×
  • Lajme
  • Lajme

    Specialja mesazh Thaçit e Veselit – Thotë se po i akuzon për t’i ndalë nga përpjekja për shfuqizimin e Speciales

    Insajderi
    24 June 2020 - 16:20
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë ka rënë në kundërshtim me komunikatën e mëhershme të saj në të cilën thotë se përmbajtja është konfidenciale.

    Ndërsa tash zbulon emrat e dy të akuzuarve dhe arsyetohet se këtë po e bënë me qëllim që t’i ndal përpjekjet e Thaçit dhe Veselit për sabotimin e punës së Gjykatës Speciale.

    Aty përmenden vetëm dy emra, por nuk përmenden emrat tjerë te të akuzuarve, çka do të thotë se Prokuroria i ka dërguar mesazh publik Thaçit e Veselit se i ka akuzuar dhe po e zbulon aktakuzën për shkak të përpjekjeve siç thuhet aty për sabotimin e Speciales.

    Me 14 shkurt 2020 Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte ngritur aktakuzë ndaj dy personave, emrat e të cilëve nuk ishin bërë publik.

    Po me këtë datë, kërkohet nga kryetarja e Dhomave të Specializuara Ekaterina Trendafilova t’i caktojë gjyqtarët, për dy lëndë të hartuara nga Zyra e Prokurorit Special.

    “Në pajtim me Ligjin dhe Rregulloren e Caktimit të Gjykatësve, Kryetarja ka caktuar një gjykatës të procedurës paraprake për shqyrtimin e aktakuzës së re të paraqitur nga Prokurori i Specializuar. Përmbajtja e aktakuzës është konfidenciale, përveçse kur konfirmohet dhe deri sa të konfirmohet nga gjykatësi i procedurës paraprake”, thuhet në njoftim për media nga Zyra e Prokurorit të Specializuar të lëshur me 24 shkurt 2020.

    Ndërsa, në komunikatën e lëshuar sot nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, thuhet se aktakuza ende është në shqyrtim nga një gjykatës i procedurës papraprake.

    “Aktakuza është vetëm një padi penale e cila është rezultat i një hetimi të gjatë dhe dëshmon vendosmërinë e ZPS-së se mund t’i provojë të gjitha akuzat jashtë dyshimit të arsyeshëm. Një gjykatës i procedurës paraprake i DHSK-së është duke e shqyrtuar Aktakuzën për të vendosur nëse do t’i konfirmojë akuzat”, thuhet në komunikatën e lëshuar sot nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.

    Megjithatë, Prokurori i Specializuar është arsyetuar për publikimin e emrave të Thaçit e Veselit, ende pa iu konfirmuar aktakuzat.

    “Prokurori i Specializuar e gjykon të domosdoshme nxjerrjen e këtij njoftimi publik për akuzat, për shkak të, siç thuhet në kumtesë, përpjekjeve të përsëritura të Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit për pengimin dhe sabotimin e punës së DHSK-së. Besohet se z.Thaçi dhe z.Veseli kanë ndërmarrë në fshehtësi një fushatë për shfuqizimin e ligjit që krijoi Gjykatën dhe ndryshe kanë penguar punën e Gjykatës në orvatje për t’i bishtnuar drejtësisë, Nëpërmjet këtyre veprimeve, z.Thaçi dhe z.Veseli kanë vënë interesat e tyre vetjake mbi viktimat e krimeve të tyre, sundimin e ligjit dhe popullin e Kosovës”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Prokurorit Special.

    Thaçi e Veseli, në bazë të kësaj aktakuze, pretendohet se janë përgjegjës për kryerjen e një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura.

    Gjatë vitit 2019, mbi 250 ish-ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë udhëtuar drejt Hagës, për t’u intervistuar nga prokurorët ndërkombëtarë të Dhomave të Specializuara, qoftë si dëshmitarë apo si të dyshuar.  /Insajderi.org

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark