×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    Takim rastësor apo për të ndikuar në vendim? Kryeinspektori në Gjykatën ku do të vendoset për fatin e tij

    Insajderi
    26 November 2022 - 13:25
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Para pak ditësh, kryeinspektori i Punës, Hekuran Nikçi, është takuar me kryetarin e Gjykatës së Apelit, Valon Totaj.

    Takimi është konfirmuar nga njoftimi për media që ka lëshuar Gjykata e Apelit.

    “Në takim ndër të tjera u diskutua trajtimi i problematikave rreth marrëdhënies së punës. Po ashtu u diskutua, për çështjet me interes të përbashkët, që ndërlidhen me punët e të dy institucioneve”, thuhet në njoftim, shkruan Gazeta Insajderi.

    Por, nuk dihet nëse ky takim ndërmjet Totajt e Nikçit ishte rastësor apo për të ndikuar në vendim, pasi ky i fundit ka një lëndë pikërisht në Gjykatën e Apelit.

    Për çka bëhet fjalë?

    Me propozim të Ministrisë së Financave, në Qeverinë e Kosovës ishte votuar Hekuran Nikçi për Kryeinspektor të Inspektoratit të Punës.

    Ky vendim i Qeverisë ishte bërë në kundërshtim me ligjin, meqë për pozitën në fjalë duhej organizimi i konkursit.

    Si rezultat i kësaj, në korrik, Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës pas një monitorimi të jashtëzakonshëm duke u bazuar në shkresat e rastit ka kërkuar nga kryeministri i Republikës së Kosovës që të kthejë mbrapsht vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për emërimin e Hekuran Nikçit si Kryeinspektorit të Inspektoratit të Punës.

    Kjo pasi që një pozitë e tillë hynë në kuadër të pozitave të larta të Shërbimit Civil dhe si e tillë i nënshtrohet rendit juridik për Zyrtarët Publik. Bazuar në këtë, vendimi i Qeverisë së Kosovës për të emëruar Kryeinspektorin e Inspektoratit të Punës pa procedura rekrutuese është shkelje e Ligjit për Zyrtarë Publik.

    Kundër këtij vendimi, kishte bërë ankesë Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

    Gjykata Themelore e Prishtinës ia ka refuzuar ankesën e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, por kjo ministri nuk është ndalur dhe ka bërë tash ankesë në Gjykatën e Apelit.

    Dhe, pikërisht në këtë të fundit ka shkuar për vizitë Kryeinspektori që sipas Ligjit është zgjedhur kundërligjëm në këtë pozitë./Gazeta Insajderi/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark