Zëdhënësja e Termokosit Afërdita Uka ka thënë për Telegrafin se zgjerimi i rrjetit për vitin 2019 kam një shifër prej rreth 9 milionë euro.
“Brenda pak ditësh do të fillojnë punimet për zgjerimin dhe rehabilitimin e rrjetit të ngrohjes, në saje të një donacioni nga Komisioni Evropian në vlerë të 8.3 milionë eurove , ndërsa Termokos dhe Komuna e Prishtinës, participojnë në këtë projekt me nga 250 mijë euro”, tha ajo.
Uka ka thënë se numri më i madh i banesave që do të kyçen në rrjetin ngrohës janë në lagjen Kalabria.
“Një nga lagjet, që do të përfitojë më së shumti nga ky projekt do të jetë lagjja ‘Kalabria’ pjesa në afërsi të banesave të arabëve, ku do të kyçen numri më i madh i objekteve banesore. Zgjerim të rrjetit të ngrohjes do të ketë edhe për një pjesë të objekteve banesore, që shtrihen përreth ‘Rrugës B’, disa objekte të vjetra banesore në lagjen ‘Ulpiana’ dhe ‘Qendër’ si dhe disa institucione si: Teatri Kombëtar, Filarmonia e Kosovës, shkolla ‘Naim Frashëri’, çerdhet e fëmijëve ‘Buzëqeshja’ dhe ‘Xixëllojnat’, Fakulteti i Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës, Stacioni i Policisë në lagjen e ‘Muhaxherëve’, Doganat e Kosovës etj”, ka treguar zëdhënësja e Termokosit, Aferdita Uka.