Thellohet skandali- Dhëndri i Kusari-Liles ortak biznesi me ish-kryeshefin që ishte arrestuar për keqpërdorime - Insajderi
×
Insajderi / Insajderi

Thellohet skandali- Dhëndri i Kusari-Liles ortak biznesi me ish-kryeshefin që ishte arrestuar për keqpërdorime

Insajderi
15 November 2022 - 18:56
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Shkumbin Spahiu, dhëndri i deputetes Mimoza Kusari-Lila i emëruar në Bordin e Ankesave në AKPM është farmacist përgjegjës në kompaninë farmaceutike “Delta HealthCare”, ku njëri nga pronarët është ish-kryeshefi i AKPM-së Ilir Dushi i arrestuar në vitin 2013 për keqpërdorim të pozitës zyrtare

Është thelluar skandali i emërimit të dhëndrit të deputetes Mimoza Kusari-Lila, Shkumbin Spahiu, në Bordin e Ankesave të Agjencisë për Produkte dhe Pajisje Medicinale, shkruan Gazeta Shneta.

Pas raportimit të djeshëm për këtë emërim nga ud.ministrja e Shëndetësisë Dafina Gexha-Bunjaku, Gazeta sot ka mësuar se Shkumbin Spahiu është farmacist përgjegjës në kompaninë farmaceutike “Delta HealthCare”.

Në këtë kompani është aksionar me 50 për qind Ilir Dushi, ish-kryeshefi i AKPM-së i cili ishte arrestuar në vitin 2013 për skandalin e banderolave. Në këtë skandal Dushi akuzohet nga Prokuroria për shpërdorim të detyrës bashkë me ish-drejtorin e Departamentit Ligjor në AKPM Bersan Kolgeci. Sipas Prokurorisë rasti kishte të bënte me lëshimin e banderolave për 18 produkte medicinale për kompaninë “Prima Pharm”, duke i mundësuar asaj që të nxjerr në treg barna të importuara nga Kina më 23 mars të vitit 2013.

Ndërkaq sipas të dhënave në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve, kompania e Ilir Dushit “Delta HealthCare” është regjistruar në vitin 2020. Poashtu në listën e depove farmaceutike të licencuara nga AKPM, emri i Shkumbin Spahiut figuron si farmacist përgjegjës në këtë kompani.

Nëse Spahiu do të vazhdojë t’i mbajë dy pozitat, atëherë i bie që vet ai do të jetë palë në Bordin e Ankesave.

Gjatë hulumtimit të Gazetës lidhur me emërimin e tij në Bordin e Ankesave në AKPM, mbiemri i tij në disa raste figuron si Spahija ndërsa në disa raste të tjera Spahiu.

Gazeta ka kërkuar sqarime nga Spahiu për emërimin e tij në Bordin e Ankesave si dhe përmes pyetjeve shtesë për pozitën e tij si farmacist përgjegjës në kompaninë farmaceutike, por i njëjti nuk ka kthyer përgjigje në asnjërën prej pyetjeve.

Gazeta poashtu ka kërkuar sqarime edhe nga Ministria e Shëndetësisë nëse emërimi i Spahiut në Bord përbën konflikt interesi pasi i njëjti është farmacist përgjegjës në kompaninë farmaceutike, por nuk kanë kthyer përgjigje.

Ndërsa për emërimin e tij si dhëndër i Kusari-Lilës, MSH është arsyetuar duke thënë se nuk kanë qenë në dijeni për këtë lidhje të tij familjare me shefen e Grupit Parlamentar të LVV-së.

Pyetjeve të Gazetës nuk i është përgjigjur as kompania “Delta HealthCare”, ku Spahiu është farmacist përgjegjës.

Bordi i Ankesave në AKPM është organ mjaft i rëndësishëm i cili themelohet bazuar në nenin 8 të Ligjit për Produkte dhe Pajisje Medicinale. Ky Bord sipas këtij neni, ka përgjegjësi për shqyrtimin e çdo ankese të ngritur nga një subjekt ose person fizik, përkitazi me vendime të nxjerra nga AKPPM, në bazë të këtij ligji dhe akteve nën-ligjore të nxjerra në pajtim me këtë ligj.

Ndryshe ky Bord ka kompetencë për rrëzimin e vendimeve të AKPM-së në lidhje me barnat, qoftë përmes ankesave të kompanive farmaceutike apo individëve.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Impressum

Kontakt

Trademark