtim në Komunën e Prishtinës. Por, që u refuzuan si të pabazuar nga sektori i prokurimit.

    Ankesat shkuan në Organin Shqyrtues të Prokurimit. Sipas Operatorit ekonomik “Rron 2019”, kompania fituese nuk ka ofruar dëshmi për qarkullimin bankar në tri vitet e fundit dhe se shërbimet që ofron ‘DHF Company’ nuk janë të ngjashme me shërbimet me pelet.

    Zyrtari Përgjegjës i Prokurimit në Komunën e Prishtinës ka marr vendim për ta shpërblyer me kontratë eliminimin e OF DHF Company në kundërshtim me kërkesat e ‘LPP dhe Dosjes se tenderit, pa ofruar dëshmi të konfirmuara për qarkullimin bankar te tij në tri vitet e fundit. Pra dyshimi ynë është se OE DHF Company nuk ka qarkullim siç është kërkuar në dosjen e tenderit sepse se ai ka ofruar vetëm referenca nga OE në sektorin privat dhe jo dëshmi tjera që evidentojnë livrimin e tij. Ne po ashtu pretendojmë se edhe natyra në të cilin ka ofruar qarkullim OE DHF Company nuk është e ngjashme me natyrën e Aktivitetit te prokurimit “Furnizim me Pelet”, thuhet në ankesë.

    Pas ankesës së mësipërme, OSHP ka dal me ekspertizë, në të cilën thuhet se lista e furnizimeve që ka prezantuar operatori ekonomik fitues ka titujt e kontratave, datat, muajt dhe referencat me të gjithë kontraktuesit të njëjta.

    Organi Shqyrtues i Prokurimit kërkoi të anulohet vendimi i kuvendit komunal të Prishtinës dhe aktiviteti i prokurimit të kthehet në rivlerësim.

    Pas vendimit të OSHP’së, Komuna e Prishtinës me 28 shtator mori vendim për pezullimin e tenderit ‘furnizim me pelet’.

    Pas kthimit të lëndës në rivlerësim, komuna me datë 16 nëntor 2023 ka rekomanduar përsëri OE “DHF Company” për tenderin “furnizim me pelet”. Edhe kësaj here me çmimin më të ulët të ofruar.

    Edhe këtë herë 12 operatorë ekonomik aplikuan për tenderin në fjalë.

    DHF Company SH.P.K. është në pronësi të Hysen Jusaj. Kështu bëhet e ditur nga Agjencia e Regjistrimit të Bizneseve në Kosovë.

    Aktiviteti kryesor i “DHF Company” sipas ARBK’së është ‘tregtia me pakicë e karburantit për automjete në dyqane të specializuar’.

    ‘Peleti’ nuk përmendet askund në aktivitetet e kësaj kompanie.

    Ndërkaq, aktivitete sekondare janë tregtia me shumicë e lëndëve djegëse të ngurta, të lëngëta ose të gazta dhe produkteve të lidhur me to, tregtia me shumicë jo e specializuar, aktivitete e paketimit dhe disa të tjera.

    Por, që i njëjti u pezullua me datë 4 dhjetor, pas ankesave të operatorit ekonomik “Gëzime S.Gashi” B.I në OSHP dhe pas vendimit të këtyre të fundit.

    Me 5 dhjetor 2023, Komuna e Prishtinës ia dha tenderin për “furnizim me pelet” kompanisë ‘Bek Fluids L.L.C’.

    Vlera e kontratës është 174,850.00 euro. Në dokumentin e publikuar nga komuna, thuhet se kjo ofertë ishte më e lira.

    Pronar i ‘Bek Fluids L.L.C’ është Hysni Jusaj. Kështu thuhet edhe në ARBK.

    Insajderi ka mësuar nga burimet se pronarët e këtyre dy kompanive Hysni Jusaj dhe Hysen Jusaj janë vëllezër.

    Në të dhënat e publikuara nga Agjenca e Regjistrimit të Bizneseve në Kosovë për ‘Bek Fluids’ nuk është e përmendur askund ‘peleti’. Aktiviteti kryesor i kësaj kompanie është prodhimi sapunëve, detergjenteve.

    Kurse, aktivitete sekondar është prodhimi i produkteve të plastikës, pijeve freskuese, prodhimi i produkteve të duhanit dhe disa të tjera.

    Gazeta Insajderi ka kontaktuar dy kompanitë e mësipërme, por, të njëjtit kanë qenë të paqasshëm./Insajderi.org

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark