×
  • Lajme
  • Botë
  • Lajme / Botë

    ​Sot lansohet raketa që do ta kthejë njeriun në Hënë

    Insajderi
    29 August 2022 - 09:02

    Agjencia amerikane e hapësirës NASA do të lansojë sot në orbitë një nga raketat më të fuqishme të dërguara ndonjëherë, e cila do të bëjë një nga hapat më të rëndësishëm drejt arritjes së qëllimit të vendosur më parë – kthimin e njerëzve në Hënë deri në vitin 2025.

    Raketa do të lansohet nga Florida, pothuajse gjysmë shekulli pas “Apollo 17”, misioni i fundit i drejtuar në Hënë, i cili i dha fund aventurës së saj në satelitin e Tokës më 14 dhjetor 1972, pasi kaloi pak më shumë në të prej dy ditësh.

    “Këtë ditë e kemi pritur gjatë. Gjithçka është gati”, tha administratori i NASA-s, Robert Cabana për Guardian.

    Nëse nisja është e suksesshme, misioni do të zgjasë 42 ditë, do të fluturojë 2.1 milionë kilometra, do të orbitojë Hënën dhe do të bëjë dy fluturime vetëm 100 kilometra mbi sipërfaqen e saj.

    Agjencia Evropiane e Hapësirës (ESA) gjithashtu kontribuoi në mision. ESA ndihmoi në zhvillimin e kapsulës, e cila është përgjegjëse për fuqinë, kontrollin e qëndrimit dhe, më e rëndësishmja, furnizimin me oksigjen.

    “Falë misionit “Artemis 1″, Evropa po shkon në Hënë. Ky është një moment historik,” tha drejtori i përgjithshëm i ESA Joseph Eschbacher gjatë një konference për shtyp javën e kaluar.

    Kapsula me emrin “Orajon” nuk do të ketë ekuipazh gjatë këtij misioni. Në vend të kësaj, do të ketë kukulla për të testuar kostumet e reja hapësinore dhe nivelet e rrezatimit.

    Qëllimi i misionit “Artemis 1” është të testojë raketën e re “SLS” dhe të bëjë të gjitha përgatitjet për misionet e ardhshme.

    Raketa SLS ka katër motorë “RS-25” dhe prodhon një shtytje të pabesueshme 39 meganeëton, që është 15 për qind më shumë se raketa “Saturn 5” dhe që e bën atë gjithashtu raketën më të fuqishme të lëshuar ndonjëherë në hapësirë.

    Misioni i ardhshëm Artemis 2 është planifikuar për muajin maj 2024 dhe do të çojë katër astronautë në Hënë dhe mbrapa, pa u ulur në sipërfaqe.

    Më në fund, në vitin 2025, NASA planifikon të zbarkojë dy astronautë në sipërfaqen e Hënës, duke përfshirë gruan e parë, ndërsa dy astronautët e tjerë do të qëndrojnë në orbitën hënore në modulin e komandës.

    Do të jetë gjithashtu hera e parë pas misionit Apollo 17, në dhjetor 1972, që një njeri shkeli në Hënë.

    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.
    OP-ED
    Nga Rubrika
    Kosovë
    29 March 2024

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark