
Shtëpia botuese “Dukagjini” organizom takim me shkrimtarin e njohur shqiptar, Gëzim Aliu, për romanin e tij më të ri “Sëmundje dhe Perëndi”.
Takimi mbahet të shtunën, më 10 qershor, në orën 13:00 – 14:00, te stenda e “Dukagjini”-t në Panairin e Librit “Prishtina 2023”.
“Sëmundje dhe Perëndí” është roman për trazimin shpirtëror. Për peshën e pyetjeve të mëdha. Për besimin dhe humbjen e besimit në Perëndi. Për gënjeshtrat. Dyshimin. Dashurinë e xhelozinë. Familjen. Fanatizmin. Përkohshmërinë. Dhembjen. Vuajtjen. Vdekjen. Jetën. “Sëmundje dhe Perëndí” është roman për Njeriun! Jo për njeriun e humbur. Është për Njeriun dhe vetminë e tij të përjetshme.
Gëzim Aliu (1977) është shkrimtar, studiues i letërsisë, eseist; doktor në letërsi. Është bashkëpunëtor i lartë shkencor në Institutin Albanologjik të Prishtinës. Deri më tani ka botuar tri romane, një libër me tregime, një libër studimor dhe dy monografi. “Sëmundje dhe Perëndi” është romani i tij i katërt. Për librat e tij artistikë e shkencorë janë shkruar dhjetëra recensione, kritika, punime. Vepra e tij është vlerësuar lart nga kritika dhe lexuesit. Pjesë të krijimtarisë së tij janë përkthyer në disa gjuhë të huaja. Librat e tij janë shpërblyer disa herë me çmime letrare kombëtare.