Darwin Nunez konsiderohet si një nga transferimet më të bujshme të merkatos aktuale teksa sulmuesi kaloi nga Benfica te Liverpool për shifrën e 75 milionë funteve, plus bonuse në bazë të performancave të uruguajanit.
Nunez ishte një nga sulmuesit më të spikatur të sezonit të kaluar ku shënoi një “tufë” me gola për Benficën ndërsa ndëshokoi edhe Liverpool në Champions.
Megjithatë, pavarësisht statistikave apo vlerës së transferimit, tifozët e The Reds mbeten skeptikë për Nunez duke qenë se së fundmi kanë kritikuar ashpër sulmuesin. Nga grumbullimi i Liverpool në Tajlandë, është shndërruar në virale një video në të cilën 23-vjeçari gabon në mënyrë fatale para portës në një nga seancat stërvitore të Jurgen Klopp.
Kaq ka mjaftuar dhe tifozët kanë shpërthyer në rrjete sociale ku theksojnë se si është e mundur që për Nunez të jenë shpenzuar në total 100 milionë euro, ndërsa shtojnë se ai ngjason me Andy Caroll, ish-sulmuesin e Liverpool për të cilin pritshmëritë ishin tejet të larta, por ai nuk i përmbushi në asnjë moment ato.
Ndërkohë, ka pasur edhe nga ata tifozë të cilët kanë kërkuar rikthimin e Sadio Mane tashmë të larguar drejt Bayern Munich. Gjithsesi, sa i takon Nunez, ai është ende në fillimet e tij me Liverpool dhe do të kërkojë kohën e duhur për t’u përshtatur me filozofinë e trajnerit Klopp, ndaj edhe kritikat mund të konsiderohen si të nxituara.