Rikthimi i Tahir Lushtakut në drejtimin e skuadrës së Drenicës, ka bërë që edhe forma e ndeshjet e mira të rikthehen në stadiumin “Bajram Aliu”. Drenica pas 11 xhirove të zhvilluara në BKT Superliga renditet në pozitën e dytë me 20 pikë të grumbulluara. Gazeta online “Insporti” ka zhvilluar një intervistë me trajnerin Lushtaku para ndeshjes tejet të rëndësishme me FC Prishtinën, që skuadra e tij do ta zhvillojë në udhëtim, në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Lushtaku në këtë intervistë ka folur për përballjen e vështirë me skuadrën kampione, “polemikën” me homologun e tij Ismet Munishi. Ai pas përballjes me skuadrën e Munishit në Gjilan, ndeshje të cilën e kishte humbur, pas ndeshjes deklaroi se Munishi ka diktuar gjyqtarët gjatë tërë ndeshjes.
Po ashtu, numri një i Drenicës në këtë intervistë ka deklaruar se Drenica nuk është befasi dhe se do të vazhdojnë me formën e mirë.
Ndeshja me Prishtinën do të zhvillohet të dielën dhe redaksia e “Insportit” ka pyetur trajnerin Lushtaku se a ka favorizim nga ana e gjyqtarëve për skuadrën bardh e kaltër. Lushtaku është përgjigjur duke thënë se nuk favorizohet Prishtina.
Më poshtë intervista e plotë me trajnerin Tahir Lushtaku:
“Insporti”: Ndeshje e vështirë me Prishtinën, a do të luani për tre pikët e plota?
Lushtaku: Normalisht që është ndeshje e vështirë kur e dimë që kemi të bëjmë me Prishtinën edhe pse ndoshta është në një krizë të vogël të rezultateve por Prishtina është klubi ma i madh në Kosovë, ne udhëtojmë për rezultat të plotë apo pozitiv ku kemi punuar këtë javë. Do japim maksimumin.
“Insporti”: Jeni cilësuar si skuadra që po befasoni në këtë sezon. A mendoni se do të jeni vetëm befasi apo do të jepni fjalën e juaj këtë sezon?
Lushtaku: Pavarësisht që jemi cilësuar si skuadër që po befasojmë unë nuk jam dakord sepse ne jemi rritur shumë si skuadër pavarësisht kushteve jo të mira financiare dhe fondin jo te mjaftueshëm këta djem po dëshmojnë që nga ndeshje në ndeshje po japin maksimumin që në fund të kampionatit të shpërblehen me një pozitë në tabelë që na dërgon në Evropë. Sepse këtu ku jemi, jemi me plotë meritë në saje të ndeshjeve të mira, disiplinës dhe djersës.
“Insporti”: Sa do të ju penalizojë mos paraqitja e Kreshnik Ukës?
Lushtaku: Natyrisht që na penalizon mos paraqitja e Kreshnik Ukës por ne kemi ditë edhe ndeshjen e pare kundër Prishtinës të fitojmë edhe në mungesë të Ukës, ani pse është futbollisti kryesor në ekip.
“Insporti”: A jeni sqaruar me trajnerin Ismet Munishin pas polemikave që keni pasur?
Lushtaku: Sa i përket sqarimit me Ismet Munishin nuk kemi pasur asnjë të keqe. Unë ia kam thanë Ismetit atë në formë shoqërore dhe para se të shkoja për intervistën pas ndeshjes i kam treguar që “dua me ta dhanë një epitet për ndeshjen”, por unë Ismet Munishin e kam mikun ma të mire dhe ne kemi biseda të përditshme , kemi respekt të ndërsjellët dhe nuk besoj qe ka qene diçka ma shume se sportive ajo qa kam thanë aty në Gjilan. Sepse pas ndeshjes e kemi qëndruar bashkë. I kam uruar shumë suksese me skuadrën e Gjilanit në vazhdim të kampionatit.
“Insporti”: Në “Fadil Vokrri” për Prishtinën janë akorduar penallti të shpeshta, apo favorizohet skuadra vendase?
Lushtaku: Sa i përket kësaj se janë akoorduar penallti të dyshimta në “Fadil Vokrri” tash besoj që është “VAR” dhe është një lehtësim i madh për gjyqtarët. Nuk besoj që favorizohet Prishtina.
“Insporti”: Keni krijuar një treshe të frikshme, Zabërgja, Dennison dhe Uka. Sa mendon se do të ia arrijnë të mbajnë formën?
Lushtaku: Realisht ne funksionojmë si grup por është e vërtetë se kjo treshe Uka, Denisson dhe Zabërgja janë futbollistë që e bëjnë treshen e sulmit më të rrezikshme me e futbollistëve tjerë. Pres edhe më shumë deri në fund të sezoni nga kjo treshe.
“Insporti”: “VAR” këtë sezon po aplikohet, si e ke parë deri më tani, a është dëmtuar Drenica edhe me sistemin “VAR”?
“VAR” po besoj qe nuk i zgjedh tË gjitha problemet por në shumë raste ka qenë ndihëmes për gjyqtarët si dhe për futbollistët. Klubet ka pasur raste ndoshta që janë dëmtuar, njëjë edhe Drenica. Mendoj se në fillim të sezonit kanë ndodhur këto dëmtime por tani mendoj që edhe gjyqtarët e kane përvetësuar mirë “VAR-in”. Po besoj që në vazhdim të kampionatit do të aplikohet e përdoret edhe më mirë.