Naser Hafizit iu është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh. Pëveç veprës penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare, ai nga organi akuzues po hetohet edhe si i dyshuar për shpëlarje parash. Në dosjen e Prokurorisë përshkruhet se si ai dyshohet të ketë futur shuma të mëdha të parave kesh nëpër llogari bankare të tij dhe familjarëve, si dhe i kishte prezantuar si dhurata, kursime e huazime. Në emër të Hafizit figuron edhe një biznes, të cilin ai besohet ta ketë shuar para dy vitesh.
D.P.H. “Perfect” quhej emri tregtar i biznesit individual me të cilin operonte biznesi i zyrtarit të ministrisë së MMPHI’së, që nga 2009-a, raporton Insajderi.
Hafizi e shpalli pasiv më 9 qershor të 2022-ës. Biznesi, në bazë të të dhënave publike, gjendej në lagjen ‘Dardania’ në Prishtinë.
Aty thuhej se numri i punëtorëve në këtë biznes është dy, teksa Hafizi figuron si aksionari i vetëm i biznesit.
Aktiviteti kryesor i këtij biznesi thuhej të ishte kryerja e aktiviteteve shërbyese të pijeve dhe furnizimi me ushqim me porosi për raste.
Zyrtari tashmë i arrestuar nën dyshimin e një sërë veprash penale nuk e kishte deklaruar as më 2022-ën këtë biznes pranë Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit (APK).
Insajderi ka hulumtuar aktivitetin e këtij biznesi nëpër rrjete sociale, mirëpo s’ka arritur të gjejë asgjë për të. Për këtë biznes s’është deklaruar kurrë publikisht Hafizi, e as s’ka shpërndarë ndonjë postim promovues për të, përpara se ta shpallte të shuar.
Skema e pastrimit të parave nga Hafizi
Në bazë të dosjes së Prokurorisë, Hafizi po dyshohet se me qëllim të fshehjes së aktivitetit të paligjshëm ka futur para kesh nga viti 2018 deri më 2024. Çdohërë sipas Prokurorisë, ai dyshohet që në vitin 2022 ka deponuar 109 mijë euro dhe më 2023-ën 51 mijë euro.
“Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri Naser Hafizi duke e ditur se pasuria e tij buron nga aktiviteti i paligjshëm dhe është e fituar me kryerjen e veprës penale, me qëllim të fshehjes së këtij aktiviteti dhe burimit të vërtetë të pasurisë të hollat – parat nga keshi i ka futur në sistemin bankarë me qëllim që këto para të kundërligjshme të duken si të ligjshme ashtu që ka bërë deponime përmes sistemit ATM në llogarinë bankare në PCB me numër të llogarisë.., ku nga viti 2018-2024, ka deponuar 109,370.00 euro, ashtu që në vitin 2022 i ka deponuar në kesh 31,640.00, ndërsa në vitin 2023 i ka deponuar 51,070.00 euro, si dhe shuma te tjera në vite të ndryshme”, thuhet në dosjen e Prokurorisë,
Prokuroria thotë se Hafizi ka bërë deponime përmes llogarive bankare të familjarëve të tij, kinse si kursim, huazim apo dhuratë nga personat tjerë një pjesë të huazimeve i ka kthyer në kesh edhe pse i ka marr me transferim bankar, pastaj e ka kryer shtresimin – fshehjen e origjinës se tyre përmes transfereve bankare.
Të hyrat mujore të të pandehurit janë 732 euro, nga bashkëshortja ka të hyra mujore janë 540 euro, të cilat Prokuroria tha se mund të arsyetojnë pasurinë e krijuar nga ai.
Hafizi po ashtu, sipas Prokurorisë, nuk ka deklaruar edhe banesën në ‘Bill Klinton’ më 2020-ën dhe një banesë në Fushë Kosovë s’e ka të deklaruar më 2023-ën. /Insajderi.org/