×
  • Lajme
  • Hulumtime
  • Hulumtime/Analiza / Hulumtime

    Thellohet skandali: Hetuesi i Krimeve të Rënda prezantohet si njeriu i besueshëm i biznesmenit në arrati

    Insajderi
    30 March 2022 - 16:14
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Multimilioner kosovar, Abedin Salihu, vazhdon të jetë në arrati si i dyshuar në rastin “Brezovica”. Një nga njerëzit më të besueshëm të tij, që është edhe hetues i Krimeve të Rënda, përmes një nënshkrimi ka “zbuluar pa dashje” detaje mbi vendndodhjen e biznesmenit lipjanas. Shteti ende nuk ka vepruar, Gazeta Insajderi zbulon detajet.

    Yll Jashari, hetuesi i krimit të organizuar, del të jetë njeriu i besueshëm i Abedin Salihut, biznesmenit multimilioner që tash e sa kohë është në arrati për rastin “Brezovica”.

    Këtë fakt e vërteton një dokument i nxjerrë nga klubi futbollistik “Ulpiana”, sipas të cilit Salihu është kryetar, dhe Jashari sekretar.

    Ky i fundit bashkë me Enver Duriqin, që është drejtor sportiv i KF “Ulpiana”, si njerëz të besueshëm të kryetarit Salihu, do të jenë të dërguarit e tij në Kuvendin Zgjedhor të Federatës së Futbollit të Kosovës, që do të mbahet më 6 prill, sipas dokumentit të dërguar në adresën e FFK-së, më 14 mars të këtij viti.

    Po në këtë letër, delegatët nënshkrues Jashari dhe Duriqi, zbulojnë një fakt të rëndësishëm për kryetarin e tyre – tregojnë se biznesmeni multimilioner ka dalë jashtë vendit, pavarësisht se është në kërkim nga Policia.

    “Ju njoftojmë se KF Ulpiana 1926, se Kryetari i KF Ulpiana 1926, është Abedin Salihu, i cili edhe pse nuk gjendet në Kosovë për arsye të tija, ai është ende Kryetar i klubit”…, shkruan në letrën e ekipit që përfaqëson Lipjanin në Super Ligën e Kosovës, e cila është publikuar në faqen e tyre në Facebook, transmeton Gazeta Insajderi.

    Letra e FK “Ulpiana” për FFK-në ku hedhet dritë mbi vendndodhjen e multimilonerit Abedin Salihu

    Sekretari i KF “Ulpiana”, Yll Jashari, ka dhënë versione të ndryshme për letrën kur është kontaktuar nga Gazeta Insajderi. Ai fillimisht thotë se “ne e kemi shkruar veç që është në arrati”, pastaj kundërshton veten duke thënë se “s’e kam lexuar letrën, veç e kam nënshkruar”, duke vazhduar me “unë s’po e di ku ka dalë ajo letër, nuk ka dalë në faqe tonë”.

    Letra e FK “Ulpiana” për FFK-në e shkruar dhe vulosur më 14 mars, dhe e publikuar më pas në Facebook më 15 mars

    “Unë se di që e kena zbulu na, na jena bazu në bazë të lajmeve të cilat i kemi pa në Gazetën e juaj fillimisht”, ka thënë tutje Jashari për Gazetën Insajderi, kur është telefonuar dje pasdite.

    Më 8 mars, Insajderi ka raportuar ekskluzivisht për biznesmenin multimilioner, Abedin Salihu, i cili ka arritur të ikën nga Policia, në momentin kur Policia ka bastisur shtëpinë e tij në Lipjan.

    Gazeta në asnjë rresht nuk ka shkruar se Salihu e ka lënë Kosovën, përpos që ka zbuluar se është në arrati.

    “Qysh e keni postu ju, qashtu na e kana shkru”, thotë tutje hetuesi i Krimeve të Rënda, pavarësisht se në letrën e tij, nuk i referohet asnjëherë shkrimit të Gazetës Insajderi.  

    Gazeta Insajderi ka shkruar ekskluzivisht për ikjen e biznesmenit nga Kosova, vetëm pas publikimit të dokumentit në faqen zyrtare të KF “Ulpiana”, ku thuhet se “…Abedin Salihu i cili edhe pse nuk gjendet në Kosovë për arsye të tija, ai është ende Kryetar i klubit”.

    Hetuesi i Krimeve të Rënda zbulon një informatë për Salihun, Prokuroria dhe Policia heshtin

    Pavarësisht që Yll Jashari, hetuesi i krimit të organizuar brenda Policisë së Kosovës, që në rolin e sekretarit të KF “Ulpiana” ka zbuluar diçka mbi shefin e tij, Abedin Salihu, që është njëri nga të dyshuarit kryesor në rastin “Brezovica”, nuk është marrë asnjë masë ndaj tij.

    Këtë e ka konfirmuar vetë Jashari, kur Gazeta Insajderi e ka pyetur se a është intervistuar nga Prokuroria, mbi informatën që ka zbuluar.

    “Neve s’na ka ftuar kurrkush, dhe s’ka nevojë me na ftu neve, nuk dimë për vendndodhjen e tina, as s’jena kompetent, edhe nuk përzihemi në çështje të hetimeve”, ka thënë Jashari.  

    “Ne s’e dimë ku është njeri, ne s’kemi kontakt me to – nuk kena nevojë me pas kontakt. Sa u kanë në Kosovë na normal e kemi pas president”, thotë tutje Jashari, duke lënë sërish të kuptohet që presidenti i tij e ka lënë vendin.

    Ndërkohë, Prokuroria e Ferizajt, e cila është kompetente për rastin “Brezovica”, i ka thënë Gazetës Insajderi, se “prokurori i çështjes gjendet në pushim”, dhe për momentin nuk mund të merren me deklaratën e hetuesit Jashari, që hedh dritë mbi vendndodhjen biznesmenit Salihu, i cili është në kërkim nga Policia.

    Për rastin detaje nuk ka dhënë as Policia, kur është pyetur nga Gazeta Insajderi, se a e ka njoftuar Jashari institucionin ku punon si hetues, për vendndodhjen e Salihut, ose nëse hetuesit policorë e kanë intervistuar mbi këtë çështje kolegun e tyre.

    Këto janë bizneset e multimilionerit të përfshirë në skandalin “Brezovica”

    Abedin Salihu, presidenti e donatori i klubit futbollistik “FC Ulpiana”, është edhe pronar i kompanisë i hotel “Brezovica”.

    Ndërtimi i këtij hoteli dyshohet të jetë bërë në kundërshtim me Ligjin që mbron Parkun Nacional “Sharri”, pretendim ky që multimilionerit lipjanas i ka krijuar probleme me shtetin.

    Për këtë arsye, që nga fillimi i marsit ai gjendet në arrati për aferën e lejeve ndërtimore në Brezovicë, si i dyshuar për “degradim dhe shkatërrim” të ambientit në Brezovicë, shkruan Gazeta Insajderi.

    Abedin Salihu

    Ndryshe, Salihu është edhe udhëheqës i disa bizneseve afariste, kryesisht në fushën e ndërtimit dhe minierave e mineraleve.

    Kompania e tij, “Dino” Sh.P.K. është një biznes i cili ndërton objekte banesore dhe jobanesore. Në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve, “Dino” Sh.P.K. figuron të ketë kapital prej rreth 150 mijë euro.

    Në pronësi të tij figuron edhe kompania “BELLIS IMMO SH.P.K.”, e cila kompani po ashtu merret me ndërtimtari, shkruan Gazeta Insajderi.

    Bizneset në pronësi të Abedin Salihut

    Biznesmeni kosovar shihet shume i afërt edhe me pushtetin ne Lipjan, që udhëhiqet nga kryetari Imri Ahmeti.

    Kompania e tij ‘Dino’ sh.p.k, kishte fituar 5 tenderë nga Komuna e Lipjanit në vlerë 2 milionë e 912 mijë 308 euro, shkruan Gazeta Insajderi.

    Tenderët e kompanisë ‘DINO’ të fituar nga Komuna e Lipjanit

    Lexo edhe:

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark