Probleme te Polonia pak ditë para ndeshjes kundër kombëtares Shqiptare, e vlefshme për eliminatoret e kampionatit europian “Euro 2024”.
Sipas mediave vendase, portieri i Juventus, Wojciech Szczęsny mund të humbasë sfidën ndaj kuqezinjve për shkak të një dëmtimi.
Polaku ka 2 javë që nuk është i gatshëm për bardhezinjtë, ku ka munguar edhe në dy sfida në Serie A, përballë Bolognas dhe Empolit. 33-vjeçari është një nga pikat më të forta të kësaj përfaqësueseje, ku është titullar i padiskutueshëm.
Por mungesat e Polonisë në ndeshjet ndaj Ishujve Faroe dhe Shqipërisë nuk ndalen këtu. Lukas Skorupski dhe Nicola Zalewski kanë braktisur grumbullimin, pasi kanë pësuar dëmtime dhe nuk do të jenë në dispozicion të trajnerit Fernando Santos.
Mbetet të shihet situata në kampin polak, pasi ndeshjet e shtatorit do të jenë përcaktuese për fatin e tyre në grup. Polonia renditet e katërta në grupin E me 3 pikë të grumbulluara pas 3 sfidave. Fitorja e vetme erdhi në sfidën përballë Shqipërisë në Varshavë në muajin Mars. /Supersport