×
  • Kulturë
  • Show / Kulturë

    Teatri i Gjilanit shfaq dramën “Kopshti i Hijeve”

    Insajderi
    28 September 2023 - 18:16
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Në Teatrin e Gjilanit, sonte në një dimenision tjetër do të tregohet historia e familjes Bogujevci, fëmijët e parë që dëshmuan në një gjykatë për krime lufte.

    “Kopshti i Hijeve” është një shfaqje bashkëpunuese, multimediale e zhvilluar me një ekip ndërkombëtar dhe prodhuar nga Teatri i Gjilanit.

    Në prag të premierës së shfaqjes “Kopshti i Hijeve”, në teatrin e Gjilanit është mbajtur një konferencë për media, në të cilën janë prezantuar kryetari i Komunës, Alban Hyseni, drejtori i Teatrit të qytetit në Gjilan, Erson Zymberi, autorja dhe dramaturgia, Sarah Hehir, regjisorja Nastazja Domaradzka, aktorët Kushtrim Qerimi, Emine Toska e Fitore Jashari dhe bashkëpunëtori artistik, Burim Baftiu.

    Drejtori i teatrit të qytetit, Erson Zymberi, pasi ka ftuar të gjithë artdashësit që të vijnë për ta parë këtë shfaqje sonte, e ka falënderuar kryetarin e Komunës, Alban Hyseni, për përkrahjen ndaj politikave kulturore, e ndaj teatrit në veçanti.

    “Kopshti i hijeve është një shfaqje bashkëpunuese, multimediale e zhvilluar me një ekip ndërkombëtar dhe prodhuar nga Teatri i Gjilanit. Shfaqja tregon historinë e familjes Bogujevci, fëmijët e parë që dëshmuan në një gjykatë për krimet e luftës. Kjo gjykatë i jep formë narrativës në ndryshim, duke rrëshqitur mes kohës, vendit, realitetit dhe imagjinatës. Kopshti i hijeve ekziston në skenë si një botë paralele e kujtesës dhe së ardhmes alternativ”, është shprehur Zymberi.

    Kreu i Gjilanit, Alban Hyseni, ka përgëzuar këshillin drejtues të teatrit të qytetit e trupën teatrale të kësaj shfaqjejr, duke shtuar se është kënaqësi e veçantë që t’i përkrah projektet e teatrit të qytetit.

    “Teatri i Gjilanit, përpos kalendarit të rregullt që e realizon, tashmë është bërë një lloj normaliteti me dhënien e premierave ose prodhimin e shfaqjeve të shumta në qytetin tonë, ndërkohë që nuk kanë munguar edhe sukseset ndërkombëtare duke qenë njëri nga teatrot më të suksesshëm në vendin tonë. Në shfaqjen “Kopshti i Hijeve”, tregohet një histori e veçantë e cila ka të bëjë me familjen Bogujevci, por që është imazh i luftës e i përpjekjeve tona shekullore për liri e pavarësi”, ka thënë kryetari Hyseni.

    Shfaqja “Kopshti i Hijeve” jepet sonte me fillim në ora 20:00, në teatrin e qytetit në Gjilan.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark