Ministrja e Kosovës për Dialog, Edita Tahiri, ka thënë se Kosova është promovuese e paqes në rajon. Kjo sipas saj dëshmohet edhe me dialogun me Serbinë.
“Kosova është promovuese e paqes dhe fqinjësisë së mirë në rajon – po e dëshmojmë edhe në dialogun për fqinjësi të mirë me Serbinë, që është në dobi të paqes dhe stabilitetit në gjithë rajonin, dhe në dobi të afrimit të Kosovës me strukturat euroatlantike”, ka thënë Tahiri gjatë takimit që ka pasur me shefin e ri të zyrës së Belgjikës në Kosovë, Jean-Louis Servais.
Ministrja Tahiri e njoftoi Servais për prioritetet e Qeverisë së Republikës së Kosovës, me theks të veçantë për sundimin e ligjit dhe zhvillimin ekonomik të vendit, ndërsa vlerësoi se Marrëveshja për Stabilizim Asocim e nënshkruar me BE-në ka rritur motivimin dhe përgjegjësitë për të bërë më shumë progres në reformat evropiane.
“Belgjika ka qenë afër Kosovës dhe popullit të saj që nga ditët e para të përpjekjeve tona për liri dhe pavarësinë e vendit tonë dhe kjo përkrahje po vazhdon edhe në këtë periudhë të angazhimeve tona për një Kosovë demokratike dhe euroatlantike, prandaj u jemi shumë mirënjohës”, shtoi ministrja Tahiri.
Kurse shefi i zyrës Jean-Louis Servais, theksoi se Belgjika mbështet fuqishëm shtetin e pavarur dhe sovran të Kosovës dhe integrimin e saj në strukturat euro-atlantike.
“Ne do të jemi të angazhuar për të thelluar marrëdhëniet ndërmjet Belgjikës dhe Kosovës në të gjitha sferat e rëndësishme si dhe vlerësojmë progresin në Kosovë dhe rolin e sajë konstruktiv për paqen dhe fqinjësinë e mirë në rajon”, tha Servais./Insajderi.com