Skuadra e Malishevës e zhvillon nesër një përballje shumë të vështirë, por edhe shumë të rëndësishme ndaj Dritës.
Malisheva është vetëm dy pikë larg zonës së rrezikshme që dërgon në Ligën e Parë, kurse Drita poashtu ka shumë nevojë për fitore, pasi që tashmë kryeson renditjen tabelare në Superligë.
Takimi në “Liman Gegaj” fillon në ora 13:00, me skuadrën vendase që vjen në këtë takim pas një ndeshje ‘maratonike’ ndaj Llapit në Kupën e Kosovës.
Trajneri Bylbyl Sokoli tha për ‘GazetaBlic Sport’ se do të jetë shumë e vështirë për ekipin e tij, kjo në saje të mungesave që ka dhe ndeshjes së gjatë të luajtur ndaj Llapit.
“Më duhet të pranoj se dy ditë më parë futbollistët luajtën për 120 minuta dhe tani vjen ndeshja ndaj liderit… Kemi mungesa, të lënduar janë Hazrollaj, Maliqi, Tolaj dhe Vitia. Do të jetë shumë e vështirë për ne“, tha fillimisht ai.
Më pas, ai komentoi edhe çështjen e mbijetesës në Superligë, ku tha se do të luftojnë deri në fund dhe se është optimist se do të sigurojnë qëndrimin.
“Është shumë e vështirë për ne, por nuk do të dorëzohemi. Lojtarët dhe kryesia e klubit po japin maksimumin, prandaj jam optimist që edhe në sezonin tjetër do të jemi pjesë e Superligës“, përfundoi Sokoli.