Drenusha Canolli
Nuk është duke mbretëruar qetësi në zyrat e Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit. Sekretari i Përgjithshëm, Fatos Qerimi, e ka akuzuar ministrin, Blerim Kuçi për shkelje ligjore.
Është tensionuar situata në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik dhe Ambientit [MEA] që nga shtatë tetori i këtij viti, kur udhëheqësi i këtij dikasteri, Blerim Kuçi, mori vendim që Mentor Sylemta, Drejtor i Departamentit të Ndërmarrësisë të caktohet zëvendësues i Drejtorit Ekzekutiv në Agjencinë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës.
Por, Sekretari i Përgjithshëm i ministrisë, Fatos Qerimi, se thënë se në këtë proces ka pas shkelje ligjore, madje për këtë e ka akuzuar direkt shefin e tij, Kuçin, shkruan Gazeta Insajderi.
Ai ka thënë se kur të merret një vendim i tillë, si ku për emërimin, ministri duhet ta marrë pëlqimin tek Sekretari i Përgjithshëm, në këtë rast tek Qerimi.
“Vendimin ende nuk e kam pranuar sipas procedurave të rregullta ligjore nga arkivi/shkrimorja e MEA-së. Po, është obligim ligjor për vendime të tilla që të njoftohet Sekretari i Përgjithshëm”, ka thënë Qerimi për Insajderin.
Qerimi thotë se ndonëse ministri ka të drejtë të marrë çfarëdo vendimi, në këtë rast për emërimin e Sylmetës, ai është dashur të marrë edhe dakordimin e tij.
“Ministri ka të drejt të marr vendime të tilla, por në rastin në fjalë, zyrtarin të cilin e ka caktuar është vartës i imi dhe bazuar në legjislacionin në fuqi kërkohet që paraprakisht merret dakordimi/pëlqimi nga unë si Sekretar i Përgjithshëm”, ka thënë Qerimi për Insajderin.
Mirëpo kështu nuk mendojnë nga kabineti i ministrit.
I pyetur nga Gazeta Insajderi, lidhur me pretendimin që ka shtruar Qerimi, kabineti i ministrit ka thënë se këtu nuk ka asgjë kundërligjore.
“Ministri i Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit, pas vendimit për pezullimin e Drejtorit Ekzekutiv te Agjencionit për Mbrojtjen e Mjedisit në MEA, ka marrë vendim duke u bazuar në përgjegjësitë ligjore për të caktuar një zëvendësues të Drejtorit Ekzekutiv, deri në përfundim të procedurave disiplinore, pasi që është obligim ligjor që të cakton një zëvendësues te përkohshëm deri në zgjidhjen përfundimtare sipas legjislacionit ne fuqi”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit.
Ndër tjera nga ministria thonë se vendimi i ministrit Kuçi është bazuar në ligjin për Organizimin dhe Funksionimin e Administratës Shtetërore dhe të Agjencive të Paravrura.
“Vendimmarrja e Ministrit ne Ministrinë e Ekonomisë dhe Ambientit bazohet ne Nenin 10 Ligji Nr. 06/L -113 për Organizimin dhe Funksionimin e Administratës Shtetërore dhe të Agjencive të Pavarura, me te cilin përcaktohen përgjegjësitë për Administratën Shtetërore, të cilat e bëjnë Ministrin drejtpërdrejte përgjegjës para Qeverisë dhe Kuvendit për veprimtarinë e të gjithë sistemit ministror në fushën e përgjegjësisë shtetërore të përcaktuar me legjislacionin përkatës”, kanë thënë nga kabineti i ministrit.
Caktimin e Sylmetës, ministria thotë se ështëbërë sipas legjislacionit në fuqi dhe se është përgjegjësi vetëm e ministrit caktimi i zëvendësuesve për pozitat brenda ministrisë duke përfshirë edhe pozitën e Sekretarit të Përgjithshëm.
“Lidhur me caktimin e zëvendësuesit te Drejtorit Ekzekutiv te Agjensioni nga një Drejtor i Departamentit në kuadër të Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit, është sipas legjislacionit ne fuqi”.
“Gjithashtu është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e Ministrit caktimi i zëvendësuesve për pozitat qe i përgjigjen drejtpërdrejtë Ministrit dhe i gjithë sistemi Ministror përfshi edhe Sekretarin e Përgjithshëm është përgjegjës për zbatimin e vendimeve te Ministrit si zyrtari me i lartë i Ministrisë dhe i cili jep përgjegjësi para Qeverisë dhe Kuvendit te Kosovës për gjithë veprimtarinë e Ministrisë për të cilën është përgjegjës”, thuhet në përgjigjen nga ministria për Insajderin.
Mentor Sylmeta është emëruar në pozitën e Drejtorit Ekzekutiv në Agjencinë për Mbrojtjen e Mjedisit, pasi që ministri Blerim Kuçi pezulloi nga pozita e drejtorit Ilir Morinën.
Në vendimin për shkarkimin e Morinës, të cilin e kishte siguruar Gazeta Insajderi thuhej se pas vlerësimit të performancës së dikastereve të MEA-së janë konstatuar shkelje në ushtrimin e funksionit të drejtorit.
Shkak për këtë sipas vendimit është se “Morina ka dështuar të përmbushë përgjegjësinë e tij, në sigurimin e zbatimit të rekomandimeve nga raportet e auditimit; Ka ushtruar presion të vazhdueshëm ndaj zyrtarëve të MEA-s, gjatë ushtrimit të detyrave zyrtare dhe ka treguar neglizhencë gjatë bashkëpunimit me menaxhmentin e MEA-s”, thuhet në vendim.
“Hidroterm” Sh.P.K., kompania e Blerim Kuçit, ministrit të Ekonomisë dhe Ambientit në Qeverinë Hoti, është shpërblyer me një kontratë publike në vlerë prej rreth pesë milionë eurosh.
“Hidroterm” Sh.P.K., aksionet e së cilës i posedon ministri Blerim Kuçi, ka fituar tenderin publik të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (ShSKUK) për “ndërtimin e objektit spitalor për nënën dhe fëmijën në Prizren”. Vlera e kontratës kap shifrën e 4 milionë e 900 mijë eurove. /Insajderi.org