×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    Tensionet ndërmjet Berlinit dhe Beogradit, ambasadorët gjermanë “vizitojnë” Vuçiqin

    Insajderi
    20 January 2023 - 14:25
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Në sfondin e tensioneve të shpërfaqura publikisht ndërmjet Berlinit dhe Beogradit, ambasadorët gjermanë të rajonit të Ballkanit Perëndimir – përfshirë edhe ambasadori gjerman në Prishtinë, Jorn Rohde – u takuan me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, shkruan Insajderi.

    Këtë takim e bëri të ditur vetë presidenti serb Vuçiq, i cili në rrjetin e tij në Instagram njoftoi se ka mirëpritur ambasadorët gjermanë bashkërisht me të dërguarin e Bundestagut për rajonin, Manuel Sarrazin.

    Gjermania kohëve të fundit ka dërguar mesazhe të qarta në Beograd që të ndalojnë kritikat dhe fjalët e ashpra ndaj shtetit të tyre. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, megjithatë, ka treguar se nuk do të ndalojë.

    Më e fundit ishte hartimi i statutit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe nga instituti gjerman “Friedrich Ebert Foundation”, gjë e cila nxori tërbimin e Vuçiqit me Berlinin edhe publikisht.

    Në emisioni “Cirilika” në Tv Happy, televizion ky propagandistik serb, Vuçiq foli për faktin se u informua nga instituti gjerman se kanë hartuar statutin e Asociacionit.

    U çmenda nga inati, veçanërisht sot kur u informova nga Friedrich Ebert Foundation – kemi hartuar statutin e Asociacionit – OJQ-ja gjermane na thotë neve se cilat do të jetë kompetencat e Asociacionit. Kush jeni ju, çfarë kompetenca ose lidhje keni ju me popullin serb”, ka thënë Vuçiq.

    Çfarë ka të bëjë Friedrich Ebert me këtë, kush jeni ju të merreni me këtë”, pyeti Vuçiq.

    E di se do të më sulmojnë për këtë çfarë po them, çfarë keni për të propozuar, është çështje për serbët dhe shqiptarët nëse s’është e dikujt tjetër, çfarë keni ju të ndërhyni se me atë se çfarë serbët mund të bëjnë në komunat e tyre”.

    Problemi lindi me ardhjen e kancelarit të ri, Olaf Scholz, i cili në Serbi dhe Kosovë udhëtoi në fillim të mandatit të tij dhe me atë rast kërkoi me ngulm që Serbia t’i bashkohet sa më shpejt sanksioneve kundër Rusisë dhe më pas publikisht vendosi një kusht për Vuçiqin “për herë të parë” – njohjen reciproke Kosovë-Serbi, shkruan Insajderi/

    Unë nuk u besoj gjermanëve, por asgjë kur bëhet fjalë për Kosovën”, tha Vuçiq kohëve të fundit.

    Kur u shpërfaq më së shumti ky tension?

    Ishte në margjinat e Forumin të Paqes në Paris vitin e kaluar, teksa po fliste për media, kur president serb Aleksandar Vuçiç, në një ofshamë dëshpëruese, i tha publikut serb se “tashmë nuk ka asnjë fshehtësi” se kush e mbështet Kosovën “në secilin hap që ata e marrin”.

    Ky shtet mbështetës, thoshte Vuçiç në melodramaticitetin e zakonshëm mediatik të tij, është Gjermania.

    Kryediplomatja gjermane Annalena Baerbock më 11 dhjetor, me t’u vendosur barrikadat në pjesën veriore të vendit, i dënoi ato përmes një cicërime në Twitter.

    Por, jo vetëm barrikadat. Ajo dënoi “retorikën serbe” si dhe vetë idenë që Serbia të paramendojë të thirret në Rezolutën 12/44 për të ashtuquajturin “rikthim të rreth një mijë forcave ushtarake dhe policore” në Kosovë.

    Kosova i uli tensionet duke shtyrë zgjedhjet lokale. Retorika e fundit nga Serbia e bënë të kundërtën. Ideja për dërgimin e forcave serbe në Kosovë është krejtësisht e papranueshme. Siç janë edhe sulmet e fundit ndaj EULEX-it. E gjithë mbështetja ime shkon për dialogun e udhëhequr nga Mirosllav Lajçaku”, shkroi ministrja gjermane.

    Ambasadorja gjermane në Beograd, Anke Konrad, duke folur për televizionin N1, edicionin në gjuhën serbe, tha se “asnjë bazë nuk ekiston” në Rezolutën 12/44 që Serbia të thirret për kthim të forcave në pjesën veriore të vendit.

    Kjo deklaratë e Konrad u prit me mllef dhe reagime në Beograd, pikësëpari nga i ashtuquajturi drejtor i një zyreje të vetëquajtur “për Kosovën” në qeverinë serbe, Petar Petkoviç.

    Ku na qenka pozicioni parimor i Gjermanisë ndaj asaj që shkruhet në mënyrë eksplicite në Rezolutën 12/44, se nuk paska bazë për rikthimin e ushtrisë [serbe] në Kosovë, dhe se ajo që nuk është në Rezolutë, siç është shkelja e integritetit territorial të Serbisë, paska bazë. Ku është e drejta ndërkombëtare?”, i reagoi Petkoviç në Twitter.

    Ndërkaq, për barrikadat, ambasadori gjerman në Prishtinë, Jorn Rhode, u shpreh se pozicioni i Gjermanisë është i qartë; ato janë të paligjshme dhe duhet të hiqen. Sa për thirrje në Rezolutën 12/44 për gjoja “rikthikimin” e forcave serbe, ambasadori gjerman e quajti “të papranueshme dhe asburde”.

    Qëndrimi ynë është i qartë. Barrikadat janë të paligjshme dhe kushdo që i ka instaluar duhet t’i largojë sa më shpejt”, tha ai.

    Aleksandar Vuçiç, duke folur nga Azerbejxhani, ambasadorin gjerman e quajti “anti-serb” dhe se “deklaratat e tij janë të rrezikshme për popullin serb”.

    Gjermania dëshiron dominim të plotë në Ballkan”, ka thënë ai.

    Irritimi serb ndaj Gjermanisë kishte qenë më i fuqishmi ndaj deklaratës së dhënë nga kancelari federal gjerman, Olaf Scholz, i cili në vizitën e tij të parë në rajon, u shpreh se nuk ka BE pa njohje të ndërsjellë Kosovë-Serbi.

    Irritimi serb ndaj Gjermanisë kishte qenë më i fuqishmi ndaj deklaratës së dhënë nga kancelari federal gjerman, Olaf Scholz, i cili në vizitën e tij të parë në rajon, u shpreh se nuk ka BE pa njohje të ndërsjellë Kosovë-Serbi.

    Formulimi i tij ishte therrës për opinionin publik serb, i cili në një konferencë në Beograd, tha se “është e pamendueshme” që dy shtete që nuk e njohin njëra-tjetrën të mund të hyjnë në BE, dhe se Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e ka “epilog të logjikshëm” njohjen e ndërsjellë.

    Ky qëndrim i Scholz, u lexua në Serbi si qëndrim në rend të parë ndryshe nga ajo e ish-kancelares Angela Merkel, dhe nga ai i BE’së që statusit të Kosovës i qaset në mënyrë neutrale dhe pashkëputshëm nga fusnota dhe asterisku, që ia vendos aty “për të mos ia paragjykuar statusin”; do të thotë, duke cituar edhe Rezolutën 12/44 por edhe atë të konfirmimit të pavarësisë së saj nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë më 2010./Insajderi/

    OP-ED
    Nga Rubrika
    Lajme
    26 April 2024

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark