Insajderi
Lajme

Thesari i urdhëron institucionet t’i hartojnë listat e grevistëve për t’i larguar nga listat e pagave të gushtit

Insajderi
29 August 2022 - 23:36
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Thesari i urdhëron institucionet t’i hartojnë listat e grevistëve për t’i larguar nga listat e pagave të gushtit
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Thesari i Shtetit i ka urdhëruar institucionet që t’i hartojnë listat me emrat e nëpunësve që janë në grevë, për t’i larguar nga listat e pagave për muajin gusht.

Gazeta Online Reporteri.net e ka siguruar e-mailin që u ka dërguar insitucioneve Zëvendësuesi i Drejtorit të Përgjithshëm të Thesarit, Nysret Koca, ku thuhet se lista me emra duhet të dërgohet deri nesër në orën 14:00.

“Thesari kërkon nga Ju që deri nesër datë 30.08.2022, ora 14:00, të dërgoni listën e nëpunësve grevistë e cila do të procedohet nga Thesari konform të dhënave që dërgohen në OB dhe do të finalizoj llistat e pagave për muajin gusht 2022”, thuhet në këtë e-mail.

Këtë njoftim e kanë marrë të gjitha institucionet e vendit.

Me ndalje pagash i kërcënoi sot grevistët Ministri i Financave, Hekuran Murati, në një konferencë për media.

Duke u thirrur në konventat ndërkombëtare dhe ligjet vendore në fuqi, Murati tha se pagat e tyre, po qe se vazhdohet greva, do të duhet të kompenzohen nga sindikatat.

“Përderisa e drejta e grevës është e garantuar, praktikat nuk e obligojnë punëdhënësin për aq kohë sa është në grevë, grevistët të paguhen. Këtë shembull e ndjekin edhe shtete e tjera. Sindikata i kompenson për greva. I gjithë stafi që është në grevë nuk do të paguhet, për ditën në grevë i paguan sindikatat”, tha Murati.

Murati tha se Ligji për Paga është proceduar nga qeveria kosovare, dhe në këtë ligj janë trajtuar edhe vërejtjet dhe kërkesat e punonjësve të arsimit.

Përveç kësaj, ai tha se SBAShK-u në pesë vitet e fundit kanë marrë 3 milionë euro.

“Ku janë këto mjete”, tha ai.

Kërcënimeve të Muratit u është përgjigjur BSPK-ja përmes një komunikate për media.

Në komunikatën drejtuar mediave, BSPK, janë shprehur se për ta është shqetësuese mosreflektimi i qeverisë ndaj kërkesave të grevistëve.

“Por, ajo që e shqetëson BSPK-në është mosreflektimi i Partnerit tonë Social – Qeverisë përkitazi me kërkesat e arsyeshme sindikale”, thuhet në komunikatën e tyre.

Ata i kanë bërë thirrje qeverisë që të ulen për bisedime dhe të merren parasysh kërkesat e grevistëve.

“Partneri ynë Social – Qeveria duhet t’i jepet arsyes dhe të na thërrasë në tavolinën e bisedimeve e kjo do duhej të bëhet sa më parë për të mirën e të gjithëve”, thuhet tutje në komunikatë.

Ndryshe, të enjten ka nisur greva e mësimdhënësve, edukatorëve të kopshteve publike, punëtorëve të administratës publike dhe shërbyesve civilë në institucionet lokale dhe qendrore të Kosovës.

Kjo grevë është paralajmëruar qe disa javë, pas mosplotësimit të kërkesës për 100 euro shtesë deri në hyrjen në fuqi të Ligjit për Paga./Reporteri.net


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark