×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza

    Tenderi i dyshimtë i Trepçës për blerjen e Mini Ekskavatorit

    Insajderi
    15 May 2023 - 17:05
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Ndërmarrja “Trepça” bleu një ekskavator të vogël në vlerë prej 42 mijë eurosh. Zyrtarët e kësaj ndërmarrje bënë pranimin e mallit, ndonëse ai ishte i mangët atë ditë. I mungonin lugët rezervë në vlerë prej rreth pesë mijë eurosh.

    Një Mini Ekskavator i blerë nga Trepça zuri vend në ambientet e kësaj ndërmarrje me datën 15 mars 2023. Por, atij i mungonte diçka. Lugët rezervë. Vlera totale e këtij ekskavatori është mbi 42 mijë euro.

    Një burim i Gazetës Insajderi ka treguar se dorëzimi i tij pa lugët rezervë u bë qëllimisht.

    Ndonëse në dosjen e tenderit që ka siguruar Gazeta shkruan se Mini Eskavatori duhet të dorëzohet me dy lugë rezervë. Sipas burimit, këto nuk janë dorëzuar.

    Zyrtarët e kësaj ndërmarrje kanë konfirmuar për Insajderin se Mini Ekskavatori u dorëzua pa lugët rezervë. Vlera e tyre kap shifrën e 5 mijë eurove.

    Rregullat e prokurimit publik përcaktojnë që blerësi, ndërmarrja Trepça, nuk duhet të bëjë pranimin e mallit nëse ai nuk është i plotë ashtu siç përcaktohet në kontratë.

    Por, zyrtarët e Trepçës këtë rregull e kanë shpërfillur me lehtësi.

    Vetë nënshkruesi i vendimit për pranimin e mallit, Behgjet Vinarci i cili është Udhëheqës i Njësisë Miniera me Flotacion ka pranuar se ditën kur është pranuar malli kanë munguar dy lugët rezevë. Ai mungesën e tyre e arsyetoi duke thënë se kompania e kontraktuar “ka harruar” t’i sjell.

    Kanë harru punëtorët e asaj firme me i dorëzu atë ditë. I kanë dorëzu ma vonë“, ka pohuar Behgjet Vinarci.

    Megjithatë, zyrtarët përgjegjës në Trepça nuk kanë ofruar asnjë dëshmi për dorëzimin e lugëve rezervë edhe pas datës së pranimit.

    Po ashtu, nuk kanë dhënë përgjigje se a është ndërmarrë ndonjë masë ndëshkuese ndaj komisionit për pranimin e mallit, i cili nuk e vlerësoi si skandaloze mungesën e pajisjeve të vlefshme rreth 5 mijë euro.

    Gazeta ka dërguar pyetje javën e kaluar por ende nuk ka marr asnjë përgjigje zyrtare nga ndërmarrja Trepça.

    Lidhur më këto dyshime është në dijeni edhe kryesuesi i Bordit të Treçës, Bahri Hyseni. I kontaktuar për Gazetën Insajderi ai tha se sipas kontratës “çdo gjë është në rregull”.

    Gazeta Insajderi iu sjell pamje nga momenti kur Mini Eskavatori ka mbërritur në depon e minierës së Trepçës pa dy lugë rezervë.

    Mini Eskavatori ka kushtuar 42 mijë e 498 euro. Sipas kontratës, eskavatori është blerë nga firma gjermane “Walcerk Neuson” përmes kompanisë furnizuese “KUOTA SH.P.K“.

    Dy muaj më parë, Qeveria e Kosovës ka miratuar në parim kërkesën për huamarrje deri në 20 milionë euro për Trepçën. Kjo shumë pritet që të investohet në miniera dhe flotacione.

    /Gazeta Insajderi/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark