×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    “Ti dhashë në Che Bar 3500 € të mbështjella në një qese”, rëndojnë dyshime tjera për ryshfet kundër zv/ministrit të Kurtit

    Insajderi
    12 January 2023 - 18:40
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Binak Sylaj, një qytetar i Kosovës që jeton në Zvicër, në nëntorin e vitit të kaluar, e pati akuzuar për ryshfet Almir Velijin, zëvendësministrin në Qeverinë e Albin Kurtit. Ai këto akuza i pati bërë publike në profilin e tij në Facebook.

    “Zotëri, zv. Ministër, unë ju bëra ftesën me kërkesën tuaj për ta vizituar Zvicrën. Unë morra të gjitha garancitë dhe bëra deponi të të hollave që ju të pajiseni me Vizë. Unë ju pagova biletën e udhëtimit. Unë ju prita në aeroportin e Baselit dhe ju dërgova deri tek Hoteli në Cyrih. Unë ju bëra rezervimin e hotelit, mirëpo hotelin e paguat ju vetë, vetëm kjo është e vërteta! Unë ju kam shëtitur në Cyrih, ju kam nxjerr në drekë dhe për kafe. Paraqitjet e juaja që i bëni, a keni harruar se unë ju bleva tre palë kostume, këpucë dhe kravata? A keni harruar, drekat dhe kafet në Kosovë? A harruat, kur ju kam dërguar para për Wsterunion. Harrove që ti dhashë në CHE Bar, 3500 € të mbështjella në një qese? Kishe shumë nevojë për shkak të borxheve që kishe për ti kthyer që kishe vjedhur nga subjekti yt politikë”, ka shkruar ai në profilin e tij, transmeton Gazeta Insajderi.

    “Kur një ditë të ballafaqova dhe të thash se je i përfshirë në ryshfet lidhur me grantet dhe anulimin e aplikuesve për grante, aty përfundojë çdogjë mes nesh. E para përshkak se, ke shfrytëzuar çdo të mirë njerëzore nga unë, e dyta përshkak se shfrytëzonë detyrën dhe veturën zyrtare, mbushjet e kartelave të valës dhe shumë send tjetër. Kurrë mos akuzo askënd për shpifje apo gjë tjetër, e vërteta është kjo. Unë nuk shantazhohem KURRË”, ka shkruar tutje ai.

    Mbi këtë akuzë pati reaguar zv.ministri Veliji. Ai i kishe thënë për Gazetën Insajderi se gjithçka se çfarë ka thënë Syla është e vërtetë, përpos punës së ryshfetit.

    “Unë jam shumë i pastër, dhe për këtë jam shumë i lumtur. Nuk është e vërtetë se kam marrë ryshfet, dhe përë këtë do ta padisë personin në fjalë qysh nesër përmes avokatit tim”, ka thënë Veliji për Gazetën Insajderi.

    Teksa kishte theksuar se gjatë gjithë jetës së tij ka punuar vetëm për të mirën e qytetarëve të Kosovë.

    Audio-incizimi që dëshmon përfshirjen në ryshfet të zv.ministrit të Albin Kurtit

    Një hulumtim i Gazetës Insajderit i nisur pas denoncimit publik të Binak Sylaj ka zbuluar se zëvendësministri i Zhvillimit Rajonal, Almir Veliji dyshohet se është përfshirë në një aferë ryshfeti.

    Për këtë po e mohon vet zëvendësministri, i kontaktuar nga Gazeta Insajderi, ka thënë se ndjehet njeriu më i pastër në botë.

    Ai rastin e cilësoi si lojë politike që po bëhet ndaj tij ndërkohë që bën thirrje që rasti të hetohet.

    “Jam njeriu më i pastër dhe më i lumtur dhe do të jap kontribut për qytetarët, kurrë në jetën time kurrkujt si kam marrë një cent. Nëse 1 cent i kam marrë dikujt, unë veç shkojë në burg. E këto lojëra politike nga prapa që i bën dikush është Policia është Prokuroria le ta qojnë rastin deri në fund sepse unë nuk mundem me dhënë më intervista se qeshtu ka ndodhur edhe para 2 muajve. Organet e drejtësisë le të merren me rastin, unë jam njeri më i pastër në botë”, ka deklaruar Veliji për Gazetën Insajderi.

    “… a të ka kallëzu ai sa përafërsisht munet?”…se këta pa ju dhanë diçka nuk kryejnë punë”. Janë këto disa pjesë të bisedave që zëvendësministri i Zhvillimit Rajonal, Almir Veliji i bën më një person (emër i njohur për Insajderin) e ku flasin për një aferë ryshfeti.

    Zëvendësministri Veliji, i emëruar nga kryeministri Albin Kurti, në këto audio-incizime që i ka siguruar Insajderi e që janë deponuar edhe në Policinë e Kosovës, flet për një grant qeveritar prej dhjetëra mijëra eurosh.

    Audio-incizimi që e ka siguruar Gazeta Insajderi tashmë është në posedim edhe nga Policia e Kosovës që po e hetojnë këtë rast.

    “Referuar kërkesës suaj mund të ju konfirmojmë se Policia e Kosovës posedon informacionin si dhe është në  fazën fillestare të hetimeve në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë”, thuhet në përgjigjen e Policisë për Gazetën Insajderi.

    Ky audio-incizim, pos tjerash dëshmon që për këtë grant qeveritar prej dhjetëra mijëra eurosh, zëvendësministri Veliji, pos telefonatave kishe zhvilluar edhe takim.

    Madje kishte në posedim edhe flet-aplikimin e qytetarit që ishte në proces të marrjes së grantit, që do të mbulonte një pjesë të investimit, pasi që pjesën tjetër e kishte mbuluar me investime vetanake.

    Krejt çka mungonte në këtë proces, sipas bisedës që zhvillohet mes personit X dhe Almir Velijit mbetet përcaktimi i çmimit të ryshfetit që do të jepej që granti qeveritar të realizohej.

    Që nga viti 2021 një seri rastesh për keqpërdorim të granteve qeveritare, me theks të veçantë atyre në bujqësi janë hetuar nga Prokuroria. Një pjesë e tyre tashmë janë deponuar në Gjykatë me aktakuzë.

    Rasti i fundit ishte ai i dhjetorit të vitit të kaluar ku Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë  kundër 15 të akuzuarve për rastin e njohur “Subvencionet II”.

    Rasti “Subvencionet I” në shtator 2022 pati edhe një seancë shqyrtimi edhe në Gjykatën e Apelit, pasi që në prill të atij viti Gjykata Themelore në Prishtinë kishte shpallur aktgjykim dënues ndaj shtatë të akuzuarve që ishin dënuar me 6 vite e 1 muaj burgim dhe 2 mijë euro gjobë.

    Në këtë audio-incizim që e ka siguruar Gazeta Insajderi flitet për afro 70 mijë euro para të shtetit që do të jepeshin si grant qeveritar, por bashkë-biseduesit nuk arrijnë deri te pika e përcaktimit të çmimit të ryshfetit, por definohet se pa ryshfet nuk kryhet puna.

    “E dëgjo, unë piva kafe me atë mbrëmë, më tha … s’po di unë burrë, me kanë me më kallzu ata p.sh me thënë qekaq”, i raporton personi X Zëvendësministrit Almir Veliji, duke i treguar hallin se nuk po di se sa para ryshfet duhet të kërkohen për grantin prej afro 70 mijë eurosh.

    Të njëjtin hall e shfaq edhe Zëvendësministri Veliji kur i drejtohet personit X duke i thënë që “ai s’ta ka thënë përafërsisht sa mundet, sa nuk mundet?”.

    Ai person i raporton Zëvendësministrit duke i treguar se qytetari që ka aplikuar për grantin qeveritar ka investuar afro 30 mijë euro para të tijat në projektim dhe pret afro 70 mijë të tjera nga granti, gjë që me pohim e miraton Veliji.

    Edhe pse Zëvendësministri Veliji shprehet që nuk është marrë me këtë formë ndërmjetësimi, shprehet i bindur se pa dhënë diçka nuk mund të vazhdonte aplikimi tutje.

    “Kurrë s’jam marrë vallain unë qeshtu vallain se, e di se ata pa ju dhanë diçka ata nuk e kryejnë a po kupton?”, dëgjohet duke thënë Veliji.

    Zëvendësministri Veliji e mori edhe vet aplikacionin e personit që po i kërkohej ryshfet

    Në një bisedë të më vonshme Zëvendësministri Veliji e pranon që direkt e ka marrë aplikacionin për këtë grant.

    “Jo çka më the më herët se më herët nuk e kuptova çka më the, u kry ajo punë e kështu se s’po di burrë, ti herë po më thua ashtu, herë knej diçka, e se kuptova mirë”, i thotë personi që komunikon me Zëvëndësministrin Veliji derisa ky i fundit ia rikujton që “që ma dërgove, që ma dërgove për atë shokun bujqësi”

    “X: Atë fletën, atë farë aplikimin për atë tenderin a? Almir Veliji: Po po, po qajo qajo. X: Aha, okej, e çka me bë tash? Almir Veliji: Jo kurgjo, vetëm që të thashë që puna u kry, kurrgjë tjetër”.

    Veliji nga partia e Duda Baljes ishte emëruar zëvendësministër në Ministrisë së Zhvillimit Rajonal, në prill të vitit 2021, nga kryeministri Albin Kurti.  

    Ai pati falënderuar Kurtin për besimin e dhënë përmes një postimi në Facebook.

    “Sot pranova detyrën e zv.Ministrit ne Ministrin e Zhvillimit Rajonal e falënderoj z.Albin Kurtin, Kryeministrin e Republikës së Kosvës per besimin që ma ka dhenë.

    Me këtë rast zotohem se detyrën që mora do ta kryej me përkushtim, vullnet dhe guxim, duke garantuar angazhim maksimal sidomos për komunitetin #Boshnjak.Për t’i përmbushur objektivat tona si komunitet, e që janë edhe pritjet tuaja, do ta shfrytëzoj përvojën time institucionale në mënyrë që ta arrijm më të mirën për vendin tonë dhe për komunitetin”, pati shkruar ai./Gazeta Insajderi/

    Lexo edhe:

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark