×
  • Lajme
  • Insajderi

    Sot dënohen për keqpërdorimin e 3 %-shit, dikur Naser Osmani dhe Atdhe Gashi e kishin mohuar tërheqjen e parave

    Insajderi
    11 November 2020 - 11:30
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Ish-deputeti Naser Osmani,  dhe vëllau i ish-ministrit, Dardan Gashi, Atdheu, janë dënuar më nga 3 vjet burgim nga Gjykata Themelore e Prishtinës pasi në bashkëveprim kanë keqpërdorur Fondin e 3 %-shit

    Vendimi është marrë sot, ndërsa Osmani dhe Gashi, në emër të dëmit të shkaktuar detyrohen t’ia kthejnë buxhetit të shtetit 154 mijë e 132 mijë euro, shkruan gazeta Insajderi.

    “Të akuzuarit N.O dhe A.G janë shpallur fajtor dhe janë dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej tre (3) viteve për secilin veç e veç, dënim të cilin të akuzuarit do ta mbajnë pas plotfuqishmërisë së  këtij Aktgjykimi”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

    Lexo edhe:

    Pesë vjet më parë, ish-këshilltari i Bujar Bukoshit, Atdhe Gashi, pati thënë se në fond ka punuar prej vitit 2000 deri në 2006. Pati thënë se prej vitit 2004 ka qenë i autorizuar prej bordit drejtues të Fondit për të shkuar në Bankën Private të Biznesit  për tërheqje të mjeteve për shpenzime të fondit.

    Ai pati thënë se tërheqja ishte bërë nga dy persona të autorizuar. Një kohë ka thënë se ka qenë i autorizuar Muhamet Shatri dhe ai. Pasi Muhamet Shatri kishte disa probleme familjare në Suedi dhe ishte larguar, bordi kishte autorizuar Naser Osmanin.

    “Në bankë kemi shkuar çdo fund muaji, kemi tërhequr mjete për këto shpenzime: paga, karburant, pagesa të rrymës, ujit, internetit dhe shpenzime tjera”, ka thënë Gashi për të shtuar se ka pasur rast kur kanë tërhequr para edhe për pagesën e biletave të anëtarëve të kuvendit të fondit.

    “Të gjitha këto janë tërhequr me autorizim të Bordit. Unë ia kam dhanë të gjitha raportet bordit. Mjetet janë tërhequr prej 2000 deri ne 7000 euro varësisht sa ka pasur nevojë”, pati sqaruar ai për Insajderin pesë vjet më parë.

    “Pra, unë personalisht nuk kom bo transfero nga jashtë Kosovës sepse nuk kam pasur të drejtë dhe se nuk kam qenë anëtar as i bordit, as i kuvendit. Kam qenë një punëtor i thjeshtë administrativ”, kishte insistuar Gashi. Ai pati thënë se tri herë janë vjedhur kompjuterët, derisa herën e katërt janë vjedhur edhe bllokat financiar dhe dokumentet personale të fondit.

    Shpjegim thuajse identik pati dhënë edhe Naser Osmani, i cili ka mohuar keqpërdorimet. Ai ka thënë se janë bërë shumë punë të mira me atë fond, sa që ka material për të shkruar libër. Edhe Osmani ka mohuar se ka pasur qasje në llogaritë bankare jashtë Kosovës.

    “Unë kam qenë në Kosovë gjatë gjithë kohës. Kam pasur qasje vetëm në llogarinë e Fondit në Bankën Private të Biznesit. Për llogaritë jashtë bisedoni me Bujar Bukoshin sepse ai ka pasur qasje dhe ai e di”, pati thënë Osmani për Insajderin.

    Fondi i Republikës së Kosovës ishte themeluar gjatë viteve të 90-ta për të ndihmuar popullin e Kosovës. Gjatë atyre viteve ishin paguar mësuesit dhe mjekët për punën e tyre. Gjatë luftës ky fond kishte financuar edhe luftën. Ndërkohë, pas luftës ishte përfshirë në aktivitete të rindërtimit siç është fshati Çabër, që ka kushtuar 5 milion e gjysmë euro për ndërtimin e 130 shtëpive, një shkolle dhe një ambulance./Gazeta Insajderi/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark