×
Hulumtime/Analiza / Analiza

Tetë pazaret e negociuara të ndërmarrjes “Parking Prishtina” që arrijnë vlerën e mbi 2 milionë eurove

Insajderi
22 August 2022 - 14:51
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

Të paktën tetë tendere, ndërmarrja “Parking Prishtina”, që drejtohet nga kryeshefi Liridon Restelica i ka dhënë në mënyrë të negociuar, duke e përjashtuar kështu konkurencën. Gazeta Insajderi, sjell detaje të këtyre tendereve, vlera e të cilëve në total arrinë në 2 milionë e 700 mijë euro

Ndërmarrja publike “Parking Prishtina”, ka qenë temë diskutimi ditëve të fundit në vend për shkak të një kontratë të dyshimt të lidhur në muajin korrik – për të cilën u kërkua hetim nga Prokuroria.

Në shumë raste kjo ndërmarrje, që është themeluar para 3 vitesh, e cila është nën menaxhimin e Komunës së Prishtinës ka përdorur procedurën e negociuar pa publikimin e njoftimit për kontratë.

Kjo lejohet me ligjin e prokurimit, dhe si procedurë autoriteti kontraktues ka të drejtën e negociatave të drejtëpërdrejta me vetëm një kompani duke e përjashtuar konkurencën.

Duket se këtë e ka shfrytëzuar goxha, Liridon Restelica, i cili aktualisht mbanë pozitën e kryeshefit të “Prishtina Parking”. Nga ajo që figuron në faqen e Komsionit Rregullativ të Prokurimit Publik, del se ndërmarrja në tetë raste ka negociuar me kompanitë të cilave ua dha tenderet publike.

Vlera e “pazareve” të negociuara në total arrinë në 2 milionë e 700 mijë euro.

Për të paktën tri prej këtyre kontratave ka shkruar Gazeta Insajderi.

“INT Class Marketing”, kompania e panjohur në fushën e tendereve publike në Kosovë, ka marrë duke negociuar brenda më pak se nëntë muajsh dy tendere të mëdha. Ajo u shpërblye nga “Prishtina Parking”, fillimisht me kontratë vlera e të cilës parashihet të ishte 150 mijë euro dhe kontratën e dytë me vlerën e parashikuar prej 750 mijë euro.

Para disa muajsh një kontratë e madhe prej 1.5 milionëve iu dha me këtë procedurë edhe “Besa Security”.

Për këto dhe të gjitha kontrat e tjera për të cilat negocioi Parking Prishtina, Gazeta Insajderi sjell detajet, vlera e të cilëve në total arrinë në 2 milionë e 700 mijë euro

1.5 milionë për kamera

Kjo ndërmarrje kishte shpërblyer me tender në vlerë 1.5 milionë euro kompaninë e sigurimit “Besa Security” për vendosjen dhe menaxhimin e kamerave për trafik në Komunën e Prishtinës.

Krejt kjo ishte bërë me procedurë të negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë, të mbyllur, “Prishtina Parking” Sh.a. kishte përzgjedhur “Besa Security” që të realizojë projektin e vendosjes dhe menaxhimit të kamerave në trafik.

Kontrata parashihet të zgjasë tri vjet, bazuar në Dosjen e Tenderit.

Por tenderi ishte anuluar më 19 maj, me arsyetimin se kompania nuk kishte sjellur Sigurimin e Ekzekutimit me kohë.

900 mijë euro për kompaninë që u themelua para 18 muajsh

Kompania që u themelua vetëm para 18 muajsh, që nuk njihet në fushën e tendereve, u shpërblye majm nga Ndërmarrja Parking Prishtina. Në dy procedura të negociuara me këtë ndërmarrje del të jetë marrë vesh që për shërbimet e kryera të arrinte të merrte shumën prej 900 mijë euro.

Gazeta Insajderi, ka gjetur se fillimisht në tetor të vitit të kaluar, kishte nisur procedura e negociatave mes “Parking Prishtina” dhe kompanisë “INT Class Marketing”.

Të njëjtës iu besua në muajin tetor, tenderi që parashihej të arrinte vlerën 150 mijë euro. Kompania ishte e obliguar që sipas marrëveshjes të kryente shërbimin me softuer për menaxhimin e parkingjeve publike në Komunëm e Prishtinës.

Kjo kontratë që sipas njoftimit, është publikuar në faqen e Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik, do të zgjaste plot 36 muaj. E njëjta është nënshkarua me 14 tetor, shkruan Gazeta Insajderi.

“Parking Prishtina”, lidhi kontratën e dytë të negociuar për të njëjtën punë me kompaninë “INT Class Marketing” në korrik të këtij viti. Por edhe përshkrimi i tenderit është i njëjtë sikurse ai I tetorit.

“INT Class Marketing”, do të kryente “shërbim me softuer për menaxhimin me parkingjeve publike në Komunën e Prishtinës”. Veç se kësaj here, vlera e parashikuar për kontratë kishte shumën më të madhe. Peshonte 750 mijë euro.

Tenderi 300 mijë euro për transport

Te paktën 300 mijë euro kishte planifikuar për nevojat e transportit ndërmarrja Parking Prishtina, vitin e kaluar.  

Duke përjashtuar konkurencës, Parking Prishtina zhvilloi negociatat dhe arriti marrëveshje me kompaninën “Marimanga sh.p.k”, për shërbimet e transportit për nevojat e saj.

Vlera e parashikuar e kësaj kontrate që iu dha “Marimangës”, ishte 300 mijë euro.

Sipas përshkrimit të tenderit kompani do të duhet të kujdeset për “Shërbimet e transportit me merimangë dhe debllokimin e veturave për nevojat e NPL Prishtina Parking”.

Nënshkrimi i kontratës është bërë në shtator të vitit 2021. Sipas njoftimit kontrata do të jetë valide për 36 muaj.

Në muajin nëntor 2021, ndërmarrja Parking Prishtina, kishte lidhur dy kontrata për “Furnizim me pajisje pune për NPL Prishtina Parking sh.a.”, po ashtu me procedurë të negociuar.

Për furnizim me pajisje teknologjike, lidhi kontratë me “Planet Computers”. Vlera e përgjithshme e kontratës kapte vlerën e 25 mijë e 700  eurove.

Derisa për furnizim me inventor, lidhi kontratë me kompaninë “GEGO ” SH.P.K. Vlera e përgjithshme e kontratës ishte 26 mijë  465 euro.

Për veç këtyre, të paktën edhe dy kontrata të negociuara u lidhën nga kjo ndërmarrje.

Në muajin shkurt të vitit 2021, negocioi me kompaninë  “Armakos” SH.P.K, për furnizim me Laura

Vlera  e kontratës 23 mijë e 600 euro.

Për tu furnizuar me kompjuter dhe printer kjo ndërmarrje kontraktoi kompaninë “First Solution L.L.C”,. Me të lidhur kontratë në vlerën e 9 mijë eurove. Kjo kontratë u nënshkrua në qershor të vitit 2020. /Gazeta Insajderi

Lexo më shumë rreth skandaleve të Ndërmarrjes Parking Prishtina

OP-ED
Nga Rubrika

© 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Impressum

Kontakt

Trademark