×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    S’marrim pjesë në zgjedhjet parlamentare në Maqedoninë e Veriut, thotë Kurti nga Shkupi

    Insajderi
    22 January 2024 - 16:39
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha nga Shkupi se Lëvizja Vetëvendosje “nuk është e regjistruar në Maqedoninë e Veriut”.

    Mbështetjen për partitë opozitare shqiptare në shtetin fqinj, Kurti e komentoi nga Shkupi duke thënë se partia e tij nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare atje që mbahen më 8 maj.

    “Lëvizja Vetëvendosje nuk është e regjistruar në Maqedoninë e Veriut. Ne kemi aktivistë, kemi edhe zyrtarë të subjektit tonë politik në Kosovë që vijnë nga Maqedonia e Veriut, mirëpo këtu nuk kemi qendër të Vetëvendosjes formalisht të regjistruar, andaj edhe ne si Lëvizje Vetëvendosje nuk është se marrim pjesë këtu”, deklaroi Kurti.

    I pyetur nëse partitë politike shqiptare duhet të kenë kandidat të tyre për president në Maqedoninë e Veriut, Kurti tha se për këtë duhet të vendosin qytetarët por edhe vetë partitë politike.

    “Unë dëshiroj që të ketë pjesëmarrje sa ma të lartë në zgjedhje, sepse kjo i kontribuon demokracisë. Ne e dimë që regjistrimi i fundit i popullsisë, përfshirë edhe mërgatën, i ka nxjerrë shqiptarët në Maqedoninë e Veriut me një përqindje prej 29%, nëse nuk gaboj dhe natyrisht që duhet të vendosin ata vetë se a do të ketë kandidat dhe kush do të jetë ai ose ajo”, theksoi Kurti.

    Para pak javësh, partitë opozitare shqiptare njoftuan se Lëvizja Vetëvendosje i ishte bashkuar koalicionit, ndërsa nga partia e Kurtit s’e kishin mohuar këtë. Krerët e shtetit dhe kryetari i partisë më të madhe të shqiptarëve, BDI-së në pushtet, Ali Ahmeti, s’e kishin pritur fort mirë këtë lajm.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark