×
  • Sport
  • Sport / Insporti

    Tifozët e Buducnostit e paralajmërojnë me provokim ardhjen në Prishtinë

    Insajderi
    11 July 2022 - 15:04
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Tifozët e Buduçnostit ishin protagonistë për të keq në ndeshjen e parë ndërmjet klubit të tyre ndaj Llapit, në rrethin e parë kualifikues të Conference League.

    Ata kishin shfaqur slogane dhe koreografi pro-serbe duke i fyer shqiptarët.

    E tifozët nga Podgorica, të quajtur “Varvari”, nuk janë ndalur me kaq.

    Tifozët, që njihen si pro-serbë, e kanë paralajmëruar ardhjen në Kosovë dhe këtë e kanë bërë përmes provokimit të radhës.

    “Barbarët” e kanë prezantuar Kosovën si pjesë të Serbisë përmes një harte të postuar në grupin e tyre në rrjetet sociale.

    “Kualifikimet për Ligën e Konferencës. 14.7. ‘Varvari’ për udhëtim mund të paraqiteni sot prej orës 16:00 deri në ora 22:00. Duhet ta sillni kopjen e letërnjoftimit. Kilometra kalojmë, pengesat të gjitha i shkelmojmë”, është shkrimi i tifozëve nacionalistë në “Facebook”, transmeton “express”.

    Llapi ndërkohë ju ka bërë thirrje krejt tifozerive shqiptare për mbështetje, ndërsa stadiumi “Fadil Vokrri” pritet të jetë mjaft “i nxehtë” të enjten, në ndeshjen e kthimit të rrethit të parë kualifikues.

    Lojën e parë, Buduçnosti e kishte fituar me rezultat 2:0 në Podgoricë, ndërsa Llapi tash synon ta bëjë mrekullinë duke e përmbysur rezultatin.

    Mision i vështirë, por jo edhe i pamundur.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark