Pavarësisht nga efikasiteti ekzistues dhe standardet e cilësisë, kompanitë ende kanë potencial të madh për kursimin e energjisë dhe kostove. Me rëndësi jetike për kompanitë është zbatimi i potencialeve për uljen e kostove, gjë që përmirëson konkurrueshmërinë dhe ndihmon në mënyrë aktive në mbrojtjen e klimës dhe përdorimin e qëndrueshëm të burimeve.
Programi i Trajnimit EUREM – European Energy Manager, një projekt i financuar nga Bashkimi Europian, synon të nxjerrë menaxherë të aftë për të sjellë një frymë të re në korporata e biznese mbi eficencën e energjisë, si dhe të japë informacionet e para për konsumatorët.
Projekti, nën autoritetin zbatues të Austrian Institute of Excellence (AIE), e që mbështet Agjencinë e Eficencës së Energjisë, nën Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, synon të formojë menaxherët e parë të eficiencës së energjisë në Shqipëri.
Projekti, i financuar nga Bashkimi Europian, shihet si një hallkë e parë, me qëllim formimin e plotë në këtë fushë, e cila duhet të ndiqet me masat që BE ka udhëzuar në kuadër të masave të kursimit të energjisë. Ndryshimet klimatike dhe ‘lufta’ për reduktimin e saj, për të minimizuar efektet në ekosistem është një ndër qëllimet e mijëvjeçarit të shumë organizatave, kryesuar nga OKB.
Flet Bianca Duro, drejtoreshë ekzekutive e Austrian Institute of Excellence
Në një intervistë për “Monitor”, drejtoresha ekzekutive e AIE, bën të ditur detajet më të rëndësishme rreth projektit EUREM, qëllimet e zbatimit dhe çfarë përfitimesh do të ketë vendi ynë në kuadër të ruajtjes së energjisë. Fillon me individin, i cili do të jetë i formësuar të japë një frymë dhe mjete të reja në biznese e korporata për të qenë sa më eficient në ruajtjen e energjisë.
Znj. Bianca Duro pohon se edhe Shqipëria duhet të zbatojë masat e kursimit të energjisë, të cilat vendet e BE-së, si dhe shumë shtete të tjera në botë i kanë vënë në zbatim, me qëllim reduktimin dhe ndalimin e ndryshimeve negative të klimës.
“Menaxherët e energjisë, si profesion i ri”
Çfarë është projekti EUREM dhe çfarë kontributi do të japë në kuadër të përdorimit eficent të energjisë?
EUREM është një sistem trajnimi mbi eficencën e energjisë për konsulentët në kompani private, si dhe në institucione publike. Projekti, përkatësisht zbatuesi i projektit Austrian Institute of Excellence, mbështet edhe agjencinë e krijuar së fundmi, Agjencia për Eficiencën e Energjisë nën Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë për implementimin e standardeve të BE-së në Shqipëri. Ligji për Eficiencën e Energjisë është miratuar tre vite më parë, ndërsa Agjencia për Eficiencën e Energjisë është themeluar në prill të këtij viti – ndërkohë ka shumë direktiva të BE-së mbi eficiencën e energjisë, të cilat duhet të implementohen në vitet e ardhshme. Edhe Shqipëria gjithashtu duhet të implementojë masat e kursimit të energjisë, të cilat vendet e BE-së si dhe shumë shtete të tjera në botë i kanë vënë në zbatim, me qëllim reduktimin dhe ndalimin e ndryshimeve negative të klimës.
Çfarë do të sillte në mjedisin shqiptar rritja e numrit të ekspertëve të kualifikuar në këtë fushë?
Projekti, jo vetëm që do të ndikojë që bizneset dhe institucionet publike shqiptare të zbatojnë masat për kursimin e energjisë për ndërtesat e tyre, por edhe në shkolla, universitete, spitale etj., por do të krijojë një profesion të ri, nëpërmjet të cilit do të krijohen vende të kualifikuara pune.
Praktikisht kur do të nisë? Sa persona do të përfshihen?
Programi i trajnimit do të fillojë në mes të tetorit dhe do të zhvillohet në fundjavë: të premteve dhe të shtunave, pasi do të mund të marrin pjesë vetëm profesionistë të fushës me 3-4 vjet përvojë, pra edhe me angazhime konkrete. Në trajnimin e parë do të marrin pjesë deri në 30 persona dhe do të financohet nga BE vetëm për vitin e parë, gjithsesi vazhdueshmëria është e nevojshme. Parimisht, çdo vit duhet të ketë një trajnim për menaxherët e energjisë, sepse kërkesa për kompanitë dhe institucionet publike për eficencën e energjisë, për reduktimin e konsumit të energjisë në përgjithësi, si dhe përdorimin e energjisë alternative është vazhdimisht në rritje.
Çfarë duhet të ketë në konsideratë një korporatë apo biznes, që të punësojë një menaxher energjie?
Në vendet e zhvilluara, por edhe në të gjitha vendet e BE-së, të gjitha kompanitë më të mëdha kanë punësuar një menaxher të eficiencës së energjisë, i cili monitoron rregullisht potencialet e kursimit të energjisë të mundshme në kompani. Për shembull në Austri, çdo komunë, çdo spital si dhe shkollat e mëdha kanë një menaxher energjie të kualifikuar. Ky program është gjithashtu një mundësi që konsulentët e energjisë të mbështesin kompanitë vogla, duke i këshilluar për masat e eficiencës së energjisë. Si përfundim, çdo banor i Shqipërisë duhet të informohet edhe nëpërmjet trajnimeve në shkolla në lidhje me eficiencën e energjisë.
Një shembull nga televizioni në Austri: Vajza vjen në shtëpi nga shkolla dhe gjatë darkës pyet: “Pse është drita në banjo e ndezur, nuk ka nevojë për dritë nëse nuk është askush brenda. Mami, duhet gjithmonë ta fikësh dritën pasi del nga tualeti. Çdo familje duhet të kursejë energji, për më tepër ne nuk kemi as dritë LED në banjë, të cilat harxhojnë më pak energji elektrike”. Ne të gjithë duhet japim kontributin tonë që ndryshimet klimatike të mos vazhdojnë me ritme kaq të shpejta, kështu nuk do të ketë as kaq shumë katastrofa natyrore në të gjithë botën.
Në gjykimin tuaj, sa janë të njohur aktualisht ekspertët shqiptarë apo korporatat/bizneset me format e përdorimit të zgjuar të energjisë?
Shqipëria është ende në hapat para. Për momentin, njohuritë e njerëzve janë ende në nivele të ulëta, por sigurisht që ka edhe ekspertë të informuar mirë. Gjithsesi, duhet të bëhet më shumë nga qeveria, duhet të jepet më tepër informacion, duhet të implementohen më shumë ligje, të cilat janë vendosur prej kohësh në BE. Në fund të fundit, shpesh herë dëgjojmë se Shqipëria është në rrugën drejt Europës. Në vendet e BE ka edhe masa lehtësuese, Shqipëria ka nevojë për një buxhet për të subvencionuar masat e kursimit të energjisë, si izolimi i ndërtesave, energjitë alternative si p.sh. fotovoltaikët, ngrohja nëpërmjet biomasës etj. Shqipëria ka burime të mjaftueshme, për të cilat njerëzit duhet më parë të informohen dhe më pas të zbatohen.
Po për konsumatorët, çfarë ndikimi do të kishte ky program?
Në planin afatgjatë, të gjithë njerëzit duhet të ndërgjegjësohen më shumë dhe të zbatojnë masat për kursimin e energjisë. Njerëzit nuk janë ende të sensibilizuar ndaj nevojës për këto masa.
A po ecën Shqipëria, me masat e ndërmarra të qeverisë, në hapat europianë në përqafimin e implementimit të rregullave të Direktivës së Eficencës së Energjisë?
Siç e përmenda dhe pak më sipër, Shqipëria është ende në hapat e para, por siç theksoi edhe z. ministër Damian Gjiknuri në eventin e hapjes së projektit EUREM Next, Shqipëria duhet të bëjë përpjekje dhe qeveria do të japë kontributin e saj në mënyrë që direktivat e BE-së të vendosen në zbatim sa më shpejt të jetë e mundur.
Fakte dhe Shifra
-Reduktimi i CO2, si dhe potencialet për kursimin e kostos dhe energjisë, të cilat janë identifikuar nga më shumë se 3,000 menaxherë energjie në konceptet e tyre të energjisë, tregojnë se EUREM është mënyra e duhur për të zbatuar efikasitetin e energjisë në kompani dhe për të realizuar përfitime ekonomike dhe ekologjike.
-Vlerësimi i vazhdueshëm i koncepteve të energjisë në mbarë botën tregon që mesatarisht çdo menaxher energjie bën kursimet e mëposhtme me konceptin e energjisë të zhvilluar gjatë trajnimit EUREM:
– Shumica e projekteve në kompani europiane kanë nisur të zbatohen nga menaxherët e energjisë. Është e kënaqshme që mesatarisht më shumë se 75% – që do të thotë tre nga katër prej Energy Concepts të kryera gjatë trajnimit EUREM – janë vënë në praktikë.
– Potenciali i kursimit të energjisë i identifikuar nga 3,000 menaxherë europianë energjie gjatë trajnimit EUREM arrin në rreth 2.25 Mio MWh / a. Ky është ekuivalent i konsumit të energjisë prej 562,500 familjeve ose 30% të prodhimit vjetor të energjisë elektrike të një centrali bërthamor. Këto janë shifra domethënëse, duke pasur parasysh se 75% e koncepteve të energjisë zbatohen nga kompanitë europiane.