×
  • Lajme
  • Insajderi / Ballina 5

    Sot mbahen zgjedhjet parlamentare në Mal të Zi

    Insajderi
    11 June 2023 - 09:02
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Sondazhet dhe analistët kanë parashikuar se lëvizja centriste “Tani Evropa”, e prirë nga eksperti financiar Milojko Spajiq dhe presidenti aktual, Jakov Milatoviq, me shumë gjasë do të dalë e para, por pa ulëset e mjaftueshme në Parlament për ta formuar e vetme Qeverinë.

    Mali i Zi sot ( e dielë ) do t’i mbajë zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të cilat do të përcaktojnë nëse shteti i vogël ballkanik do të tejkalojë ndasitë e thella politike dhe jostabilitetin që ka ndalur vrullin për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

    Më shumë se 542 mijë votues do të kenë të drejtë të zgjedhin mes 15 partive dhe kandidatëve prej grupeve properëndimore e deri te ato pro-Serbisë dhe Rusisë.

    Zgjedhjet do të jenë të parat në më shumë se 30 vjet, në të cilat nuk do të marrë pjesë Milo Gjukanoviq, i cili i priu vendit si kryeministër ose president që prej vitit 2001. Ai ka humbur zgjedhjet presidenciale në prill dhe nuk është në radhën e parë të politikës.

    Sondazhet dhe analistët kanë parashikuar se lëvizja centriste “Tani Evropa”, e prirë nga eksperti financiar Milojko Spajiq dhe presidenti aktual, Jakov Milatoviq, me shumë gjasë do të dalë e para, por pa ulëset e mjaftueshme në Parlament për ta formuar e vetme Qeverinë.

    Spajiq, 37-vjeçar, ish-ministër i Financave që në vitin 2021 krijoi reformat ekonomike, përfshirë ngritjen e pagës mesatare, ka premtuar ngritje të pagave dhe shtatë orë punë në ditë, 1 orë më pak sesa orari aktual i punës në Mal të Zi.

    “Jam shumë i interesuar që të realizoj planin e prezantuar para qytetarëve”, ka thënë Spajiq, i cili mund të bëhet kryeministri i ri i Malit të Zi.

    Partia Demokrate e Socialistëve, dikur e prirë nga Gjukanoviqi, ka përjetuar tkurrje të popullaritetit pas tre dekadave dominim dhe tani me liderin e ri po bën përpjekje për ringjallje.

    Lideri i partisë, Danijel Zhivkoviq, ka akuzuar Qeverinë aktuale për rrezikimin e shtegut të Malit të Zi drejt BE-së dhe ka premtuar zhbllokimin e këtij shtegu nëse DPS-ja kthehet në pushtet. Mali i Zi dikur ishte konsideruar si shteti i parë nga Ballkani Perëndimor që mund të anëtarësohet në BE.

    Gjukanoviqi e udhëhoqi Malin e Zi drejt pavarësisë nga Serbia në 2006 dhe sfidoi Rusinë për t’u bashkuar me NATO-n në 2017. Aleanca e dominuar nga partitë që kërkonin lidhje më të ngushta me Serbinë dhe Rusinë e rrëzoi DPS-në nga pushteti në zgjedhjet e mëparshme parlamentare në 2020.

    Aleanca e re qeverisëse, megjithatë, shpejt u zhyt në kaos, gjë që ngeci rrugën e Malit të Zi drejt BE-së dhe krijoi bllokadën e re politike. Qeveria humbi votën e mosbesimit vitin e kaluar, por ka qëndruar në detyrë për muaj të tërë për shkak të ngërçit.

    Në zgjedhjet e së dielës do të marrin pjesë edhe koalicioni i Veprimit të Reformës së Bashkuar që përfshin kryeministrin në detyrë, Dritan Abazoviqin, dhe koalicion proserb dhe rus të quajtur “Për të Ardhmen e Malit të Zi”.

    Abazoviqi, i cili u paraqit si lideri antimafia në shtetin e zhytur në krim dhe korrupsion, ka premtuar hapa për përmirësimin e standardeve të jetesës.

    “Kur ta mposhtim mafien, do të ketë (para) për të gjithë”, ka thënë Abazoviqi së fundmi. “Do të krijojmë një fond drejtësie, i cili do t’i kthejë fondet e vjedhura në buxhetin e shtetit dhe të gjithë qytetarëve”.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark