×
  • Hulumtime/Analiza
  • Hulumtime/Analiza

    Skandaloze | Kosovarët detyrohen të shkojnë jashtë vendit, në Radiologji bllokohet për dy vite shërbimi i shtrenjtë ‘heqja e gjakut në tru”

    Insajderi
    15 September 2023 - 15:03
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Në dhjetor të vitit të kaluar kosovarja G.G kishte përfunduar për trajtim në kryeqytetin shqiptar në Tiranë. Familjes së saj iu deshtë të shpenzonte afro 40 mijë euro për largim të gjakut në tru. E kjo është një procedurë që do të duhej të kryhej edhe në Kosovë. Sistemi publik shëndetësor i Kosovës që nga viti 2020 e ka në “meny” të shërbimeve edhe këtë ndërhyrje, por një hulumtim i Insajderit ka gjetur që tash e 18 muaj ky shërbim nuk iu ofrohet qytetarëve.

    Mbi gjysmë milioni u investua për “Stroke Center”, por menaxhmenti i Klinikës së Radiologjisë nuk po arrinë që afro dy vite t’a funksionalizojë këtë njësi, dhe pacientët po detyrohen të kërkojnë trajtim jashtë vendi. I tillë është rasti i G.G për të cilin detaje ka dhënë vëllai i saj.

    Gati 40 mijë euro kanë shkuar për trajtimin e saj, ndërhyrja është dashtë me u kry në Tiranë. Këta të QKUK-së na thonin. Ne mundemi me bë DSA por tani ndërhyrjet nuk mundemi me e bë për shkak se nuk kemi aparatura”, ka thënë H.G.

    Madje ai shton për trajtimin e motrës financiarisht, siç e thotë ligji, nuk u ndihmuan as nga shteti. Të gjitha të hollat u dhanë nga vet ata si familje, përkundër vështirësive.

    Edhe sipas tyre për arsye se nëse bëhet njëherë DSA-ja duhet më bë ndërhyrjen qaty për qaty, gjë që ska ndodhe edhe në Tiranë, së pari e kanë DSA tani e kanë bë ndërhyrjen. Ndërhyrja është realizuar në dhjetor të vitit të kaluar. Të gjitha shpenzimet i kemi kryer vet, asgjë nuk na ka mbulu shteti. E kemi bë kërkesën për mbulueshmëri, por s’është marrë parasysh” , deklaroi ai.   

    Ndërkaq, në Klinikën e Radiologjisë në të kaluarën ishte kryer procedura e Trombektomisë mekanike (trombi-heqja e gjakut të mbledhur në tru), që është një pjesë e intervenimeve radiologjike që kryhen në “Stroke Center”. Të paktën siç merr vesh Insajderi, 8 raste të tilla janë kryer gjithsej.

    Madje rasti i parë i kryer nga në 2020-ën ishte bërë edhe mediatik. Për herë të parë në Kosovë ishte kryer procedura e Trombektomisë mekanike në arteriet e trurit. Por, çka ndodhi më tutje?

    Nga inatet personale po e pësojnë pacientët

    Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës në vitin 2019, ka paguar 30 mijë euro që një ekip e mjekëve të specializohen, të perfeksionohen në kryerjen e kësaj procedure. Ndër këta mjekë, figuron emri i radiologëve, Bujar Gjikolli dhe Arben Kutllovci.

    Bujar Gjikolli, sa e kishte postin e drejtorit të Radiologjisë kishte kryer intervenime të tilla. Rasti i parë ishte kryer edhe nën asistim të radiologut, Arben Kutllovci, dhe mjekëve tjerë që i shpëtuan jetën një një 62 vjeçar, pas realizimit të Trombektomisë mekanike.

    Por, pas dy viteve, kur në krye të Radiologjisë erdhi drejtoresha Shkëndije Nuza, gjërat siç mëson Insajderi nga burimet e veta ndryshuan. Puna në këtë njësi u ndalua, ani pse Arben Kutllovci u emërua, Shef i Radiologjisë Intervente.

    Gazeta Insajderi ka kërkuar përgjigje nga drejtoresha, Shkëndije Nuza e nga mjekët Bujar Gjikolli e Arben Kutllovci, pra, për të kuptuar se përse nuk po kryhet më Trombektomi Mekanike.  

    Radiologu Gjikolli ka refuzuar të flas.

    Drejtoresha Nuza ka kërkuar që këto përgjigje t’i marrim nga Klinika e Neurologjisë. Rrjedhimisht, Nuza i ka ikur përgjigjeve për klinikën e saj.

    Kur është pyetur nëse Stroke Centër është duke funksionuar, ajo është përgjigjur “Nëse mendoni për një shërbim në Klinikën e Neurologjisë që merret me trombolizë intravenoze, me sa di unë, funksionon (informatën më të saktë e merrni tek kolegët në Klinikën e Neurologjisë). Poashtu funksionon edhe aspekti diagnostik imazherik i kësaj patologjie”, tha ajo derisa përgjigja kërkohej për Klinikën me të cilën ajo udhëheq, pra Radiologjinë.

    Gjithsesi, Gazeta Insajderi ka kërkuar përgjigje edhe nga drejtori i Klinikës së Neurologjisë, Edmon Komoni, për të parë se a kryhet në këtë klinikë stroku.

    Stroku trajtohet në dy mënyra, në mënyrë intravenoze, të cilën jemi duke e bë dhe tjetra është me trombektomi, për të cilën informatën mundesh me marrë prej drejtoreshës, Shkendije Nuza“, u shpreh drejtori.

    Pjesën e Neurologjisë, sepse ne jemi përgjegjës vetëm për këtë, pjesën e trombolizës intravenoze… ajo është duke vazhdu kurdo që ka pacientë që vjen. Të funden herë e kam bërë para 5-6 dite. Ne jemi në rregull sa i përket trajtimit të strokut me trombolizë dmth me trajtim intravenoz”, tha Komoni në përgjigjën dhënë për Insajderin.

    Derisa drejtori i Neurologjisë tregoi për rastin e fundit se kur është kryer “trajtimi intravenoz”, Shefi i Radiologjisë Intervente, Arben Kutllovci ka refuzuar të jap një përgjigje të detajuar.

    Kryhen 300% raste më shumë se çka janë kryer më herët”, ka qenë përgjigja e tij derisa ka hezituar të jep përgjigje, për të treguar më specifikisht se kur është kryer të paktën rasti i fundit me Trombektomi.

    Në anën tjetër, statistika të sakta se sa raste janë kryer nuk ka dhënë as drejtoresha përkundër insistimit të Gazetës.

    E pyetur për arsyen se pse “Stroke Center” nuk funksionon, përkatësisht se a është problem tek materialet apo tek faktori njeri.

    Nuza tha “Personalisht besoj që faktori njeri është ajo pjesë e zhvillimit të kësaj qendre në të cilën duhet të fokusohemi shumë. Dhe (po flas nga aspekti i Klinikës së Radiologjisë), kjo e nënkupton involvimin e një numri më të madhë të radiologëve që do mbulon orarin e pandërprerë të punës dhe që do të jetë i trajnuar në mënyrë specifike për këtë problematikë specifike. Kjo kërkon kohë dhe përkrahje edhe nga institucionet më të larta (si për punësimin e radiologëve të rinj, poashtu edhe për trajnimin e tyre)”.

    Drejtoresha ka konfirmuar se puna e strokut ishte ndaluar “përkohësisht”. Ajo dha arsyetimin përse por nuk specifikoi periudhën. Nuk tha nëse ende po vazhdohet kështu.

    Puna në trombektomi mekanike (qe eshte vetem nje pjese e punës në Stroke Center) dhe në të cilën ka qenë i trajnuar Dr Bujar Gjikolli përkohësisht është ndërprerë për shkak të pushimit të gjatë mjekësor postoperativ dhe për shkak të lëndimit në punë”, u shpreh Nuza për Insajderin.

    Ajo konfirmoi se në të kaluarën ishin kryer disa raste, por nuk tha asgjë për rastet sa ajo tani po udhëheq me Radiologjinë, duke lënë dyshime se ky proces është ndaluar tërësisht.

    Nëse s’kam harruar, janë kryer 6-7 intervenime endovaskulare të suksesshme me qëllim trombektominë  brenda periudhës 2-vjeçare. Mund të informoheni në Klinikën e Neurologjisë se sa raste me “stroke” janë regjistruar në këtë periudhë”, u shpreh ajo.

    Pajisjet janë, duhet veç funksionalizim i tyre

    Shemsedin Dreshaj, anëtar i Komisioni për Shëndetësi në Kuvendin e Kosovës ka folur disa herë për Stroke Center. Ai ka konfirmuar se pajisjet janë.

     Dreshaj ka hedhur dyshimet se problemi që nuk kryhen ndërhyrje të tilla qënderon tek faktori njeri e menaxherial.

    Pajisjet janë, presioni duhet të bëhet që ato të funksionalizohen dhe problemi është që nuk janë duke funksionuar tash. Unë këtë problem e kam ngritur kur ka qenë Rifat Lafiti, ministër prej atëherë unë kam kërkuar funksionalizimin e Stroke Center”.

    Pra, e rëndësishme është të dihet se pajisjet janë, mjekët janë ndërsa nuk është duke funksionuar Stroke Center, pra pyetja është përse nuk punohet. Unë mendoj që është faktori njeri dhe faktori menaxherial. Derisa po promovohej se është rritur qind për qind buxheti, janë duke e bë namin, ndërkohë gjërat nuk funksionojnë”, ka thënë Shemsedin Dreshaj për Insajderin.

    Derisa momentalisht në Radiologji ka mungesë të mjekëve për që dinë ta kryejnë procedurën e trombektomisë mekanike, drejtoresha Nuza ka thënë se “Për momentin janë dy kolegë radiolog që trajnohen në Turqi për trajtimin e aspektit endovaskular të trajtimit”.

    Insajderi ka më shumë se një muaj që ka përcjell pyetje edhe në adresë të SHSKUK por edhe të Ministrisë së Shëndetësisë, për të mësuar saktë numri e personave që është dashur të trajtohen jashtë vendit në mungesë të kryerjes së intervenimit në tru. Dhe, sa po i kushton kjo në total buxhetit të shtetit, por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.

    Ndërkaq, nga Fondi për Sigurime Shëndetësorë konfirmuan se për rastet e sulmit në tru “Sa i përket mbulueshmërisë financiare nga Fondi, vlera maksimale e përkrahjes financiare është  30,000.00€, derisa nuk dhanë shifra se sa persona kanë kërkuar trajtim jashtë shtetit.

    Çka është Stroke Center?

    “Stroke Center” është një projekt nacional i cili daton qysh para 10 viteve. Në këtë projekt janë të përfshira disa Klinika dhe institucione; Klinika e Radiologjisë, Neurologjisë, administrata e lartë menaxheriale e QKUK si dhe Ministria e Shëndetësisë.

    Në këtë qendër duhet të ekzistoj një ekipe që punon 24 orë/7 ditë por kjo nuk po ndodhë, të paktën për trombektominë mekanike në Klinikën e Radiologjisë, tash e dy vite, puna është ndalur.

    /GazetaInsajderi  

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark