Insajderi
Hulumtime/Analiza

Telekomi vazhdon milionat për kompaninë kroate të lavdëruar nga Qeveria Kurti – Ericsson Nikola Tesla merr edhe një tender prej 1.5 milionë euro

Insajderi
26 November 2025 - 15:50
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Telekomi vazhdon milionat për kompaninë kroate të lavdëruar nga Qeveria Kurti – Ericsson Nikola Tesla merr edhe një tender prej 1.5 milionë euro
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Ericsson Nikola Tesla, kompani kroate, po vazhdon të marrë milionat nga Telekomi i Kosovës. Ndërmarrja publike e cila udhëhiqet nga Burbuqe Hana e emëruar nga Kurti, i ka dhënë një kontratë me procedurë të negociuar pa publikim të njoftimit të kontratës, në vlerë prej 1.5 milionë. Me ketë tender pritet të bëhet “Implementimi i Voice over LTE – VoLTE”. Ericsson Nikola Tesla ka fituar edhe tenderë të tjerë përgjatë mandatit të Qeverisë Kurti. Vlera e tyre është përreth 30 milionë euro. Kjo firmë ishte lavdëruar fort për shërbimet e saja nga ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.

Gazeta Insajderi

Telekomi i Kosovës, ka njoftuar se sot (26.11.2025), ka dhënë një tender me negocim për kompaninë nga Kroacia “Ericsson Nikola Tesla d.d”.

Fillimisht kontrata ishte parashikuar në vlerën prej 1,400,000.00, por që kur u dha kontrata u tejkalua kjo vlerë.

Nën arsyetimin e kontratës milionëshe – 1,449,513.86, thuhet se me këtë kompani Telekomi ka lidhur disa kontrata dhe se tash është identifikuar nevoja për implementim të VoLTE.

“Telekomi i Kosovës ka realizuar modernizimin e rrjetit të vet mobil gjatë viteve 2022–2024 përmes disa fazave të ndara, me kontrata të lidhura me operatorin ekonomik Ericsson, si më poshtë • LOT 1 Modernizimi i CORE – HW & SW • LOT 2 Modernizimi i 120 RBS nga 4G në 5G • Projekt i veçantë Ngritja e 30 RBS ekzistuese nga 3.5G në 5G • Projekt i veçantë Modernizimi i 400 RBS të reja në platformën 5G Arsyeja pse janë realizuar projektet në disa faza janë për arsye të kufizimeve buxhetore dhe kompleksitetit të projektit. Aktualisht, është identifikuar nevoja për implementim të VoLTE për të siguruar shërbime më kualitative për konsumatorët“, thuhet në dosjen e tenderit.

Kjo nuk është hera e parë që Ericsson Nikola Tesla po përfiton tenderë në forma të negociuara nga Telekomi.

Në shtator të këtij viti, kjo kompani ishte shpërblyer edhe me një kontratë prej 1,7 milion për disa shërbime teknike të ndërmarrjes publike. 

Ata që nga 2022-a e deri më tani kanë përfituar përreth 30 milionë euro nga kontratat me ndërmarrjen publike.

Kush është kompania që po merr milionat nga Telekomi dhe vizita e ministres Rizvanolli në këtë kompani?

Ericsson Nikola Tesla është pjesë e Ericsson Global, nga Zagrebi i Kroacisë.

Në kohën kur kishte marrë 15 milionë euro kontratë nga Telekomi i Kosovës Gordana Kovaçeviq, presidente e kompanisë “Ericsson Nikola Tesla” kishte theksuar se vazhdimi i partneritetit me Telekomin e Kosovës do të kontribuojë në forcimin e pozitës së kompanisë që ajo udhëheq në treg.

Me 6 dhjetor të vitit 2023, ministrja tashmë e dorëhequr, Artane Rizvanolli kishte dedikuar një postim në “Facebook” për kompaninë Ericsson Nikola Tesla.

Ajo kishte vizituar qendrën R&D të Ericsson Nikola Tesla në Kosovë duke e quajtur qendër të inovacionit.

“Bashkë me Ambasadorin suedez në Kosovë, Jonas Westerlund, vizitova qendrën R&D të Ericsson Nikola Tesla në Kosovë, një qendër e inovacionit dhe dëshmi e sinergjisë mes akademisë dhe industrisë. Partneriteti me Universitetin e Prishtinës dhe suksesi i Shkollës Verore tregojnë përkushtimin ndaj talenteve lokale, duke ndikuar në punësimin e të rinjve.

Në këtë vizitë, theksova përkushtimin e qeverisë për të përkrahur dhe investuar vazhdimisht në sektorin e TIK, duke përfshirë digjitalizimin dhe infrastrukturën 5g”, kishte shkruar ajo.

Kovaçeviq ishte ftuar edhe në forumin ekonomik në mes të Kosovës dhe Kroacisë, për çka kishte marrë edhe fjalë rasti.

“Jemi të kënaqur që Telekomi i Kosovës e ka njohur ENT si partner të besueshëm i cili, me produktet dhe zgjidhjet e tij inovative, ekspertizën dhe qasjen profesionale të ekspertëve tanë, kontribuon në përpjekjet e tyre për të mundësuar rritje të mëtejshme ekonomike dhe sociale të Kosovës duke futur rrjete telekomunikacioni të teknologjisë së fundit”, kishte thënë ajo në këtë forum.

Ekipi i Ericsson Nikola Tesla në Kosovë ka për drejtor Besar Spahijën.

 /Insajderi.org/


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark